Opinion

Ali Mehmeti: Çka ndodhi më 24 shtator 2023

ÇKA NDODHI ME 24 SHTATOR 2023 ?
Ali Sh. Mehmeti, 08.10.2023
Edhe dy javë pas aksionit të dështuar të grupit diversant terrorist serb, ka
mendime të ndryshme se çka ndodhi?
Qëndrimi zyrtar dhe pohimi i Qeverisë së Kosovës se u tentua një aneksim i
veriut të Kosovës shumë vetave ju duket i ekzagjeruar, sepse me një kompani
ushtarake, sado mirë e armatosur dhe e stërvitur, aneksimi nuk do ishte i
mundur. Dhe kjo qëndron. Ajo që nuk qëndron është mendimi i të njëjtëve se e
gjitha do mbetej në këtë kompani. E vërteta është se kjo kompani ishte menduar
vetëm sikur një shkrepës që do ta ndizte zjarrin më të madh.
Mos të harrojmë se lufta në Kroaci që filloi me 1991, filloi me barrikada prej disa
trungjeve të vendosura nëpër rrugë, në emër të “mbrojtjes” së popullatës serbe
në Kroaci nga “terrori” kroat i cili “filloi” pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë.
Vazhdoi me angazhimin e policisë në mbrojtje të këtyre barrikadave, nëpër
qytete ku serbet ishin shumicë dhe me armatosjen e popullatës lokale nga depot
ushtarake dhe të mbrojtjes territoriale. Në fund edhe me bashkëngjitje të njësive
të APJ-së, të cilat ishin nën komandë të oficerëve serb të shpërndara nëpër
gjashtë korparmata, respektivisht nën komandë të shtatmadhorisë “jugosllave”
që tanimë ishte shndërruar në shtatmadhori serbe. Njësitet që ishin nën
komandë të oficerëve shqiptarë apo kroat kalonin në anën e kroatëve (Rahim
Ademi, Agim Çeku …). Nga këto njësi u krijua “Ushtria e krahinës serbe”, kurse
disa muaj më vonë u shpall “Republika Krahina Serbe”. Gjithnjë duke mashtruar
opinionin se bëhet fjalë për popullatë lokale. Dëshmi, që nuk bëhej fjalë për
popullatë lokale, mjaftojnë dëshmitë e shumë shqiptarëve që ndodheshin nëpër
këto njësi dhe që kërkonin mënyra për të ikur, sepse nuk donin të luftonin
kundër kroatëve për llogari të serbëve. Sot, shumica e tyre jetojnë nëpër Evropë.
Një vit më vonë, i njëjti skenar u përdor edhe në Bosnje dhe Hercegovinë duke
krijuar Republikën Srpska dhe ushtrinë me komandant Ratko Mlladiq, i dënuar
për gjenocid në Srebrenicë. Përkundër kësaj, sot e kësaj dite Serbia nuk pranon
se kishte bërë agresion mbi Kroaci dhe BH, madje as që ishte pjesëmarrëse në
luftë. Në këtë pikë ju ndihmoi edhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-
Jugosllavinë, i cili të gjitha përgjegjësitë i reduktoi në përgjegjësi individuale.
“Republika Krahina Serbe” u fshi nga forcat e armatosura kroate e ndihmuar
edhe nga perëndimorët me aksionin ushtarak “Stuhia”, kurse Republika Srpska
në BH ekziston edhe sot, edhe pse u ndërtua mbi gjenocid mbi popullin
boshnjak.
Dhe në fund, skenar të njëjtë përdori vitin e kaluar edhe ushtria ruse, duke hyrë
në regjionin Donbas të Ukrainës, ku iu bashkëngjit grupeve të armatosura që
vepronin atje, për të “mbrojtur” popullin rus nga “torturat” e qeverisë nga Kievi.
Pra, nuk duhet shumë imagjinatë për të rikonstruktuar planin serb në veri të
Kosovës.
Fillimisht, këto barrikada, jo prej trungjeve por nga kamionë të ngarkuar me
zhavorr, do i mbronte ky grup i armatosur, siç edhe ndodhi kur patrulla e policisë
iu afrua, ku mbeti i vrarë Heroi i Kombit Afrim Bunjaku, reshter i policisë së

Kosovës. Në të njëjtën kohë do mobilizoheshin shumica e qytetarëve, pjesa më e
madhe të paarmatosur (gra, fëmijë, të moshuar), kurse pjesa tjetër do
armatosej nga depot tanimë të vendosura nëpër kisha, shtëpi private dhe vetura
të parkuara, të shpërndara në veri të Kosovës. Njësitë e policisë, të mbetura në
veri të fshatit Banjë, gjer te kalimi kufitar i Jarinjës, do mbeteshin të
shkëputura, sikur disa vite më herret, kurse rruga për Pazar të Ri në Serbi, do
mbetej e hapur dhe e mbrojtur, për ardhje dhe furnizime të reja. Duke pas
parasysh përvojën e serbëve në kësi lloj organizimesh, i gjithë operacioni do
përfundonte për pak orë, sa që nuk do arrinin të intervenonin as policia e
Kosovës dhe, aq më pak njësitë e KFOR-it.
Pas këtij momenti mund të ndodhnin, sipas meje, dy skenarë.
KFOR ta vendos një tampon zonë ndërmjet policisë së Kosovës dhe serbëve të
armatosur dhe paarmatosur, për të parandaluar intervenim e forcave policore
dhe parandaluar humbjen e jetëve, që patjetër do sillte ku konfrontim. Gjatë
këtij konfrontimi do mund të vriteshin edhe civilët serb nga vet serbet (kujtoni
rastin Panda në Pejë në vitin 1998). Në mungesë të këtij konfrontimi do
betonohej një gjende e re, ku lehtësuesit e dialogut të tipit Lajçak dhe Borel, pa
përtesë dhe me nguti do konstatonin se qeveria nga Prishtina nuk ka kapacitet ta
qeveris veriun e Kosovës. Prandaj kjo pjesë e territorit meriton një status special
i cili edhe do vendosej, me emër “zajednicë” apo republikë, pak ka rëndësi,
sepse është pak e besueshme se NATO do hapte një front të ri në Evropë?!
Në variantin e dytë, në rast se policia e Kosovës do intervenonte para se KFOR të
vendoste këtë tampon zonë, me leje apo pa leje të KFOR-it, do kishte shumë
viktima. Sigurisht se njësitet speciale policore do mund ta asgjësonin këtë grup
terrorist, siç edhe ndodhi, por atëherë është më se e sigurt se ky grup kishte
vrarë pelegrinët që ishin në kishë duke ia atribuuar fajin policisë. Dhe në fund,
kjo do ishte “arsye e mjaftueshme” për të ndërhyrë ushtria e Serbisë për të
“mbrojtur popullin e paarmatosur” nga “pogromi i Albin Kurtit”, që do ishte
shkëputje definitive të kësaj pjese nga Kosova dhe aneksim nga Serbia.
Skenari i dytë nuk do të ndodhte vetëm në rast se, në ndërkohë NATO nuk do i
kishte dërguar aeroplanët ushtarak mbi Beograd.
Por, kush e di, si do vepronte NATO?
Për fund. Sipas të gjitha gjasave intervenimi i policisë e ka ndërprerë finalizimin
e aksionit terrorist. A ka ndodh rastësisht, rastësia është mbret i botës, apo në
bazë të informacioneve paraprake, nuk do ta dimë për një kohë të gjatë. Çka
dimë është se, nëse vazhdon ledhatimi i Serbisë nga ata që e ledhatuan edhe
gjer më tani, këto aspirata të Serbisë nuk marrin fund. Ato do marrin fund, ose
kur Serbisë i thuhet qartë dhe fuqishëm, se ti nuk mund të jesh xhandar i
Ballkanit, ose kur Kosova bëhet force e respektueshme ushtarake, kurse e tillë
mund të bëhet vetëm kur bashkohet me shtetin amë – Shqipërinë.

Postimet e fundit !