Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXVIII) – SKËNDERAJ – QYTETI KRYEQENDËR E DRENICËS HEROIKE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXVIII)
SKËNDERAJ – QYTETI KRYEQENDËR E DRENICËS HEROIKE
Skënderaj është qendër e komunës e 54 vendbanimeve dhe qyteti apo qendra më e madhe e krahinës së Drenicës. I gjendur në pjesën qendrore të Kosovës dhe në veriun e Drenicës, Skënderaj paraqet një nyje të rëndësishme rrugore, pasi lidhet drejtpërdrejt me Drenasin (18 km), Mitrovicën (23 km), Pejën (53 km), Klinën (26 km) dhe Vushtrrinë (25 km).
Territori i komunës së Skënderajt, është terren i butë kodrinor, është rrafshnaltë në lartësi mbidetare mesatare prej 600 metra, me majën më të lartë në malin e Qyqavicës – 1117 m. Nëpër Drenicë dhe nëpër qytetin e Skënderajt kalon lumi i vogël i Klinës, një lumë që përshkon komunën e Skënderajt dhe bashkohet me Drinin e Bardhë në afërsi të qytetit të Klinës, me gjatësi rreth 40 km.
Komuna e Skënderajt dhe tërë krahina e Drenicës ishte e banuar nga ilirët që nga kohët e lashta. Këtë e vërtetojnë lokaliteti arkeologjik i neolitit të hershëm në Runik, kështjella antike dhe mesjetare në Suriganë, “Gjyteti” në Tushilë etj.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1981 qyteti i Skënderajt kishte rreth 9400 banorë, ndërsa komuna e Skënderajt rreth 51 mijë banorë. Sot llogaritet që komuna e Skënderajt ka rreth 70 mijë banorë.
Mund të thuhet se komuna e Skënderajt ka qenë gjithmonë komuna më e varfër në Kosovë. Prandaj, ajo ka vuajtur nga papunësia dhe varfëria e lartë. Si regjion fshatar, popullsia tradicionalisht është marrë me bujqësi e blegtori. Një fabrikë e rëndësishme, ajo për prodhimin e municionit të gjuetisë, e ndërtuar viteve të fundit të sistemit monist, është jashtë përdorimit. Pasuria më e madhe nëntokësore është thëngjilli, me rezerva prej rreth 7 milionë tonë, që gjenden në fshatrat Prekaz e Polac, por që ende nuk ka filluar shfrytëzimi institucional i tij. Krahina e Drenicës ka edhe plumb e zink dhe xehe të nikelit, që deri tash janë të pa hulumtuara e të pashfrytëzuara.
Deri në shek. XX në Drenicë nuk kishte as qytet dhe as qendër administrative. Përpjekjen e parë për ta bërë një qendër administrative në Drenicë e kishte Perandoria Osmane në vitin 1891, me qëllim për ta forcuar pushtetin e saj në këtë krahinë kryengritëse. Ajo kishte filluar ndërtimin e selisë për kajmekamin, e quajtur “saraj” në arat e fshatit Llaushë, ku më vonë është ndërtuar tjegullorja e vjetër, por që ishte kundërshtuar nga popullsia vendore. Rreth 2000 kryengritës të revoltuar, të udhëhequr nga Ahmet Delia, i kishin sulmuar dhe djegur “sarajet” e ndërtuara, që ishin quajtur me emrin Hamidi (sipas Sulltan Abdyl Hamidit II). Këtë situatë më së miri e përshkruan kënga popullore:
Shih çka bajke ajo Turki,
n’Drenicë nisi shehër t’ri,
ja ngjet emnin Hamidi,
don me ba këtë vend Turki.
Nga ana tjetër, regjimi serbo – jugosllav, në vitet 20-ta të shekullit të kaluar, në të njëjtin vend ka ndërtuar 52 shtëpi për kolonistët serbë të prurë nga viset tjera të Jugosllavisë. Atëherë, meqenëse vendbanimi i ri kishte popullsi serbe, pushtuesit e emërojnë me emrin Serbica. Deri në vitin 1931 regjimi serb kishte vendosur selinë e rrethit në Deviq, kur nga atje e sollën në Serbicën e sapo themeluar, duke e bërë qendër administrative të Drenicës. Pas pushtimit italian të Kosovës, Serbica bëhet seli e Nënprefekturës së Drenicës, e varur nga Prefektura e Pejës. Një vendim për ripagëzimin e qytetit e kishte miratuar qeveria e Tiranës në vitin 1942, që ishte kremtuar në një tubim të madh popullor në Skënderaj më 28 Nëntor 1942. Kryeqendra e Drenicës edhe sot i ka në përdorim dy emra; në shqip Skënderaj (sipas Skënderbeut) dhe në serbisht Serbica (sipas emrit të etnisë serbe).
Në komunën e Skënderaj ndodhen shumë monumente të trashëgimisë kulturore. Pos Kompleksit përkujtimor “Adem Jashari” e Kompleksit të Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, janë kullat – muze të Ahmet Delisë, Tahir Mehës e Ilaz Kodrës në Prekaz, kulla e Azem Bejtës në Galicë etj.
Skënderaj është kryeqendër e atdhetarisë, e rezistencës popullore dhe e luftës për liri. Në vitin 1912 Hasan Prishtina, me prejardhje nga Polaci i Drenicës, mbajti një fjalim mobilizues kundër pushtetit osman afër kullës së Ahmet Delisë në Prekaz. Drenica kishte luftuar shumë herë edhe kundër regjimeve të njëpasnjëshme serbo – jugosllave, deri te Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vërshimit të forcave pushtuese serbe në vitin 1912, njihet në histori beteja e Ahmet Delisë me forcat serbe. Kur një grup i forcave pushtuese serbe kishin sulmuar fqinjët, Ahmet Delia, i moshës 63-vjeçare, veprimtar i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, bashkë me djalin e tij dhe kryeplakun e fshatit i shkon në ndihmë fqinjit të sulmuar. Në mungesë të armës, ai lufton me sëpatë dhe beteja kishte përfunduar me 12 ushtarë serbë të vrarë, nga 13, sa ishin gjithsej. Në Drenicë, në vitet 20-ta të shekullit të kaluar, është themeluar Lëvizja Kaçake, në krye me Azem Galicën dhe Shota Galicën, lëvizje që ishte bërë tmerr për armikun. Në vitin 1945 shpërtheu kryengritja e Drenicës kundër forcave jugosllave që bënin krime në Kosovë, në krye me Shaban Polluzhën. Në Prekaz, më 13 maj 1981, kishte një përballje të armatosur mes familjes së Tahir e Nebih Mehës, babë e bir, dhe milicisë së ish-Jugosllavisë me pasoja të rënda nga të dy anët.
Edhe lufta e UÇK-së e ka zanafillën në Drenicë, në Prekazin heroik, me luftën dhe flijimin e familjes Jashari. Siç dihet, në Prekaz, afër Skënderajt, është zhvilluar, më 5 deri 7 mars 1998, lufta më e veçantë në botë, lufta mes familjes Jashari dhe forcave terroriste serbe. Në këtë përballje të armatosur ra heroikisht tërë familja që gjendej në shtëpi, gjithsej 22 nga familja e ngushtë dhe 55, numri i plotë, duke përfshirë edhe gra, pleq e fëmijë. Për nder dhe respekt ndaj kësaj familjeje heroike dhe të komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prekaz është ndërtuar kompleksi përkujtimor “Adem Jashari”, kurse në Skënderaj është ngritur shtatorja madhështore e Komandantit legjendar. Për çdo mars, në kompleksin përkujtimor mbahet manifestimi tradicional “Epopea e UÇK-së” që i kushtohet luftës dhe flijimit për liri të familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri.
Drenica dha shumë për lirinë e Kosovës, dha heronj, dëshmorë e martirë. Ajo ishte zona më e shkatërruar gjatë luftës çlirimtare, me shumë vrasje të popullsisë civile, me masakra e varreza masive, me persona të pagjetur, me dëbime të popullsisë nga vatrat e veta, me burgosje të rinisë drenicake, me maltretime e presion sistematik politik, me shkatërrim masiv të pronës private e shoqërore…
Megjithatë, popullsia e komunës së Skënderajt dhe e mbarë Drenicës sot është krenare për të kaluarën e vet heroike. Kurse qyteti dhe territori i komunës së Skënderajt është një zonë me natyrë të bukur e me pasuri të shumta, një zonë që pret t’i shfrytëzojë pasuritë e veta. Skënderaj sot është një qytet i bukur bashkëkohor në zhvillim e sipër, është një qytet me të kaluar të rëndë, por me një të ardhme të ndritur.