Politikë

Balluku për protestën e opozitës: Shqipëria drejt Evropës, antishqiptaria në aksion!

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku reagoi sot pas vendimit të opozitës për të protestuar më 6 dhjetor, në ditën kur në Tiranë do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, në rajonin tonë.

“Shqipëria drejt Evropës, antishqiptaria në aksion.Kushdo që mund të ketë pasur qoftë edhe një fije dyshimi mbi veprimet e “nongratave”, në gjithë aktivitetin e tyre politik, tashmë e ka përpara syve provën e pakundërshtueshme të synimeve dhe qëndrimeve antievropiane”, u shpreh ajo në një postim në rrjetet sociale.

Sipas saj, të protestosh kundër partnerëve strategjikë dhe orientimit euroatlantik të vendit është dhe do të mbetet në histori si shembulli unikal i antishqiptarisë.

“Është një histori që ka nisur me grabitjen dhe tjetërsimin e pasurive të këtij vendi kur ishin në qeverisje, siç është rasti i 5 HEC-eve shumë të rëndësishme për sistemin elektroenergjitik shqiptar, që i falën për vlerën e TVSH. Pasojat e kësaj grabitjeje po i ndiejmë aq shumë në kushtet e krizës globale të energjisë. Sivëllezërit e rublave mbeten të njëjtë në synimet dhe aksionin e tyre për të goditur Shqipërinë dhe gjithë botën e vlerave demokratike perëndimore”, u shpreh më tej Balluku.

Teksa postimin e shoqëron me foton e liderit të opozitës, Sali Berisha, Balluku shprehet se  po çirret për portin e Durrësit, se aty ka koncesionet e familjes që i ka marrë si hajn, ndërkohë që shqiptarët i kishin prerë biletën e ikjes pa kthim në verën e 2013.

“Dhe sot po tenton të ngrihet nga varri politik dhe një herë për të shkatërruar këtë vend. Po fati i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët është se nuk ka më fuqi rublash që mund t’i ngrejë nga varri politik këta lloj monstrash. Ata janë të destinuar të mbeten në faqet më të errëta të historisë së këtij vendi dhe aspiratave më të mira të tij për t’u integruar në familjen europiane”, deklaroi ajo.