Lëvizja\UÇK

Dilaver Goxhaj: Qëndrimi që mbajti Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK – së

(Pjesë nga libri “Dallimet Programore midis LPK – së dhe LDK – së”, Dilaver Goxhaj)

 Lufta Çlirimtare e Kosovës, e viteve 1997-1999, ishte një kryengritje popullore. Kryengritjet janë luftë e armatosur e masave popullore për t’u çliruar nga zgjedha e huaj dhe për të përmbysur regjimet shtypëse. Bazuar në historinë e kryengritjeve popullore dhe luftrave çlirimtare të vendeve të ndryshme të botës, ekziston një mesatare e përgjithshme, nëse në një rebelim popullor merr pjesë me armë në dorë 4-6 % e popullsisë së atij vendi, ajo quhet kryengritje popullore. Nëse u referohemi kryengritjeve të popullsisë shqiptare në Kosovë na rezulton se mesatarja e pjesmarrjes së popullit me armë në dorë ka qenë 8,9 %. Ndër këto kryengritje na rezulton se kryengritja me pjesmarrjen më të ulët me armë në dorë ka ndodhur vetëm në kryengritjen e udhëhequr nga Dervish Cara, në fillim të vitit 1844, me vetëm 4,1 % e popullsisë së saj (Akademia e Shkencave “Kosova në vështrim enciklopedik”, Toena, 1999, f. 84-85), 50% më e ulët se mesatarja e gjithë kryengritjeve në Kosovë. Ndërsa, 35 vite më pas, gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rrëmbeu armët 15 % e popullsisë; po aq (15%) edhe në kryengritjen e drejtuar nga Haxhi Zeka, në vitin 1893; kurse, në kryengritjen e njohur me emërin Lidhja e Pejës, më 1899, mori pjesë 6,1% e popullsisë; ndërsa në kryengritjen e vitit 1908, e udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Buletini e Bajram Curri mori pjesë 7,2% e popullsisë; në atë të vitit 1910 mori pjesë 7,5% e popullsisë; në atë të vitit 1912 – 9,7% e popullsisë; ndërsa në atë të vitit 1915 vetëm 5,6% e popullsisë, kjo, si rrjedhojë e faktit që “Shteti shqiptar në vitet 1913-1915 nuk mundi të stabilizohej dhe të luante ndonjë rol të dukshëm për të ndihmuar shqiptarët e përtej kufijve politikë të caktuar me dhunën e Fuqive të Mëdha, por dëshira e popullsisë së tyre për çlirim e bashkim kombëtar nuk u çrrënjos”, “Kosova në vështrim enciklopedil”,f.84-85); ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore – 10,6% e popullsisë. (“Kosova në vështrim enciklopedik”, f.89-117 ). Parë në planin evropian, rrallë mund të gjejmë në Evropë një popull kryengritës si populli shqiptar në Kosovë, i cili, prej Reformave të Tanzimatit, 1830, e deri në vitin 1997, për 167 vite, deri kur shpërtheu Lufta Çlirimtare, e njohur me emrin Lufta e UÇK-së të ketë kryer 38 kryengritje. Dhe na rezulton se ky popull kaq luftarak gjatë 167 viteve, (1830-1999) ka zhvilluar një kryengritje në çdo 4,5 vjet; ndërsa, po të shohim vetëm kryengritjet e shekullit XX, ky hyn edhe ajo e UÇK-së, kemi 27 kryengritje, që do të thotë një kryengritje në çdo 3,5 vjet. (“Kosova në vështrim enciklopedil”, f. 85-131). Këto shifra të bindin se mbijetesa e këtij populli është rezultat i kryengritjeve gjithnjë e më të shpeshta dhe me pjesmarrje gjithnjë e më të madhe të popullsisë. Faktet janë kokëforte, nuk kemi se nga lëvizim. Ndërsa gjatë Luftës Çlirimtare të viteve 1997-1999 na rezultoi se vetëm 1,4 % e popullit shqiptar në Kosovë rrëmbeu armët duke u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; që do të thotë 6,4 herë më pak se mesatarja e gjithë kryengritjeve në Kosovë, ose 3 herë më pak se pjesëmarrja në kryengritjen me shifër më të ulët, që ka qenë ajo e vitit 1844, para 153 viteve! Natyrshëm lind pyetja: Si është e mundur që në fund të shekulli XX, ndërkohë kur populli shqiptar në Kosovë ishte 90% i arsimuar si kurrë më parë (Ibrahim Rugova “Der Spiegel”, Nr.26, 1989), një popull i pajisur me aftësi ushtarake të jashtëzakonshme kur duhej ta çonte organizimin e tij luftarak në një shkallë të përsosur, që t’ua kalonte të gjitha arritjeve të mëparshme të tij, në rrethana të tilla kur Serbia angazhoi të gjitha llojet e forcave të armatosura për shpopullimin një herë e përgjithmonë të Kosovës nga shqiptarët, kur vihej në diskutim egzistenca ose jo e këtij populli dhe e këtij territori shqiptar, të jetë shifra më e ulët e pjesmarrjes në kryengritjen për jetë a vdekje të tij dhe të Kosovës?! Të jetë vallë përzierja e gjakut me sllavët? E pabesueshme. Të jetë vallë degjenerimi biologjik i shqiptarëve? Të jetë rezultat i përçarjes kombëtare? E besueshme. Të jetë vallë degjenerimi politik i këtij populli? E pabesueshme. Të jetë rrjedhojë e aplikimit të qëllimshëm të pluralizmit politik në Kosovë në kushtet e të qenit të pushtuar? E besueshme. Mos vallë këtij populli i ishte mërzitur jeta dhe nuk donte më që të mbijetonte? E pabesueshme. Të jetë rrjedhojë e politikës pacifiste prej partisë « gjigande » LDK (?) Po! Kjo parti i bëri thirrje popullit që të mos rrëmbente armët se Pavarësia e Kosovës do të vinte nga vullneti i IBrahim Rugovës dhe pa luftë. Në LDK militonte 38-40% e popullsisë së përgjithshme e Kosovës, të cilët i paguanin asaj kuotizacion 3 % të të ardhurave të tyre mujore. LDK-ja e sulmoi UÇK-në edhe kur u angazhua NATO në luftë përkrah UÇK-së, ku edhe ato 78 ditë Ibrahim Rugova nuk e mbështeti Qeverinë e Përkohëshme, për të cilën kishe pranuar dhe nënshkruar në Rambuje në prezencën e zonjës Medlin Ollbrajt. Natyrisht, historia e Kosovës do të krijohej shumë më lehtë, sikur lufta të bëhej në kushte krejt të favorshme. Por, shpejtimi dhe ngadalësimi varen në një shkallë shumë të madhe nga “rastësitë”, ndër të cilat figuron edhe një “rastësi” e tillë, nga karakteri i njerëzve që në fillim qëndrojnë në krye të Lëvizjes. E megjithatë, ky popull, edhe pse u çorientua nga lufta antagoniste midis forcave politike ilegale me ato legale, edhe pse në kushtet më të disfavorshme arriti t’i qëndronte një kundërshtari shumë më të madh në numër e armatime dhe të mbijetonte si popull është diçka që e nderon pa masë trimërinë dhe qëndresën e tij, edhe pse u angazhua aq pak në atë luftë të viteve 1997-1999, falë gjithashtu edhe bashkëveprimit me aviacionin luftarak të NATO-s, dhe jo falë “Viktimave të Reçakut », janë vulë e çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës.” (RKL, 15 Janar 202), sikundër ua atriboi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa më 15 Janar 2020, që don të thotë : Rrofshin të vdekurit që na sollën lirinë. Dhe këtë e thotë për të mohuar gjithë atë luftë çlirimtyare dhe gjithë Dëshmorët e asaj lufte. Dhe gjithë anëtarësia e LDK-së heshti, si zakonisht, sa herë fyhet dhe mohohet UÇK-ja! Heshtja është miratim…