Gjeopolitika dhe vaksinaKur para disa muajsh, në rastin e konfliktit greko-turk në ujërat e detit Mesdhe, u shfaq flota ushtarake franceze në demonstrim force kundër Turqisë, shumëkujt i shkoi mendja te ringjallja e gjeopolitikës franceze të dy shekujve të shkuar, sidomos e kohës kur kishte akoma territore të pushtuara arabe dhe kur zhvillonin lojëra diplomatike herë me Ali Pashën e herë me Rusinë. Mirëpo vetëm në dukje, sepse thelbi i qasjes në ndërkohë ka ndryshuar. Gjeopolitika nuk është një formulë magjike për të shpjeguar orientimet strategjike të politikës sonë. Ajo gjithashtu i nënshtrohet realitetit fluid të Zygmunt Baumanit, pra është një proces në ndryshim të vazhdueshëm. Duke e pasur të njohur këtë fakt, Ukshin Hoti në një analizë të tij flet për zhvlerësimin e botëkuptimeve dhe qasjeve gjeopolitike për shkak të maksimalizimit të fuqisë së kombeve-shtete në bazë të resurseve të brendshëm dhe të progresit teknologjik, ndërsa Zbigniew Brzezinski në librat e tij të fundit flet për ndryshimin e hartave gjeopolitike e të sferave të ndikimit në nivel global për shkak të rritjes marramendëse të potencialeve politike, ekonomike e ushtarake kineze. Në këtë kontekst ai e shikon edhe mundësinë e ofrimit ruso-amerikan përballë rrezikut kinez. Ndërkaq ca analistë boshnjakë duke folur për gjeopolitikën e re ballkanike, shohin në horizont një ndarje të interesave ruso-turke në kontrollin e Ballkanit perëndimor. Mirëpo të gjitha këto qasje, ndonëse duhen trajtuar me seriozitet, duhen marrë me rezervë dhe jo si formula magjike. Depërtimin apo rikthimin e mundshëm turk në Ballkanin perëndimor nuk do ta përcaktojë apo favorizojë fuqia ushtarake turke, por kapacitetet e saj ekonomike e industriale. Ndërkaq vendet ortodokse të Ballkanit realisht sot nuk kanë nevojë për mbështetjen e moçme ruse nga rreziku turk i shekullit 19, kështu që mund të shkëputen lehtë nga ndikimi rus. Në anën tjetër, interesat gjeopolitikë shpeshherë lexohen ndryshe nga faktorë të ndryshëm politikë. Dikush psh., supozon që interes gjeopolitik amerikan është edhe një mandat i tretë e Edi Ramës në Shqipëri, për shkak të garantimit të reformës në drejtësi, të stabilitetit politik dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, por edhe për shkak të flirteve të mundshme ruse të kreut të opozitës së sotme. Këtë të fundit e vërtetoi edhe ambasadori rus në Tiranë, i cili u shpreh hapur në favor të ndërrimit të qeverisjes pas 25 prillit në Shqipëri. Ndërkaq ndonjë vrojtues tjetër, varësisht nga rreshtimi politiko-ideologjik brendashqiptar, mund të ketë një lexim të përkundërt gjeopolitik të kësaj situate.Z. Sadri Ramabaja në qasjen e tij gjeopolitike nën konceptin perëndimor identifikon edhe SHBA, edhe Gjermaninë, edhe BE-në. Mirëpo realiteti është pak më ndryshe, dhe interesat gjermane dallojnë paksa nga ato amerikane, dhe nuk dihet deri ku mund të shkojë afria gjermano-ruse për shkak të gazit rus dhe jo vetëm të tij.Sidoqoftë, mendoj se ngatërrimi i një vaksine, që mbi të gjitha duhet të jetë instrument shëndetësor kundër një rreziku global, me rreshtimet gjeopolitike rajonale apo globale, është thjesht një ekzagjerim dhe justifikim i çalë dhe aspak bindës i një vendimi të gabuar të KM tonë. Tek e fundit, bëhet fjalë vetëm për një numër të kufizuar vaksinash që do të shërbenin për funksionimin normal të arsimit në Kosovë. Pra ashtu siç e thotë edhe z. Ramabaja, është koha të jemi në anën tonë. Por duke zgjedhur rrugët me kujdes dhe pa bërë vlerësime dogmatike situatash.
add a comment