Vështrim/Analizë

Ali Mehmeti: “Serbia tjetër” po promovohet – Serbia e vjetër po rehabilitohet

Prapë më duhet të shkruaj për “Serbinë Tjetër” që me këmbëngulje vazhdon të financohet nga
“Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur” – KFOS, që këmbëngul në promovimin e
“Serbisë tjetër” që nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar asnjëherë për shqiptarët.
Gjersa “Serbia tjetër 1” kishte për kryepersonazh intelektualin e njohur, ish kryebashkiakun e
Beogradit, arkitektin Bogdan Bogdanoviq, libri që doli para pak ditësh “Serbia Tjetër 2” ka
për kryepersonazh politikanin serb Millosh Miniq, ish kryetar të Serbisë (1957-62) dhe
ministër i punëve të jashtme të Jugosllavisë (1972-78).
Gjersa botimi i parë, jo që nuk e ka merituar Bogdan Bogdanoviqi të shkruhet për të por
problemi që e ngrita ishte titulli i librit, i cili ishte ideuar dhe promovuar nga pjesëmarrësit e
“klubit beogradas” i cili në pranverën e vitit 1992 mbante takime ku mbaheshin fjalimet që
kundërshtonin politikën e Millosheviqit. Edhe pse fare pak për situatën në Kosovë, por sepse
dyshonin në mundësitë e Serbisë për të realizuar planin e Akademisë së Shkencave të Serbisë,
pas rrënimit të Bashkimit Sovjetik. Në këtë klub ishte edhe Bogdan Bogdanoviqi. Për më
shumë: https://kosovapress.com/pas-asaj-serbe-tani-edhe-serbia-tjeter-e-shqiptareve/
Ndërsa Millosh Miniqi nuk i takon fare këtij klubi, madje lirisht mund të thuhet se nuk i takon
fare as Serbisë, por Jugosllavisë komuniste, sikur pasues besnik i Titos, të cilit i mbeti besnik
në të gjitha situatat: në raportin mes çetnikëve serb dhe partizanëve serb gjatë LDB (madje
ishte prokuror në procesin gjyqësor kundër Drazha Mihajlloviqit), gjatë krizës së
Informbyrosë me Stalinin, në Plenumin e Brioneve ku u dënua Aeksandër Rankoviqi, gjatë
demonstratave të vitit 1968 dhe lëvizjes serbe për liberalizim në vitin 1972 me Llatinka
Peroviqin. Gjatë viteve ’90 asnjëherë nuk u prononcua publikisht, gjer në vitin 1999, por pasi
Serbia i humbi të gjitha luftërat.
Ky “rrënim kualitativ” nga Bogdanoviqi te Miniqi dhe paralajmërimi se as libri i tretë nuk do
ta ketë për personazh dike nga “klubi beogradas”, nuk do më befasonte nëse libri “Serbia
Tjetër 10” do ta ketë për personazh Sheshelin apo Millosheviqin?
Për të qenë i qartë, për cilindo personazh që shkruhet, çoftë ai edhe Dimitrije Tucoviqi, librit
nuk i takon titulli “Serbia Tjetër”, sepse shqiptarët nuk njohin Serbi tjetër, prej themelimit të
saj gjer me sot. Ky titull është djallëzor dhe shërben vetëm për rehabilitimin e Serbisë, apo
ndoshta edhe për promovimin e “Ballkanit të hapur” ?!
Ali Mehmeti, Gjenevë, 04.01.2022.

Postimet e fundit !