Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXIV) – TEARCA – FSHATI KOMUNË I GROSHËS, I MALEVE TË LARTA DHE I FUSHAVE TË GJERA

TEARCA – FSHATI KOMUNË I GROSHËS, I MALEVE TË LARTA DHE I FUSHAVE TË GJERA
Tearca është një fshat i madh i tipit të grumbulluar në Pollogun e Poshtëm dhe në rrëzë të malit Sharr, në rrugën regjionale Tetovë – Ferizaj, 12 km larg nga Tetova. Fshati Tearcë ka rreth 800 shtëpi me 4000 banorë, ndërsa fshati Parcë, që nga viti 1971, nuk ka asnjë banor e Brezna kishte dy banorë, Varvara shtatë banorë, etj.
Në kohët antike Tearca dhe zona e saj banohej nga fisi ilir i penestëve, me qendër në Uskanë (Kërçovë) e në Oeneu (Tetovë). Në dokumente përmendet për herë të parë në shek. XV, me emrin Runishtë, ndërsa nën Bizantin është quajtur Teharce. Vendësit fshatin e tyre edhe sot e quajnë Tiharcë. Në fushën e Tearcës, në mesjetë, ndodhej një fshat, i quajtur Vorbicë (Vërbicë). Gjatë sundimit osman kjo zonë bënte pjesë në Vilajetin e Kosovës. Në vitin 1944 disa banorë janë masakruar në monopolin e Duhanit në Tetovë, kurse në vitin 1945 ushtria serbe ka pushkatuar në fshat shtatë banorë.
Pas mbarimit të luftës Tearca bëhet qendër komunale, që përfshinte një territor shumë më të gjerë, nga që e ka sot. Komuna e Tearcës ka zgjatur rreth 20 vjet, deri në vitin 1964, kur komunat nëpër fshatra ishin shuar. Në tetor të vitit 1996 Tearcës i kthehet statusi i komunës, por këtë herë me një territor më të ngushtë, nga që e kishte më parë.
Komuna e Tearcës është komunë shumetnike, ku jetojnë shqiptarët, maqedonasit, “turqit”, romët dhe serbët. Sipas regjistrimit të vitit 2002, shqiptarët përbënin rreth 85 për qind të popullsisë, maqedonasit 12 për qind, të deklaruarit si turq 2.3 për qind. Sipas regjistrimit të vitit 2006 komuna e Tearcës kishte rreth 23 mijë banorë.
Komunën e Tearcës e përbëjnë 13 fshatra me gjithsej 4100 shtëpi dhe 22 mijë banorë. Fshatrat e komunës së Tearcës, janë: Tearca, Brezna, Gllogja, Jelloshniku, Leshka, Nepreshteni, Nerashti, Odri, Përca, Përsheci, Sllatina dhe Varvara. Kjo komunë ka reliev fushor, kodrinor dhe malor. Territori përbëhet nga pyjet (28.6 për qind), ku është e përhapur edhe gështenja e butë, nga kullotat (34.3 për qind) dhe, në pjesën e rrafshët, nga toka bujqësore. Maja më e lartë në territorin e komunës është Çaushica me lartësi 2640 metra, ndërsa lartësi më të ulët ka fshati Nepreshten – 520 metra.
Komuna e Tearcës ka pozitë shumë të përshtatshme gjeografike. Është e pasur me toka të punës, me kullota, pyje… Si një komunë fshatare dhe bujqësore, Tearca njihet veçanërisht për prodhimin e groshës, si një kulturë tradicionale vendore dhe si një prodhimtari bujqësore me mundësi të mëdha të përfitimit. Duke qenë që grosha është kultura më e leverdishme bujqësore në komunë, e njohur si “grosha e Tetovës”, në Tearcë i është ngritur një përmendore e bukur dhe interesante.
Në malet e Sharrit, që i përkasin komunës së Tearcës, ndodhen disa liqene akullnajore dhe shumë burime të ujit. Nëpër fshatin dhe territorin e komunës së Tearcës rrjedhin disa lumenj të vegjël, që zbresin me rrëmbim nga lartësitë e maleve dhe bashkohen, në fushën e Pollogut, me lumin Vardar. Këta lumenj përdoren për ujitjen e tokave bujqësore dhe për peshkim, megjithëse kohëve të fundit, gjatë rrjedhjes së tyre nëpër vendbanime, ndoten nga ujërat e zeza dhe nga mbeturinat e shumta, duke i bërë ujërat e tyre të papërdorshëm për ujitje dhe për peshkim.
Edhe pse në komunën e Tearcës, nga ku e ka origjinën Qeni i Sharrit, ka pasuri të mëdha të ujit sipërfaqësor, si burime, lumenj e liqene, mirëpo banorët kanë probleme të mëdha me furnizim të ujit të pijes, si dhe me rrjetën e ujësjellësit. Pastaj, të gjitha fshatrat e komunës, duke përfshirë edhe qendrën komunale, nuk e kanë të ndërtuar rrjetin e kanalizimit. Kështu, uji i ndotur rrjedh aty këtu edhe nëpër oborre, rrugë, ara e kopshte. Komuna e Tearcës ende nuk e ka një deponi për grumbullimin e mbeturinave, ndaj mbetjet hidhen kudo, madje janë krijuar 11 deponi ilegale.
Në pamundësi të investimeve publike nga komuna, banorët e Tearcës dhe të fshatrave përreth janë organizuar dhe, me vetëkontribut, kryesisht të mërgimtarëve, kanë ndërtuar rrugë, parqe, ura, çezma për ujë të pijes, kanë ndriçuar fshatin, kanë mbjellë fidane etj.
Lëvizjet e popullsisë nga komuna e Tearcës janë mjaft të zhvilluara. Pos lëvizjes drejt qyteteve, janë të theksuara lëvizjet e popullsisë drejt shteteve evropiane, në Amerikë, Australi etj. Gjatë viteve 1954 – 1959 edhe në këtë zonë është zhvilluar procesi i dëbimit të shqiptarëve drejt Turqisë, që kishte për qëllim spastrimin etnik të trojeve tona.
Të theksojmë se në tërë komunën e Tearcës ka shtatë shkolla fillore dhe nuk ka asnjë shkollë të mesme, asnjë çerdhe për fëmijë, asnjë sallë sporti…
Në Tearcë mbahet festivali i këngëve e valleve burimore “Zana e Sharrit”, kurse mbahet edhe një manifestim tradicional, i vetmi dhe më interesanti në trojet tona, “Dita e Groshës”. Me atë rast përgatiten ushqime me groshë dhe gatime tjera tradicionale për qindra mysafirë, ndërsa festa përcillet me program të larmishëm artistik.
Komuna e Tearcës ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, sidomos për strehimin e të dëbuarve nga lufta dhe për furnizimin e Kosovës me armë e ushqime. Gjithashtu, komuna e Tearcës është përfshirë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, duke u bërë zonë e kontrolluar nga UÇK.
Për pasuritë e mëdha natyrore; fushat e gjera pjellore, pyjet e larta e të dendura, malet me maja të thepisura, komuna e Tearcës ka mundësi të mëdha për zhvillimin e bujqësisë, të pylltarisë, të turizmit malor, të gjuetisë, të peshkimit, të sporteve malore etj.