Blerim Muriqi: “Fotografia” e LDK -së, e PDK -së, e LVV -së dhe e kryetarëve të tyre në këto zgjedhje
ABDULLAH HOTI ANEMIK
Që kur LDK-në e ka pllakosur plakja e Isa Mustafës (kreut të saj burimor), drejtimi me bedel dhe mbajtja e partisë në paradhomën e fundit të karrierës së kreut, janë bërë kalingalet mbi të cilat po taharetet me rahati shoku Isë, akademiku me tri faqe shkrim, i njohur edhe si komunisti i vetëm jugosllav akoma në skenën politike e publike!!
Klanet e gatshme për ta shqyer prenë që jep drejtimi i partisë i ka bërë të gjithë të rrinë në pritjen e çastit. Por, ora që nuk po vie, ka filluar ta bjerrë partinë nga të paqëndrueshmit si puna e Vjosa Osmanit. Edhe Lutfi Haziri ka filluar të jetë ndryshe. Ai e ka humbur qetësinë që e ka karakterizuar në këto dy dekada. Ndoshta akti i fundit po i duket zgjatje e tunelit përtej parashikueshmërisë. Të duruarit të fituarit – ka thënë populli. Po cilët janë të duruarit? Agim Veliu dhe Haki Rugova janë durime – ndryshe ndryshe. Derisa Agimi pret epilogun Hakiut i duhet të pres. Pra, ata dallojnë si vezët në tregun e Gjakovës, kur Hebraiku erdhi të bëjë pazarin. Jo për kokërr – i thanë lum zotnia, ka ve të mëdha, më të vogla dhe shumë të vogla, e madhja trefishin e çmimit!
Isa Mustafa matë e ç’matë dhe ia ka gjetur dyzenin e Nastradinit partisë. Ajo në traditën e saj të moszhbërjes, si puna e moluseve të familjes Helix, është kujdesur që herët ta ndërtoj mburojën e saj, ku komunikimit me botën i ka lënë portën nga ku del dhe kthehet brenda shtëpisë.
Sa herë që LDK ka qenë në vështirësi të zhvillimeve të jashtme apo të brendshme, ia ka dalur të menaxhoj gjithçka që ka të bëjë me tejkalimin.
Përzgjedhja e Abdullah Hotit nuk është e rastit as e sotme. Ajo ka ardhur bashkë me Isa Mustafën. Lufta brenda llojit, e cila nxori jashtë loje jo vetëm Fatmir Sejdiun me deklasim, por edhe Eqrem Kryeziun me gjithë shtrirjen e të tillëve përmes injorimit deri në harresë, nxori në skenë përdorjen e re. Të rinjtë që me ëndrrën e pulës panë rastin brenda strukturave si puna e Arben Gashit, Haraqisë, Vjosa Osmanit etj, paguan luhajtet e tyre. Bileta e kthimit ishte heshtja dhe pranimi i faktit deri në familjarizimin e ri me strukturat për të përfaqësuar. Brishtësia e të tillëve si autoritet përfaqësimi, apo më mirë thënë mashtrimi kinse përfaqësojnë u pa më së miri me fatin e Vjosa Osmanit, të cilës iu rezervua një djegie për së gjalli në politikën tonë. Kjo përpëlitje në shtratin e zjarrit ku e kanë vënë, asaj do t’i dhuroj shumë peripeci. Fati i znj.Tahiri, z.Daci, z.Limaj, z. Ahmeti, z. Pollo, Shehu, Imami, Topi, Blushi etj. duhet konsideruar seriozisht nga znj. Osmani, pasi ajo çdo ditë e më tepër do të bëhet barrë në qafën politike të Albin Kurtit.
Të tjerët e tërhequr nga përballja me Isa Mustafën do ta paguajnë çmimin që paguan grupimi, i cili u hodh të shkëputej nga PDK me rastin e daljes së Jakup Krasniqit me Fatmir Limajn, të cilët i prapaktheu në përmbajtje gabimi i Jakup Krasniqit me përngutjen e vënjes për të parë z.Limaj. E gjithë trupa që ishte bërë gati të shkëputej, prapaktheu me përmbajtje, në arsyen se “Fatmir për Fatmir po rrimë me Hashimin”, thanë. Për këtë ata paguan me strukjen, nga ku asnjëherë nuk ia dolën të dilnin në pah të bërjes së politikave. Ata sot “shkojnë si muça pas daive”, ku “daitë” janë Hoxhët, Memlat, Hamzat e Ismailët.
Sikur dje ndodhi me PDK-në në proces të njëjtë, sot po ndodhë me LDK-në. Hotët, Bajramët, Shalët e Zemët do të jenë përmbytja e tjerëve. Kushdo që të largohet nga ambienti i përmbytur nuk do të ketë rast më të bëjë prapakthimin. Përmbajtja e të gjithëve në LDK kush për ta shëruar veten e kush për ta pritur radhën është sikur pritja e plakur për të dhënë shpirt. Isa Mustafa edhe pse në fundin e tij të shekullit politik po ia del ta menaxhoj mirë drejtimin e partisë. Drejtimi përmes Abdullah Hotit anemik, i lë të gjithë me shpresë se mund ta shqyejnë prenë që mund të mbetet në duart e pafusqishme të tij, për çka rrinë e presin, ku me fatkeqësinë e tyre prodhojnë paqen partiake.
Parazgjedhjet me rezultatet e tyre të manipuluara nëpër eximpolle të porositura, kanë bërë që pikërisht në javën e fundit parazgjedhore të fryej erë e ngrohtë për LDK-në. Rënia e paraqitur gati skandaloze në kinse matjet e Baton Haxhiut, të javës që shkoi, u luajt për mobilizim ngritjeje morali organizativ sikur u bë pas lufte me vrasjet politike. Në këtë angazhim të të gjithëve si ata, nuk u ngurua mbrëmë të jepej trendi rritës e shumë premtues te matjet e Fisnik Halimit dhe institutit PIPOS. Kjo lojë kinse matjesh domosdo se do ketë ndikim në sjelljen e votuesve. Dhe për aq sa rezultati mund të del më mirë nga humnera që paraqiti Baton Haxhiu, do të mjaftoj argumenti për kohezionin e brendshëm dhe çekan mbi kokat që mund të kërkojnë përgjegjësi nga kupola drejtuese. Sot më e lehtë është dalja nga LDK-ja (edhe pse shumë nga të zhgënjyerit i kanë shërbyer për tri dekada), se sa të hapet debat i brendshëm apo, mos o zot, të guxoj kush të kërkoj përgjegjësi nga kreu.
Anemia e Abdullah Hotit si çelësi i gjetur i Isa Mustafës hë për hë po funksionon po aq sa ka funksionuar në gjithë këto vite, të cilat po t’i lexojmë nga ndodhitë e brendshme të LDK-së, partia është pastruar nga e gjithë garda e vjetër me përjashtim të atyre që do të bien bashkë me kreun e saj, Isa Mustafën. Në rënien e kokave që pritet (jo për përgjegjësinë, por për lodhjen e vet partisë) anemia e Abdullah Hotit mund të bëhet mollë sherri në mos ia daltë të bëhet fazë tranzicioni.
A është anemia fazë e mirë tranzicioni në rrethanën e sotme LDK?
DELIRI I HOXHAJT NUK MJAFTON PËR PETKUN E PDK-së
Fushatën e PDK-së, sikur e ka pushtuar Enver Hoxhaj. Të mësuar t’i shërbejnë njëshit dhe të mjaftuar që njëshi të performoj për të gjithë, ka bërë që të jenë vetmekur të gjithë zërat tjerë të partisë, për çka duket se askush nuk po ia del të shpërthej përtej oxhaqeve lokale. Ky rreshtim performues nuk është se na bindë për disiplinë perfekte, të gjetur diku palëve të partisë në pardesynë, që shefat ia veshën nga nevoja Hoxhajt! Grupet e interesit sado të sillen padronë në prapaskenë, ata do përfundojnë në puthadorë të Hoxhajt, por a mjafton kjo për strukturën kapilare të partisë, e cila sikur po lufton edhe po tregon se e ka me gjithë mend ta mbajë ruajtjen e masës mbështetëse për partinë!
Deliri i treguar nëpër studiot televizive të të parit UD të PDK-së, Hoxhajt, ngjason me rekomandimin e tij për të garuar për të parin e Suharekës në zgjedhjet lokale të një viti jo dhe aq të largët, kur ai edhe flitet se e sabotoi vet fitoren e tij, për të mos mbetur lojtar i periferisë. Aspirimi i tij për të qenë lojtar i qendrës edhe ia solli mundësinë UD kryetar partie, nga e cila pozitë edhe mund të vendoset shefi real i saj duke mbetur gjatë i përkohshëm.
Potenciali i energjive që u përdor për ta mbrojtur atë nga sulmet e jashtme të Limajt edhe pse nuk mjaftuan ta rehabilitonin në syrin qytetar, të paktën ai realizoi një fitore në planin e brendshëm në PDK-së. Hoxhaj tani edhe vet beson dhe besohet nga të shumtë në parti se ai vërtetë ishte shoku i Thaqit!? Tjerët që nuk folën kësaj radhe, nuk do flasin kurrë më, me përjashtim të ndonjë keqrreshtimi në momentin e përplasjeve që do vinë kur të zgjidhet pasuesi i z.Veseli. Deri atëherë z.Hoxhaj do ta ketë kohën e artë për ta konsoliduar veten në të domosdoshmin e strukturës dhe mbi rrezikun e rrjedhjes së elektoratit nëse nuk konfirmohet në vazhdimësi.
Me ardhjen e BEDELIT: Hoxhajt, Krasniqit dhe Ismailit, në drejtim strukture dhe ruajtja e kuotës elektorale apo eventualisht rritja sado e vogël e saj do ta betonoj këtë treshe përfundimisht si fillimin e ri në PDK.
A është ky fundi i një klase, e cila e formoi dhe e solli deri këtu PDK-në? Këtë do ta shohim në vitet në vazhdim. Ato që dimë është se lirimi nga kjo klasë u intereson edhe kombëtarëve hilexhinj po aq sa ndërkombëtarëve shtytës. E keqja është se edhe një pjesë e madhe e popullit tonë mendojnë se ata duhet gjykuar si grup për fajin e disa kokrrave me histori të së shkuarës, të cilët vërtetë janë meritorë për gjithçka të padrejtë që u vihet në shpinë ish luftës dhe bartësve të saj.
Por sikur thotë populli: loja nuk mbaron këtu! Petku i Hoxhajt nuk mjafton për PDK-në. Ajo pas zgjedhjeve të 14 shkurtit do duhet të lëshohet në përplasje politike. Pra ajo nuk mund të mbetet në stadin e tashëm ku vetëm po performon politikbërje me sfondin e së djeshmes dhe delirin personal të UD kryetarit. Ndezja e motorëve kërkon një stakim prej oratori, dhe ai orator nuk mund të del nga kuotat akademike të petullave, sikur ecën mbi vezë z.Hoxhaj. Politika vërtetë fiton e humbet nga forca e argumentave që përfaqëson, por këta argumenta për t’u krijuar do shumë luftë. Atje ku ndahen shapi me sheqerin ka shumë zhvillime e shumë goditje, shumë presion e shumë rezistencë. Goditjet shpesh herë në politikë duhet të përdoren të ulta. Hoxhaj nuk është se nuk do t’i përdorte ato me ëndje, por nuk ia mbulon karizma e tij. Identiteti i tij, të cilin e ka ndërtuar në këto vite politikbërje dhe ia mohon një mundësi të tillë!
Irritimi që ai po e imponon, me thuase “njohjet kinse të tij në Evropë e gjetkë deri te Biden në Amerikë”, po bëkan për Kosovën në respekt të tij, se përndryshe do na hante dreqi ne dhe Kosovën. Kjo fyerje e nënkuptuar nga deliri i tij shprehur studiove televizive na godet të gjithëve me injorancën e saj, por vetëm anëtarët e PDK-së mund ta kapitalizojnë shpagimin edhe për ne qytetarët tjerë. Andaj petku i Hoxhajt nuk i bie PDK-së!
Fodullëku i Hoxhajt nuk do t’i shkonte askujt me mend në kokë e aq më pak ndokujt që mendon të drejtoj një ditë një forcë politike sikur është synimi i tij. Ai nga petku i kujdestarit në detyrë po provon të kthehet në grabitësin e detyrës nga kujdestaria përmes imponimit të faktit të kryer. Vala e re e goditjeve nga gjykata speciale edhe mund të krijoj një mashtrim optik se kjo është tamam koha e tij, por kështu nuk do të mendoj shpirti kryengritës i hapësirës dhe kohës.
PDK ka nevojë për ndryshim gjenerate, por nuk mund të quhet ndryshim kur për drejtues tentohet t’i imponohet përfituesi i lënë kujdestar dhe me mendësi servili, i mësuar në zanatin e të dëgjueshmit. Të tillët nuk ia dalin më kurrë ta tejkalojnë veten e zakonit të nënshtrimit. Tronditja që i ka ardhur nga specialja PDK-së, është dashur ta shtynte atë deri në përlindje të një fryme të re brenda vetes si nevojë edhe për ndryshim gjenerate. Brenda atij brumi, PDK mund ta prodhoj strukturën e re drejtuese dhe bashkë me të identitetin e sforcuar të oponencës ndaj tjerëve të skenës sonë politike!
KOSTOJA E SJELLJES
Në këto kohë kaq të pazakonta, kur politika po e përdorë kaq harbutërisht hallin qytetar kudo në fushatën e tyre për turmë, po aq sa edhe për mjerim fati të nëpërkëmbur. Sot kur akoma dënohen qytetarët për maskë kudo rrugëve të Kosovës, edhe kur janë për shëtitje e të vetëm në natyrë, partitë po mbledhin qindra e mijëra nëpër sheshe e salla, pa maska e pa distancë sociale. Pandemia me masat e imponuara, tash një vit, e ka goditur ekonominë dhe gjithë jetën publike të vendit. Gjithë këtë sakrificë një vjeçare të shoqërisë sonë po e shkërdhejnë partitë në pak ditë fushatë.
Nga kjo papërgjegjësi e të tillë liderëve dhe kandidatëve për kuvend çfarë duhet të presim?
Jo më pak se mendësi të sëmurë, jo më pak se moskokëçarje përtej interesit për ta kapur pushtetin, jo më pak se çfarë mund t’i ndodhë një populli që rrokulliset nga besimi në besim, kur besimi për ndryshim është hile më vete për çka është i tejngopur me shpresën e kapjes së mundësisë.
Populizmi që po ia del, nuk po ia del për meritën e tij politikbërëse, por po ia del për fajet e pafundme të atyre që i ka konsumuar shumë keq qeverisja se sa koha e gjatë në pushtet.
Fajtorë të përdorjes së turmave janë që nga NISMA, që këtë po e bënë më së shpeshti për shkak të hallit që e ka gjetur, rrezikut të mos kalimit të pragut. Po aq dhe më shumë në masë është AAK-ja, e cila edhe përkundër që ka shumë komuna në drejtim dhe do duhej të kishte përgjegjësi për qytetarët, për faktin e drejtimit në pushtetin lokal të tyre, për çka edhe nuk po e çanë kokën fare edhe përkundër asaj që ajo tashmë është rreshtuar në paqen me tjerët, për faktin se garon për kryetarin e vendit në zgjedhje parlamentare. Absurd më vete, por fakt elektoral. PDK dhe LDK ua kanë mësyrë degëve dhe nëndegëve të veta për ta mbajtur të pa lëvizur votën partiake dhe ato të dyja bashkë janë po aq e për një nuancë edhe më shumë se sa LVV të zhytur në këtë mëkat. Mëkati i PDK-së dhe LDK-së shkon edhe përtej turmave të përdorura. Ata po ia rezervojnë LVV-së një geto nga ku ajo do të na dërgoj në zgjedhje të reja me mundësi spiraleje të paparashikueshme të mosqëndrueshmërisë politike të vendit. Mohimi i pushtetit për Vetëvendojen do të thotë protesta deri në rritje totale të mbështetjes për të. Në mos rritje të paktën paralizim të vendit. Ky paralizim që mund t’i vijë vendit në kohë kur të gjitha institucionet e tij nga kryetarja e deri te drejtori i policisë janë me UD drejtues do të ishte gabimi më fatal që mund të ndodhë. Cikli i ngjarjeve në vend që të mobilizoj ai më shumë do të zhgënjej dhe do e zbrazë vendin. Mu për këtë koha kërkon nga partitë që drejtuan vendin në këto dy dekada të jenë të paktën në krye të përgjegjësisë për shtetin dhe ta ndihmojnë, apo më mirë thënë ta lehtësojnë ardhjen e LVV-së në pushtet, duke e plotësuar atë me gatishmëri bashkëpunimi dhe oponencë konstruktive. Vetëvendosja ka nevojë të ndihmohet për t’u lëshuar me këmbë në tokë. Ajo nuk do të dijë ta bëjë këtë vetë dhe pa ardhur të paktën një gjysmë mandati. Përballja me detyrat e shtëpisë që shtrohen kur pushtetohet e maturon këdo kryekcyem që mund të vijë në pushtet.
Përtej dëshirës së mirë për t’i lëshuar gjërat në tokë para se t’i marrë era, nuk mund të mos shohim atë që po ndodhë dhe të mos e vëmë gishtin në plagën që po hapet. Ajo nuk është hataja që mund të na ndodhë. Por, çoroditja që e ka kapluar LVV-në është e denjë për një Servantes të ri. Don Kishoti i tij, ka Sanço Pançon, ka Mullinjtë e Erës, ka kuaj e gomerë. Por, për fat të mirë ka edhe audiencë në shkallët e Rrathëve të Ferrit ku na kanë katandisur (tjerë para këtyre) dhe nuk tumiren mjaftueshëm sa për ta përdorur popullin.
Sikur rezulton, fajtori më masiv i mbledhjes së turmave këtyre ditëve është Vetëvendosja. Ajo po mbledhë nëpër sheshe shpërfaqjen e saj përmes një organizimi të nëndheshëm gati të pa hetueshëm. Të dëgjueshmit e nëndheshëm të partisë ngjajnë me rritën e SYRIZËS në Greqi, e cila përdallim nga LVV, erdhi më shpejt se sa këpurdhat pas shiut që shtoi në lot Greqinë Falimentimi i shtetit dhe rrita e “AGIMIT TË ARTË”.
Aktet e fundit të para ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes tingëllojnë po aq të ftohta sa edhe vitet e portokallta të Ukrainës. Vënja e shiritave të kuq, kudo rrugëve të qyteteve si pararendëse të marshutës sjellëse të fitimtarëve dhe marshimi në ballë të trumave mbështetëse nuk është më pak se një itrigim që zgjon kurreshtjen deri në frikë, për atë se kah po shkon Kosova? Injorimi total i mediave dhe heshtja partiake për të mos marrur obligime paraelektorale duke i lënë duart e lira vetes t’i vendos linjat vepruese pas ardhjes në pushtet, sepse u mjafton fitorja që po vjen, nuk është më pak se intriga e parë. Në situatë të tillë mbetet të presim politika goditëse sapo LVV të vijë në pushtet.
A do t’i mjaftoj koha LVV-së ta instaloj mendësinë e saj në pushtet? Mbetet të shohim. Por, ajo që dihet është se askush tjetër nuk e largon nga skena LVV-në për veç gabimeve të saj, të cilat ajo do të mund t’i bënte nga të qenit në pushtet. Andaj të gjithë do të fitojmë me ardhjen e saj në pushtet dhe nuk kemi pse përpiqemi ta pengojmë. Pushtetimi i saj i mirë, apo gabimet e trasha të saj, që të dyja do jenë fitore për ne. Greqia fitoi me Syrizën mësimin historik se euforia e një fryme pa adresë sikur vjen me të çarë kohe edhe ikën me të mbyllur të të çarës së kohës. Ukraina mësoi se përtej revolucionit të portokalltë, të kësaj tentative për të mbjellur mendësi, asaj i mbetën duart e mbushura me të gjitha problemet që gjeopolitika ia faturon padrejtësisht.
Nacinalsocializmi gjerman pati brishtësinë ndërkombëtare për aleat, nga i cili u mbulua deri sa mori pakthimin e pandalshëm. Syriza u përball me problemet e krijuara të të tjerëve dhe Greqia ishte aq e sëmurë sa nuk ia doli ta paguante faturën e mbijetesës politike. Revolucioni i portokalltë nuk kishte kuptuar se problemet Ukrainase ishin përtej instalimit të demokracisë dhe pluralizmit. Në të tre këta shembuj ka çfarë të mësoi LVV-ja jonë në ardhjen e saj në pushtet nëse nuk e vret ardhjen kryekcymjes së vet!
Albin Kurti mund të filloj ta ndryshoj këtë rrjedhë të gjërave, e cila jo pak po na intrigon të gjithëve, për çka ndoshta të enjten para zgjedhjeve ai do të duhej t’i shpjegonte opinionit dy pyetjet e mëdha: përse ai duhet të vijë në pushtet dhe çfarë ai do të sjellë në jetën tonë me pushtetbërjen e tij.
Kostoja e sjelljes është fatura e vetme që Vetëvendosja mund ta paguaj në këto ditë të mira për të dhe që mund të mjaftonte për t’ia mohuar pushtetimin!