Shqipëria/Aktualitet

Viktor Malaj: Një atdhetar i rremë midis nesh është më i dëmshëm se një armik përballë

Deri në vitin 1990 vlerësoheshin, dekoroheshin dhe respektoheshin si atdhetarë, kryesisht, individët që kishin dhënë jetën ose kishin kontribuuar në luftë kundër pushtuesve që nga koha e Skënderbeut e këtej dhe, gjithashtu, individët që jepnin kontribut të spikatur në ndërtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit e popullit tonë.

Pas vitit 1990 këto kategori qytetare dhe morale, jo vetëm nisën të harroheshin, por edhe të përçmoheshin, talleshin dhe, madje, fajësoheshin sepse “na kishin sjellë regjimin komunist dhe i kishin shërbyer atij”. Figura e Skënderbeut filloi të zvogëlohej, tjetërsohej, keqinterpretohej dhe të shitej si “një tregtar apo hajdut kafshësh”, “tradhëtar i Perandorisë Osmane që e mbajti, arësimoi dhe gradoi”, “luftoi për interesat e tij vetjake dhe jo për vendin” etj. Ismail Qemali u shpall figurë rastësore dhe pa ndonjë kontribut të spikatur pasi “pavarësinë e sollën rrethanat e jashtme”. Drejtuesit dhe luftëtarët e UNÇL gjatë Luftës së Dytë Botërore u shpallën kriminelë dhe tradhëtarë pasi “na sollën komunizmin… nuk luftuan për vendin, por për BRSS… zhvilluan luftë civile sepse iu kundërvunë me armë nacionalistëve që luftonin për Shqipërinë etnike…” etj.etj.. Individë që dhanë jetën në ndërtimin e veprave ekonomike, shpëtimin e pasurisë së përbashkët apo punuan me vetëmohim për edukimin shoqëror, si Ndrecë Ndue Gjoka, Ismet Sali Bruçaj, Shkurte Pal Vata, Isuf Emin Plloçi etj. u përqeshën dhe u konsideruan si shembulli i keq i “njeriut të ri socialist”.

Madje, djali i njërit prej këtyre, i cili kishte mbaruar studimet universitare për drejtësi, u shpall i papërshtatshëm për të qenë gjyqtar pasi ishte djali i atij që kishte dhënë jetën në përpjekje për shuarjen e flakëve që po përpinin ekonominë e vendit.

Individët që iu përkisnin kategorive të mësipërme “u urdhëruan” të fshiheshin ose zhdukeshin si qënie që i përkisnin “një kohe të errët dhe të dëmshme”. Atyre iu tha që ai lloj atdhetarizmi kishte qenë i gabuar dhe, prandaj, do të zëvendësohej me “atdhetarizmin modern”. Meqënëse të gjithë ata që bënin pjesë në kategoritë e mësipërme nuk kishin luftuar dhe sakrifikuar për shpërblime materiale, dhe as që i përfituan ato, por “humbën” edhe vlerësimet morale, vendosën një ditë t’i dërgonin dekoratat, medaljet, nderimet dhe vlerësimet e tyre në një dyqan “vjetërsirash” dhe t’i kyçnin atje për të mos molepsur brezin e ri dhe modern që po dilte në skenë me shpejtësi dhe me pretendime për një “moral të ri” dhe “atdhetarizëm perëndimor”.

Tani, flamurin e atdhetarizmit e morën në dorë, kryesisht, tri kategori personash VIP: politikanët e rinj që, për të ardhur në pushtet sa më shpejt dhe më lehtë, iu vunë kazmën dhe zjarrin thuajse gjithçkaje të ndërtuar më parë nga populli shqiptar; biznesmenët e bërë milionerë brenda natës nëpërmjet privatizimeve thuajse falas të pasurisë kombëtare, në bashkëpunim me kategorinë e parë krijuan klasën e zengjinëve, të njohur me emra më të përveçëm si zenë e zengjine. I arritën këto lartësi të lume nëpërmjet trafiqeve të drogës, femrave, pushtimit të pronave shtetërore e private si agasekserë të babës dhe si shitës të drejtësisë.

Për të ushqyer “moralin e ri” dhe “atdhetarizmin perëndimor” të popullit zengjinët lanë të kujdeseshin kategorinë e tretë: aktorë, këngëtarë e tifozë sportivë të fortshquar për banalitet skenik, lakuriqësi fizike dhe sjellje të dhunshme nëpër stadiume dhe rrugë qytetesh.

Këta atdhetarë xhepash dhe interesash hapën “dyqanet” dhe po na shesin badihava atdhetarizëm pa hesap, atdhetarizëm fejsbuku që nuk kërkon as mund e sakrifica dhe as dije. Tregtojnë thjesht dëshirën e tyre për t’u dukur dhe paturpësinë për t’u hequr çfarë nuk janë. Ata që kritikojnë dhe mallkojnë papushim sistemin politik të para 1990 se nuk na lejonte dhe na ndëshkonte pse shihnim filma të huaj apo dëgjonim muzikën e fqinjëve, tani kanë rrëmbyer shpatën prej letre të atdhetarit të rremë për të mos lejuar një këngëtar kroato-serb, me emrin Goran Bregoviç, të këndojë në Korçë si i ftuar në Festën e Birra Korrça.

Kur i pyet se çfarë iu ka bërë Bregoviç shqiptarëve, këta të përgjigjen se ai ka heshtur dhe nuk e ka ngritur zërin kur forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe kryenin krime të panumërta në Kosovë. Po të guxosh t’i pyesësh “atdhetarët” tanë të xhepave nëse ata vetë e patën ngritur zërin apo gishtin e këmbëzës kundër masakrave serbe në Kosovë, Bosnje apo Kroaci, këta të shikojnë vëngër dhe nuk i përgjigjen dot pyetjes përse një njeri me nënë serbe qenka kriminel pse nuk iu kundërvu Serbisë kur shumë prej nesh, me të dy prindërit shqiptarë, nuk bëzamë fare dhe, akoma më keq, ndonjë prej nesh iu frynte borive të shpalljes në media si “organizatë terroriste” të UÇK-së që përleshej me forcat serbe.

Ata që dikur lejonin dhe drejtonin kontrabandën e naftës me Serbi-Mali i Zi “për të ndihmuar Kosovën” sot ngrenë zërin e “atdhetarit” modern kundër lejimit të Bregoviçit për të kënduar në territorin shqiptar. Gangsterët politikë dhe banditët e rrugës që dikur i vinin flakën Shqipërisë nën maskën e “luftës kundër komunizmit”, sot nxitin apo sulmojnë bashkinë e Korçës që pritet të jetë organizatorja e veprimtarisë së “Birra Korça”. Ata që deri dje kanë shkuar me gëzim në festivalet apo shfaqjet muzikore të këngëtarëve serbë në Prishtinë, Shkup etj. apo që sot i kanë shumicën e disqeve muzikore nëpër makina me këngë serbe, “revoltohen” pse do të këndojë Bregoviç në Korçë.

A mos janë Bregoviçët fajtorë për korrupsionin galopant në administratat tona shtetërore në Shqipëri e Kosovë? Na kanë detyruar vallë Bregoviçët, apo etja jonë e pashuar për pasurim të shpejtë e të paskrupullt, që ta përmbytim tregun e Kosovës me mallra serbe, jo pak prej tyre pa cilësi deri edhe të skaduara? Po dhjetëra këngë shqiptare me motive muzikore sllave, i kanë kompozuar dhe i këndojnë Bregoviçët apo këta viçat tanë?! Kush i hedh shtyllat e tensionit të lartë në erë me eksploziv dhe kush ua vë zjarrin pyjeve tona vallë, Bregoviçët apo “atdhetarët” tanë të pyjeve e shpellave?

Historia jonë si popull në marrëdhëniet me fqinjët nuk duhet harruar assesi dhe individët e huaj që kanë nxitur, udhëhequr apo marrë pjesë në fushata kriminale kundër territoreve dhe popullsisë shqiptare duhet të ruhen në kujtesën tonë si armiqtë tanë. Por kjo nuk do të thotë se përkatësia e njëjtë etnike, fetare apo politike e dikujt me kategorinë e lartpërmendur është kusht dhe provë për t’i shpallur ata si armiqtë tanë. Po të ishte ashtu, atëherë “populli vëlla turk” do të ishte më i madhi “armik” dhe çdo grek, italian, gjerman, malazes etj. do të ishte armiku ynë sepse shtetet e tyre kanë derdhur gjak shqiptari në kohë të ndryshme. Bota nuk funksionon me këtë logjikë.

Duhet të ecim përpara duke kujtuar të kaluarën, përbuzur dhunuesit tanë por pa i përgjithësuar individët, popujt dhe kombet, as për keq dhe as për mirë. Faji i të gjithëve është faj i askujt dhe “atdhetarizmi” që shpall armiq njerëzit për shkak të përkatësisë etnike, fetare apo politike dhe jo për shkak të sjelljeve dhe veprimeve konkrete të individëve është atdhetarizëm i rremë dhe i dëmshëm. Atdhetarizmi i shtirë, për t’u dukur apo për përfitime individuale, të grupit politik, dhe jo atdhetarizmi i mendjes dhe shpirtit, duhet përçmuar. Një atdhetar i rremë midis nesh është më i dëmshëm se një armik përballë nesh. Vetëm e vërteta dhe e drejta na shpëtojnë dhe na ndihmojnë për të ecur përpara.

Unë i përçmoj “atdhetarët” e xhepave dhe ftoj që të vlerësojmë e të mbajmë për model ata që i mbyllën nderimet, që u ishin bërë për luftën dhe punën e tyre, në dyqanin e “vjetërsirave”. (Botuar në DITA)