Uncategorised

Dhimitër Shtembari: Koha i ka ndryshuar pamjen por jo shpirtin

Koha i ka ndryshuar fytyrën, por jo shpirtin
Njerëzit përballen me shumë sfida në jetë, ka thënë shkrimtari i madh amerikan, Mark Tuen, por më e vështira është se si të mbeten njerëz.
Kjo më erdhi ndërmend teksa nisa të hedh këto shënime për intelektualin e mirënjohur, Tomorr Shasho, nga Skrapari, aktualisht me banim në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po cili është Tomorr Shasho?
Koha e kish sjellë që prindërit e tij, shpërngulur viteve dyzetë nga rrethi i Skraparit, të vendoseshin në Bubullimë të rrethit të Lushnjës. Pikërisht në këtë fshat do të lindte Tomorri më 4 qershor të vitit 1944. Dhe do të rritej mes vështirësive të shumta të kohës. Kur ende nuk i kishte mësuar t’i shqiptonte mirë emrat “babë” e “nënë”, i vdes i ati, Brahimi. Tashmë Hasimes do t’i mbeteshin rreth vetes pesë fëmijë, më i madhi tetë vjeç dhe më i vogli, Tomorri, vetëm dy vjeç.
Në vitin 1946, dy vjet mbas çlirimit, Hasimes do t’i duhej të rropatej gjithandej për të rritur fëmijët. Fukarallëk i madh në fshat, ca më shumë në familjen Shasho! Edhe pse i qe dhënë ca tokë nga Reforma Agrare që zbatohej në këtë kohë, po kush do ta punonte?! Hasimes do t’i duhej të merrej me të vegjëlit. Edhe këshilli popullor i fshatit s’e kishte të lehtë të ndihmonte. Sos ishin pesë a dhjetë familje që duheshin ndihmuar. Ishte më shumë se gjysma e fshatit! Se vendi sapo pat dalë nga lufta.
– Edhe pse kanë kaluar aq shumë dekada nga ajo kohë, – tregon Tomorri, – unë kujtoj dhe nuk do të harroj kurrë humanizmin e familjeve myzeqare të Themi e të Mit Mihalit. Ç’kishin, me ne e ndanin. Bukë e dhallë.
Dhe Tomorri nis e tregon nga ç’i kish treguar e ëma: Gratë e familjeve Mihali nuk i ndanin fëmijët e tyre nga ne të vegjlit e mbetur jetim. Kuptohet, vepronin kështu, sepse nuk e kishin pasur të lehtë t’i shikonin të vegjlit e jabanxheshës me lot në sy. Qenë treguar miq të vërtetë. Miku i mirë herën e parë të shikon lotët, herën e dytë t’i fshin, ndërsa herën e tretë nuk të le të qash.
Edhe pse pa të afërm në Bubullimë, njerëz pa njerëz, të gjithë fshatarët vendas e respektonin familjen Shasho. E respektonin, sepse Brahimi – babaj i Tomorrit, kish pas qënë me armën krahut në Luftën e Vlorës. Ca më vonë, duke qënë luftëtar kundër çdo padrejtësie shoqërore të kohës, u bë pjesëmarrës aktiv në Kryengritjen e Fierit. Mbas dështimit të saj, si mjaft të tjerë u përndoq. Madje ndaj tij u bë gjyq dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, teksa ishte punonjës i policisë së Bashkisë në Lushnjë, kish krijuar lidhje me forcat çlirimtare dhe, në fshehtësi, kontribuonte në dobi të çlirimit të Atdheut.
Le të vazhdojmë me jetën e personazhit të shkrimit tonë:
Tomorr Shasho shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare e kreu në vendlindje, në Bubullimë.
– Na duhej të përballonim shumë vështirësi,- tregon Tomorri, – sepse,
ngrënë pa ngrënë mirë, na kërkohej të çanim rrugëve tërë baltë të fshatit për të shkuar në shkollë, ndërkohë që ishim të veshur e të mbathur keq.
Me mbarimin e shkollës shtatëvjeçare Tomorri vazhdoi studimet pedagogjike në Tiranë për t’u përgatitur mësues. Mbas tyre djaloshi kthehet në familje, i gatshëm për të ndihmuar familjen.
Sakaq edhe vëllaj – Fejziu, nisi t’i bëhet krah familjes, duke u futur në punë. Edhe motrat – Hajria, Dituria e Fadilja u nisën ndershëm në rrugën e mbarë të jetës.
Ndërkohë që shpresonte të emrohej mësues në Bubullimë apo në ndonjë fshat pranë saj, ndodhi ndryshe: Tomorri emrohet mësues në fshatin Hyzgjokaj, një fshat kodrinior, në skajin e kundërt të rrethit. Të shkosh atje ku të kanë caktuar, – i qe drejtuar e ëma. – Ti mësove shkollë jo thjesht t’i shërbesh vetes, por edhe shoqërisë. Dhe shoqëria atje dashka t’i shërbesh…
Fliste e ëma sikur të fliste i shoqi, i ndjeri Brahim. Donte qe të mos i ndahej rrugës që kish vazhduar i ati: ku kishte bërë pushka bamb atyre kohëve para çlirimit, atje qe parë Brahimi.
Periudha që shërbeu mësues në fshatin Hyzgjokaj i vlejti shumë për njohjen e jetës. Për njohjen e njerëzve. Për t’u bërë veprimtar shoqëror në shërbim të komunitetit. Nuk kishte shumë nevojë t’i bënin propagandë. Njëriu i zgjuar dëgjon një fjalë dhe kupton dy. Kupton dy dhe zbaton tre.
Teksa ishte përfshirë në magjinë e profesionit të mësimdhënësit e të edukatorit, thirret për të kryer shërbimin ushtarak. Dërgohet në një repart ushtarak diku në qytetin e Korçës.
Mbas dy vjetësh kthehet prej shërbimit ushtarak dhe emrohet mësues, por kësaj here në skajin tjetër të rrethit të Lushnjës: në Kryekuq. “Mos kërko të lëvizësh nga fshati ku të kanë caktuar, – i pat thënë sërish e ëma. – Atje kështë nevoja për mësues, atje të shkosh”. E dëgjoi me shumë respekt të ëmën. Ai e kuptonte, se fjala e ngrohtë e nënës vlen më shumë se njëqind këshilla mësuesish.
Pesë vjet do të shërbente me përkushtim të lartë në shkollën tetëvjeçare të Kryekuqit. Këtu edhe do të dashurohej e do të martohej me Serien, një mësuese e dalluar në dëtyrën që kryente.
Në shtator të vitit 1971 Tomorr Shasho shkoi me banim në Çorovodë. I pajisur me përvojë të mjaftueshme pedagogjike, caktohet të punojë Udhëheqës i Pionierëve të rrethit. Fëmijët, por jo vetëm këta, nga kjo kohë e në vazhdim do ta thërrisnin “udhëheqës”. Kështu, në Shtëpinë e pionierit, në shkolla e në rrugë. Madje, edhe sot e kësaj dite, kur vjen fjala për të folur për Tomorrin, menjëherë do të dëgjosh të të thonë: bëni fjalë për udhëheqësin? Dhe, e shqiptuar kështu , kjo fjalë ta orienton mendimin pikërisht te Tomorri.
– Tomorri ka qënë intelektual i njohur në Çorovodë, – tregon publicisti i mirënjohur, Bashkim Koçi. – Në festat e ndryshme lokale e kombëtare do të dëgjoje këngë e recitime të bukura të pionierëve. Janë “fëmijët e Tomorrit”, do të dëgjoje të të thoshnin. Dhe ti kuptoje, se ishin fëmijët e Shtëpisë së pionierit.
Gazetari tjetër skraparli, Zylyftar Hoxha, duke folur për Tomorrin, shton:
– Në qoftë se ne të tjerët do të punonim tetë a pak më shumë orë në ditë, Tomrrit do t’i duhej të merrej tërë ditën me fëmijët e qytetit. Sepse paradite do të ishte nëpër shkolla, ndërsa thuajse çdo pasdite do të ishte në rrethet e ndryshme jashtëshkollore.
Historiani Jovan Jano, babaj i të cilit – Llaqi, qe kujdesur për familjen e Tomorrit, shprehet:
– Njerëzit edhe mund ta kalojnë oqeanin pa i lagur këmbët, por nuk mund ta kalojnë tërë jetën pa i lagur një herë sytë. Tomorri pati një fëmijëri të vështirë, por, falë aftësive të veta, mundi të ngrihet në lartësinë e intelektualit.
Kur i doli llotaria për të shkuar me banim në Amerikë, Tomorri ndihej i dyzuar. Donte ta vazhdonte jetën në atdheun e tij, por … nuk mund të mos merte parasysh dëshirën e fëmijëve të vetë. Amerika mbetet një ëndërr e ndezur për çdo shqiptar.
– Po bëj afro pesëmbëdhjetë vite këtu në Boston, – na thotë Tomorri, – por, përse të të mos jua them: qendroj si mbi një urë që lidhë brigjet e Amerikës me ato të Shqipërisë. Jam mbi këtë urë dhe shikoj pa ndërprerë në të dy krahët: pjesëtarët e familjes në Amerikë, miqtë dhe shokët e mi në Shqipëri, në Skrapar e në Myzeqe.
Bashkëshortja e Tomorrit – Seria, një ish mësuese e talentuar, tashmë u gëzohet fëmijëve, nipave e mbesave të saja. Djali – Arbeni, mbas mbarimit të fakultetit të inxhinierisë mekanike në Tiranë, doktoraturën e siguroi në Japoni. Ndërsa vajza – Blerina, ka mbaruar për mjeke në Amerikë, e specializuar për sëmundjet e zemrës.
– Unë? Unë tërë ditën lexoj. Lexoj shtypin amerikan, shtypin shqiptar këtu në Amerikë, por nuk le pa mësuar edhe gjithçka që ndodh në Shqipëri, përmes mjeteve televizive dhe shtypit të përditshëm, – na thotë Tomorri. – Aktivizohem rregullisht edhe në shoqatat shqiptare.
Koha i ka ndryshuar fytyrën, Tomorrit, por kurrësesi shpirtin. Dhe përsëri më vjen ndërmënd një thënie e artë e Platonit: Vlerën e dashurisë së vërtetë e ruajnë njerëzit e varfër, sepse të pasurit kanë rast ta blejnë me para.