Portreti/intervista

Begzad dhe Myrvete Baliu: Aristidh Kola dhe kulti i heroit

Aristidh Kola dhe kulti i heroit
Në fund të Javës së kulturës arvanite, pamë edhe një film dokumentar për njërin prej figurave emblematike të rilindjes shpirtërore arvanitase të kohës sonë. Ishte fjala për avokatin dhe dijetarin e përma¬save kulturore europiane Aristidh Kolën, jo pse kishte studiuar në Francë, por pse në Greqi, mes arvanitasve kishte sjellë frymën europiane të lirisë së fjalës dhe të mendimit, kishte sjellë frymën e njohjes së vlerave etnokulturore të grupeve etnike.
Thonë se në Ballkan nuk ka legjendë ku nuk gjendet së paku një hero. Në të vërtetë në Ballkan zor të merret një iniciativë sado e vogël pa kultin e heroit, kryesisht viktimë. Këtë fat, në kohën e re, e patën edhe arvanitasit. Avokati Aristidh Kola, që la profesionin e tij për t’iu përkushtuar zgjimit kombëtar, për të dhënë kontributin e tij për çështjen e Kosovës dhe më në fund për të kundërshtuar konceptet nacional-shovini¬ste të politikës së Beogradit, që gjithnjë e më shumë po bëheshin edhe koncepte të qarqeve të caktuara greke, papritmas vdiq ‘nga një sëmundje e pashërueshme’(!). Ndonëse nuk thuhej në film, lajmi për helmimin e tij nga qarqet zyrtare greke, pikërisht ashtu sikur u helmua Papa Kristo Negovani në fillim të shekullit XX, tashmë është dhënë disa herë. Për arvanitët Nëna Terezë dhe Aristidh Kola janë dy heronj të përjetshëm – pëshpëritnin të pranishmit me lot në sy! ‘Ne e dimë se edhe ju keni shumë respekt për Nënën Tereze, por mund të themi se ai që është Adem Jashari për Ju në Kosovë, për Ne në Greqi është Aristidh Kola.’
Sigurisht kjo ishte arsyeja pse Aristidh Kola të nesërmen u shpall qytetar nderi i komunës së Skënderajt, asaj komune ku lindi dhe u bë vetë historia, heroi legjendar Adem Jashari.
Kosova: miti i Besës së Re
Kosova edhe njëherë u bë vendi i një marrëveshjeje historike. Në njërën prej tryezave shkencore, dy pjesët e ndara (arvanitët e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë) u morën vesh që tash e tutje do të kenë një emër (etnonim) të përbashkët: Arbëror! Emër, me të cilin ata do të identifikojnë gjakun dhe gjuhën e pashuar të shpirtit të arbrit dhe lidhjen e tyre të përhershme me trungun amë.
Mirëpo, krahas identifikimit të tyre me atë që janë: relikt etnik i popullit shqiptar, ata ngritën edhe mitin e ri. Pasi deklaruan se Shqipëria për më së njëqind vjet nuk arriti të bëhet shenjë mbrojtëse e gjakut të saj të shprishur në Greqi dhe Itali, këtë mision tash e tutje do ta ketë Kosova. Besimi i tyre për Kosovën, si referencë e unitet kombëtar, tashmë konsiderohej i kryer me aktin e parë të këtij organizimi. Tash e tutje, Kosova nuk do të jetë vetëm toka e dhimbjes kombëtare, por edhe e krenarisë dhe unitetit kombëtar, nënku¬pto¬hej nga diskutuesit.
Kosova, një vend kryqëzimi i miteve ballkanike, kësaj here fitoi edhe një dimension të ri historik.
A do të bëhet tash e tutje Kosova miti i Besës së Re!
Epilog
“- Por kjo nuk është shqiptare, kjo është greke, – thashë unë. Tash më kujtohet se e kam lexuar para shumë vjetësh.
– Po, – tha plaku me ironi, – është këngë greke, aq sa është grek edhe Leka i Madh.
(…)
– Gjërat që ju tregova i kanë ndodhur një shqiptari të bajrakut të Malit të Sharrit, – tha plaku. – Këtë këngë e kanë kënduar malësorët që nga ditët kur ka ndodhur e deri në ditët e babait tim. Grekët kanë qenë njerëz të vegjël, kureshtarë, që loznin me letër dhe me shkrola, që kur ia behën në brigjet tona me barka, shumë moti, qindra e qindra vjet para se të vinin romakët. Ne u dhamë strehë, i lamë të vinin në brigjet tona dhe ata janë mysafirë që vjedhin mikpritësin. Ata kanë vrarë popullin tonë; ata kanë marrë Janinën. Le të na i lënë këngët dhe mbretërit tanë të qetë. Grek!, – tha ai duke mërmëritur. Së shpejti do të na e kërkojnë edhe Malin e Shoshit!” (Rose Wilder Lane, Majat e Shalës, 1923, f.138-139)

Postimet e fundit !