Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCV) – BUJANOCA – QYTETI I PARADOKSEVE PREJ NGA PO DËBOHEN SHQIPTARËT

Shtegtime nëpër Atdhe (CCV)
BUJANOCA – QYTETI I PARADOKSEVE PREJ NGA IKIN EDHE SHQIPTARËT, EDHE SERBËT
Të jesh shqiptar e të jetosh në një territor që e kontrollon Qeveria e Beogradit paraqet një jetë sfiduese me mohim të të drejtave politike e qytetare, me diskriminim, me probleme të theksuara për arsimim, për punësim… Veçanërisht, paraqitet sfiduese jeta në Bujanocë (Bujanoc, Bujanovc) e në komunën e Bujanocës, në këtë qytet e në këtë komunë shumetnike, që ndahet më shumë se kudo në vija etnike. Jeta paraqitet sfiduese edhe për shkak se në territorin e kësaj komune është ndërtuar një bazë ushtarake serbe, por edhe për shkak të strehimit, përmes ndërtimit të banesave “sociale” për serbët e zhvendosur nga Kosova në vitin 1999, në mesin e të cilëve mund të ketë edhe kriminelë të luftës.
Përndryshe, Bujanoca është njëra nga tri qendrat komunale në Kosovën Lindore, në rrjedhën e epërme të lumit Morava e Jugut dhe mes qyteteve Preshevë e Vrajë. Qyteti e komuna kanë një pozitë të përshtatshme gjeografike, e shtrirë në një fushë të begatshme, aty ku bashkohen dy lumenj me emër të njëjtë e nga përshkon korridori ndërkombëtar i rëndësisë së veçantë, “Korridori 10”. Nëpër korridorin natyror të luginave të lumenjve Moravë e Vardar, përshkojnë autoudha dhe hekurudha ndërkombëtare Beograd – Nish – Shkup – Selanik. Korridori tjetër i rëndësishëm është edhe ai përmes Grykës së Konçulit dhe luginës së Moravës, me të cilin Bujanoca lidhet me Kosovën dhe Kosova lidhet me Korridorin 10.
Në kohët e lashta territori i komunës së Bujanocës banohej nga ilirët e fisit dardan, pastaj i rënë nën sundimin romak, bizantin, serb, osman. Në shpatet e malit Rujan, 10 km nga Bujanoca, ndodhet një vendbanim antik i periudhës së bronzit të vonshëm (shek.. XIII – XII p.e.r., ku është gjetur material i shumtë arkeologjik (amfora, qeramikë, stoli etj.). Në Perandorinë Osmane (1905 – 1912) Bujanoca bënte pjesë në rrethin e Prishtinës, kurse pas Luftërave Ballkanike i përkiste rrethit të Kumanovës në Mbretërinë e Serbisë. Me themelimin e Mbretërisë SKS në vitin 1918, kalon në zonën (oblast) e Vrajës, ndërsa në vitin 1929 bëhet pjesë e Banovinës së Vardarit, me kryeqendër Shkupin. Mirëpo, pas Luftës së Dytë Botërore Bujanoca bëhet njëra ndër qendrat komunale të RS të Serbisë.
Duke qenë të diskriminuar dhe të pakënaqur me pozitën politike e juridike në Serbi, shqiptarët e Kosovës Lindore, duke përfshirë edhe shqiptarët e komunës së Bujanocës, në vitin 1992 organizuan një referendum për autonomi me të drejtë të bashkimit me Republikën e Kosovës. Pas përfundimit të luftës së Kosovës, në vitin 2000, edhe në Kosovën Lindore shpërtheu një konflikt i armatosur, i organizuar nga Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanocë e Medvegjë, që u mbyll me një marrëveshje të brishtë, të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, të cilën Serbia nuk e zbatoi asnjëherë.
Në qytetin e Bujanocës jetojnë rreth 12 mijë banorë; shqiptarë, serbë dhe romë. Pos Bujanocës në këtë komunë, si vendbanim i përzier është vetëm edhe fshati Osllarë, kurse të gjitha vendbanimet tjera janë një etnike, shqiptare ose serbe. Si komunë, me 59 fshatra dhe me rreth 53 mijë banorë (sipas regjistrimit të vitit 2002), mbi 55 për qind janë popullsi shqiptare, rreth 34 për qind janë popullsi serbe dhe rreth 9 për qind janë popullsi rome. Po të llogariten edhe mërgimtarët me qëndrim në botën e jashtme, atëherë përqindja e shqiptarëve në këtë komunë do të shkonte mbi 65 për qind.
Në kuadër të popullsisë shqiptare paradoksalisht veprojnë dhe garojnë mes vete pesë parti politike shqiptare. Kur marrim parasysh se gati gjysma e popullsisë shqiptare ndodhet në mërgim, atëherë dihet sa elektorat ndajnë këto parti “politike”.
Banorët e komunës së Bujanocës tradicionalisht janë marrë me bujqësi e blegtori. Territori i kësaj komune është tokë e rrafshët, e butë dhe shumë pjellore, nga përshkojnë lumi Morava e Jugut dhe dega e tij, Moravica. Pos kulturave bujqësore tradicionale, ky territor dallohet veçanërisht për kultivimin e duhanit dhe të kanapit. Gjithashtu, banorët e kësaj ane janë dalluar edhe si zejtarë të mirë. Megjithatë, Komuna e Bujanocës, edhe pse ka reparte industriale, mbetet nga komunat më të pazhvilluara dhe nga më të prapambeturat në Serbi. Për shkak të diskriminimit etnik, shumë pak shqiptarë kanë mundur të punojnë në organet shtetërore, publike dhe në repartet industriale, të cilat sikur ishin të destinuara vetëm për punëtorë të përkatësisë serbe. Në territorin e komunës gjenden 32 burime të ujërave minerale. Njëri prej tyre është burimi dhe fabrika për përpunimin e ujit mineral dhe pijeve joalkoolike “Heba” në Banjën e Bujanocës, që është nga faktorët kryesorë të ekonomisë komunale të Bujanocës. Banja e Bujanocit është edhe një vend shërues, e shfrytëzuar që nga koha romake, osmane etj.
Në kuadër të Shtëpisë së Kulturës veprimtarinë kulturore e artistike e zhvillojnë disa shoqëri shqiptare, serbe dhe rome. Folklorin burimor shqiptar e kultivojnë shoqëritë amatore “Zëri i Luginës” nga Bujanoca dhe “Jehona” nga Ternoci i Madh. Për çdo vit, gjatë muajit korrik, mbahet manifestimi kulturor “Vera kulturore”, me ç’rast organizohen koncerte, ekspozita, shfaqje teatrale etj. Në Shtëpinë e Kulturës tashmë shfaqen edhe filma, por ende nuk ka teatër. Nga sfera e informimit në Bujanocë veprojnë Televizioni publik i Bujanocës, televizioni privat “Spektri” dhe Radio-BujanociNet (në internet), si dhe del revista “Perspektiva”. Nga sporti janë klubet e futbollit BSK Bujanovci, AS Bujanoci, klubi “Besa”, klubi “Ternoci”, klubi i boksit “Ternoci”, klubi i basketbollit “Elita” etj. Karakteristikë e klubeve sportive dhe e shoqërive artistike është se ato kryesisht janë një etnike; ose shqiptare ose serbe. Bujanoca, që nga vitet 70-ta, ka një gjimnaz me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa viteve të fundit është pasuruar edhe me një fakultet, paralele e ndarë e Fakultetit Ekonomik të Suboticës.
Edhe klubet, shitoret, kafiteritë, ku zhvillohet jeta shoqërore, janë të ndara etnikisht. Aty ku rrinë shqiptarët nuk rrinë serbët dhe anasjelltas. Jo vetëm këto, por, siç duket, edhe rrugët e qytetit janë të ndara mbi baza etnike. Përpara rruga kryesore e Bujanocit dukej se ishte “e ndaluar” për shqiptarët. Sot është krejt ndryshe. Megjithatë, me gjithë këtë ndarje, situata është e qetë, pa incidente e pa konflikte ndëretnike. Bujanoca sot është një qytet krejtësisht i qetë, prej të cilit, për shkaqe të natyrave të ndryshme, ikin edhe shqiptarët, edhe serbët.