Kush e ndikoi formulimin e tekstit të Gjykatës kushtetuese? Formulim vendor, kërkesë e miratim ndërkombëtar!
E shkuara, sikur është në zakonin e gjërave, e dimë se ndikon të tashmen e të ardhmen, por që t’i ndikoj kaq me fanatizëm nuk është pritur nga ne.
Partitë tona të boshtit pushtetbërës të dy dekadave që lamë pas, PDK-LDK, janë kujdesur në vazhdimësi të përfitojnë në rrugën e “mirëkuptimit” ndërkombëtar edhe me mbajtjen gogol para tyre të Vetvendosjes dhe konstantës së saj, Albin Kurtit. Hapja e këtij shtegu ka bërë që LVV ta lakmoj e konsumoj terrenin e lënë hapur për ta rritur veten.
Kjo bëri, që viteve të shkuara populizmi i ngritur mbi kauzën e bashkimit kombëtar, të ruajtjes së tërësisë territoriale dhe të ndryshimit esencial për mirëqenien shoqërore, ta rris mbështetjen me premisa përmbysjeje. Përmbysja që akoma nuk ndodhi po tentohet të ngulfatet para se të maturohet për të ndodhur. Ky gabim po tentohet të bëhet duke ia pamundësuar etablimin në qeverisje Albin Kurtit, si pikënxitje, dhe Vetvendosjes, si qëllim. Ky tentim që po vjen nga qarqe të brendshme e të jashtme mund të na rezervoj një pështjellim disa vjeçar të sjelljes sonë në kotësi!
Përdorja e të gjitha mjeteve për të depërtuar në skenën politike ka bërë që LVV të shihet me një sy jo vetëm kritik, por edhe mospranues. Faktori ndërkombëtar, në të sotmën tonë politike, pas prishjes së ekuilibrave me gjykatën speciale dhe ndërrimit të gjeneratave që e pret LDK-në, sikur ka mbetur rregullatori i vetëm i përballimit të ardhjes së rrëmbyeshme në skenë të Vetvendosjes.
Kjo tendencë-përballimi nga faktori ndërkombëtar, i ardhjes së rrëmbyeshme të Vetvendosjes në pushtet, e bënë ndryshimin një lindje të vështirë, e cila edhe mund të shtyhet në degradim të vet kuptimit ardhje, por që koston e saj domosdo do ta paguanim ne vendorët. Kinse symbyllja ndërkombëtare për fshehje të dorës, në sinkron me dorën vendore, bëjnë bashkimin veprues dhe sinkronin qëllimor.
Është e natyrshme, që një force politike, të veshur me shumë populizëm, sikur është Vetvendosja, tek e cila parimet bien për secilin ves apo ego të re të liderit, t’i druajnë kujdestarët ndërkombëtarë (të cilët nxiten jo pak nga hileqarët vendorë).
Prishja e raporteve të LVV-së me “ndërkombëtarët”, përmes sjelljes në shkelje rendi a dinjiteti të përfaqësimit të personelit ndërkombëtar, dhe performimi nëpër axhenda e për synime nxitëse në anën e kundërt të interesit të të huajve dhe politikëbërjes sonë servile të brendshme, ka ndërtuar barriera, ndoshta edhe të pakalueshme për Vetvendosjen. Asaj sot i kërkohet vetpërmbajtje më pak se tjetërsim të tërësishëm, dhe kjo kërkesë e vetëkuptuar nga ajo, herën e shkuar, kur ajo pushtetoi, ka prodhuar deformim skajor me orvatjen e saj për të vënë linja proevropiane dhe mënjanim të faktorit Amerikë.
Kjo ka ngjallur politikat e veshëve të prerë!
Arsyeja e munguar në veprimet e pamatura të krejt pak rasteve dhe trumbetimi i tjerëve në emër të militantizmit për të, ka shtyrë kupolën drejtuese të LVV-së ta humb radhën e gjërave dhe të kënaqet me performim deri edhe banal të tipit “Gjykata ta dëgjoj popullin”, sikur kërkoi lideri i saj.
Përplasja në KQZ dhe shtyrja e interesave partiake nga përfaqësuesit përkatës edhe përtej “të shprehurës së Gjykatës Kushtetuese” ka bërë që opinioni të bashkëfutet në konspiracione për të gjetur të mundshmet e veprimit rendës të LVV-së. Dy rrugët që mund të marrin zhvillimet, të cilat kanë zënë kuluaret për fyti janë “Bojkoti” dhe “Protestat masive”.
Kujt po i duhet një lajthitje e tillë e LVV-së, përmes paraqitjes viktimë, pikërisht tani kur mbështetja elektorale ka krijuar jo vetëm qartësi për të parin e zgjedhjeve, por edhe për rreshtimin e qartë numerik rendës deri edhe me kastrim të skenës nga mundësitë kacavjerrëse të të vegjëlve?
LVV dhe tjerët duhet ta kuptojnë se qëllimet e këtij interferimi janë pikërisht politikat e veshëve të prerë.
Dëshmi e këtyre politikave të veshëve të prerë është dënimi kapital që i erdhi Vetëvendosjes pas pyetjes së shtruar nga ajo Gjykatës kushtetuese, pengimi i kreut të saj për të mos kandiduar, por edhe për mosmarrjen e një mandati të derivuar nga parlamenti.
Sado që kjo do ta ndezë malin e energjive kundërshtuese, të cilat mund të rrëshqasin edhe në protesta, do të ishte e udhës të kontrolloheshin verpimet në drejtim të kauzave prevaluese, sikur është ndyshimi i praktikës qeverisëse nga kjo aktualja, kapëse e zhvatëse në shtet ligjor dhe politika prosperuese.
Shtyrja e LVV-së që po tentohet në rrugë të gabueshme, nuk është më pak se faj institucional e plan ndërkombëtar me pasoja politike për vendin. Ndaj, të gjithë duhet të kenë kujdes të mos biem në greminë si shoqëri për fatin apo shkëlqimin e ndokujt nga ne!
Partitë mbështetëse për listat, në kornizim të kinse hallit që e ka gjetur LVV-në në KQZ, edhe pse ndodhen me probleme të ngjashme, lënë shije rreshtimi me të, për të hapur shtigjet e bashkëqeverisjes pas zgjedhjeve, meqë LVV është favoritja e paarritshme kësaj radhe. Kjo po e vështirëson vënjen e standardit.
Përdorja e KQZ-së nga qendra të ndryshme të interesit, herë përmes gjykatës supreme herë përmes asaj kushtetuese e në të shumtën nga asnjëra duke e lënë të heq gjithë barrierat në interes të përfshirjes së atyre që mund të përdoren, ka lënë të kuptojmë se mbi të kanë qëndruar gjithnjë duar të fuqishme.
Përtej asaj që ka pllakosur KQZ-në, është e çuditshme se si Gjykata kushtetuese nuk e ka pasur ndjeshmërinë e rrezikut të çuarjes së vendit në dy palë zgjedhje të njëpasnjëshme sikur mund të na ndodhë kësaj radhe, meqë LVV mund t’i djeg afatet me moskandidimin e kryetarit të parlamentit pët të kapur shtatorin kur kandidatit të saj për kryeministër, z.Kurti do t’i kaloj afati tre vjeçar. Kur kësaj ia shtojmë edhe konsensusin që do të kërkohet për kryetarin e shtetit do të kuptojmë se ne vërtetë jemi në një gjendje nga ku mund të prodhojmë cikël mosmarrëveshjesh.
Shkuarja në protesta do ta dëmtonte ardhjen në pushtet të Vetvendosjes. Një zhvillim i tillë do t’i bënte subjektet që mëtojnë pushtetin me LVV-në e që nuk e kanë peshën specifike që garanton ndryshimin t’i bashkoheshin asaj në protestë për t’i përafruar pozicionet me të përmes një kauze. Edhe bojkoti është drejtimi i kundërt me erën. Ata që po provojnë ta dërgojnë LVV-në në drejtime të tilla herët a vonë do ta kuptojnë se kanë gabuar me bërjet apo mosbërjet e tyre. Kosova ka nevojë për pushtetkonfirmim apo rrrotacion të bazuar në realitete elektorale. Vetëm atëherë ne do jemi partner të besueshëm, po aq sa do të jetë edhe pushtetardhja drejtuese e devotshme.
Kahdo që të shkojmë e çfarëdo që të provojmë, politikat e veshëve të prerë nuk do mbarojnë nëse skena jonë politike nuk e gjen konsensusin për temat e mëdha.
Politikat e veshëve të prerë kundrejt LVV-së sot po e godasin Kosovën përmes KQZ-së. Kjo gjetje ligjore ishte aty gjithnjë, por nuk përdorej, sepse politikëbërjes sonë dhe kujdestarëve ndërkombëtarë ua donte matematika. Kësaj radhe kanë ndryshuar gjërat dhe leximi përmes gërshërëve të veshprerjes mund të merr shumë kohë, pse jo edhe shumë koka politike!
Mospërfillja e procedurave do ta linte LVV-në dhe tjerët jashtë garës elektorale. Me një zhvillim të tillë do të goditeshin të gjitha mundësitë. Kthim i tanishëm në garën PDK-LDK pa tjerët do të ishte një përshkallëzim i keqqeverisjes dhe një besim i vrarë që do qonte më thellë në zhgënjim.
Zgjedhjet për aq sa janë afër në kohë, janë edhe të gatshme të na japin të vetmen zgjidhje që Kosova mund ta ketë në duar: pushteti përmes votës elektorale! A do ta kuptojnë këtë kupola e Vetvendosjes mbetet të shihet!