Politikë

Kryeministri Rama: Për bashkëpunim me Partinë Demokratike dora jonë do të jetë gjithmonë e shtrirë

TIRANË 27 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama në takimin me dy grupet parlamentare të PS-së të mandatit të dytë qeverisës dhe të mandatit të tretë dalë nga zgjedhjet e 25 prillit deklaroi se, “dora jonë dhe bashkëpunimi me Partinë Demokratike do jetë e shtrirë pa kushte, pavarësisht nga sjellja, nga retorika apo nga veprimet e rivalëve tanë”.

Rama tha se, “konflikti verbal nuk do jetë më kryefjala e jetës sonë politike dhe parlamentare. Prandaj, ne duhet me doemos të ndryshojmë sa të mundemi në këtë drejtim, sado që ata t’i bien fyellit në të njëjtën vrimë, në vrimën ku u është bërë gropa ku kanë rënë vetë me këmbët e tyre plot 5 herë me radhë. Edhe kjo është shumë e lehtë ta thuash dhe shumë më e vështirë ta bësh, por unë dua ta them këtu, edhe në sy të atyre që na ndjekin se kush do ta kalojë cakun etik në prononcimet publike në adresë të rivalëve tanë, kush do japë shembull të keq për publikun në Kuvend apo në Komisionet Parlamentare, duke rënë pre e provokimeve të tyre, shpesh ekstreme, kush do merret me politikë për konflikt në teatrin e ditës dhe nuk do angazhohet në temat dhe çështje që i interesojnë njerëzve, grupeve të interest, të komuniteteve apo dhe vetë Shqipërisë, do jetë një shqetësim jo për opozitën, do jetë shqetësim për grupin dhe për mua”.

Rama theksoi se “fatkeqësisht, Partia Demokratike do vijë në parlamentin e ri me një dhëmballë të prishur, të cilën as nuk ka kurajo ta shkulë, as nuk ka vullnet ta qetësojë, por kjo nuk është arsye për t’u marrë me dhëmballën e saj, as një motiv për t’iu gëzuar shpërfytyrimit të PD-së për shkak të infektimit të krejt fytyrës së saj nga ajo dhëmballë, duke fërkuar duart dhe fjetur mendjen me idenë se sa kohë dhëmballa do jetë aty, fytyra e Partisë Demokratike do jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur prej kohësh dhe pavarësisht se kemi lënë përshtypje shpeshherë të ndryshme e nuk duhet ta kemi në asnjë mënyrë përgjatë mandatit tonë të tretë, luftën tone me Partinë Demokratike”.

“Në fund të këtij mandati të tretë, më shumë se asnjëherë më parë, ne nuk do të vlerësohemi për çfarë i thamë apo për çfarë i bëmë Partisë Demokratike në mexhelisin e politikës së llafeve, por do të gjykohemi për sa më lart do e ngjisim Shqipërinë këto 4 vjet dhe për sa do i jemi afruar majës ku ky vend meriton të jetë në fund të kësaj dekade. Luftën tonë, ne e kemi me problemet e vendit dhe me hallet e shqiptarëve, ndërsa me opozitën kemi vetëm betejën politike, të cilën patjetër nuk do e lëmë pa bërë, por do e bëjmë me një qasje dhe cilësi të re. Kemi të gjithë eksperiencën e nevojshme tanimë, për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik”, tha Rama. /a.a/