Komenti

Muharrem Xhafa: Për Flamurin shqiptar

Për Flamurin Shqiptar!
Shumë friendsa më kanë kërkuar të dinë më shumë për Flamurin në përgjithësi dhe për Flamurin Shqiptar në veçanti.
Për t’u plotësuar kërkesën, mbështetur në materiale të botuara prej njohësish më të mirë se unë të çështjes, kam bëra përpjekje t’i përmbledh ato dhe të jap për friendsat e mi disa nga gjërat më kryesore.
1. Flamuri është simbol i një kombi, i një shteti, i një ushtrie etj. i kompozuar në një pëlhurë me përmasa e ngjyra të caktuara, që vihet si rregull në një shtizë.
2. Ndërsa “flamuri shtetror i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë – thuhet në nenin 108 të Kushtetutës së saj – paraqet një fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes, mbi të cilën është një yll i kuq me pesë cepa, qëndisur rreth e rrotull me ngjyrë ari dhe raporti në mes gjërësisë dhe gjatësisë së flamurit është një me një e dyzet”. Me kthimin prapavajtës të Shqipërisë në sistemin kapitalist borgjez, ylli i kuq me pesë cepa, mbi shqiponjën me dy krena, u hoq.
Flamuri Shqiptar është simbol i kombit dhe i shtetit shqiptar, i luftërave shekullore të shqiptarëve bërë për lirinë dhe për pavarësinë kombëtare, për ruajtjen e identitetit kombëtar, kundër çdo përpjekjeje të huaj për nënshtrim dhe asimilim.
Në Shqipëri ka pasur edhe lloje të tjerë flamurësh, si flamurët e njësive të forcave të armatosura, të shoqatave e klubeve sportive, të organizatës së rinisë, të pionierit etj. etj.
3. Dëshmitë historike, gjetjet arkeologjike, gjuhësore e të tjera tregojnë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kishte një flamur të kuq me shqiponjë të zezë dykrenore, pa yll, që del edhe në kulturën popullore shqiptare, edhe në stemat e familjeve feudale të mëdha mesjetare. Ndonjëherë flamuri del me një kokë shqiponje! Po del edhe me një yll, siç, për shembull, e kishte stema e familjes së madhe feudale të Muzakajve.
Flamuri i Skënderbeut, pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit osmanë, u ruajt nga arbëreshët dhe tek arbëreshët e mërguar, me ndonjë ndryshim gjatë kohës. Po kështu gjatë Rilindjes Kombëtare flamuri i Skënderbeut filloi të përdorej përsëri si simbol kombëtar i shqiptarëve. Në kryengritjet për Pavarësi Kombëtare të shqiptarëve gjatë viteve 1909-1912, ai flamur u mbajt (u priu) edhe nga çetat atdhetare të kohës.
4. Ngritja në Vlorë, më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali e flamurit të Skënderbeut, ishte shprehje simbolike e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë, e shtetit të pavarur shqiptar. Që nga ajo ditë, flamuri ynë kombëtar u bë edhe simbol i shtetit të pavarur shqiptar.
5. Një komb ka vetëm një flamur kombëtar, jo dy! Bota ka vetëm një Shqipëri, një komb shqiptar, jo dy! Kombi shqiptar ka vetëm një flamur kombëtar, jo dy!
Siç pamë, kombi shqiptar ka Flamurin e Kuq me shkabën dykrenore në mes! Ky flamur është edhe flamuri kombëtar i Kosovës; edhe flamuri kombëtar i shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta amëtare në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi (Çamëri); si edhe i çdo shqiptari në botë!
Shteti shqiptar i Republikës së Shqipërisë nuk ka tjetër flamur. As shteti i Kosovës shqiptare, dmth i Republikës së Kosovës, nuk mund të ketë tjetër flamur kombëtar, përveç flamurit kuqezi me shkabën dykrenore në mes.
Ndryshe nga shteti i Republikës së Shqipërisë, shteti i Kosovës ka edhe një flamur shtetror. Por ky nuk është flamuri kombëtar. Shteti i Kosovës nuk mund të ketë një flamur tjetër kombëtar, sepse Kosova është Shqipëri. Flamuri kombëtar në çdo rast ka epërsi mbi flamurin shtetror dhe duhet të valëvitet në të gjitha veprimtaritë me karakter kombëtar që organizohen!
Më 21 tetor 2021
https://youtu.be/WTZufCqggaU