Politikë

Ibish Neziri: Të urojmë për një fillim të ri!

Numërimi së prapthi filloi. 3,2,1 dhe ja, dita zero. Të urojmë për një fillim të ri! Këtë herë ishim me fat se fushata zgjedhore ndonëse filloi që ditën që u shpallën zgjedhjet, zyrtarisht nuk ishte më e gjatë se 10 ditë. Filluan debatet, përplasjet, sharjet, shpifjet, besa as fyerjet nuk munguan, por ja, kështu e kemi ne shqiptarët e të dy anëve të Drinit që na ndanë mes për mes. Çfarë nuk dëgjuam! Thirrje për ballafaqime, për të mos u thënë duele.  Konstatime se ky apo ai po frikohet. Këtij apo atij i mungon programi, kjo apo ajo parti ma ka kopjuar programin ngase e kam më të mirë dhe puna e këtyre programeve nuk ka si të mos na i kujtoj programet e partive politike që i gjasonin si veja vesë, sidomos të atyre partive të viteve 90- ta, të cilat lejen e regjistrimit e kishin marrë në Beograd, nëse nuk gaboj, prej Vllado Kambovskit.

U premtua, gjithçka e çdo gjë. U ndërtuan ura edhe ku nuk ka lumenj dhe aty ku nuk pat ura u quan edhe lumenjtë t’ua ndërtojnë urat që vetëm e vetëm banorëve t’ua lehtësojnë jetën dhe kështu ndodhi para të gjitha zgjedhjeve. U premtuan dhe u ndërtuan rrugë dhe u shtrua asfalt gjatë këtyre 22 vjetëve, të cilin vërshimet e këtij viti e nxorën se nuk ishte më shumë se qilim stazë, madje siç i karektarizuan ca të rinj edhe me humor duke thënë se ai edhe mund të shkundet si qilim (tepih).

Gjatë të gjitha fushatave parazgjedhore u premtuan edhe hapje vende pune e punësime dhe nëse themi se nuk ka pasur punësime, vërtetë deputetëve e qeveritarëve thellë do t’u hynim në hak. Punësime pat, si nuk pat? Nuk iu mbet mik a mikeshë e pa punësuar, nuk iu mbet baxhanak as baxhanakeshë pa punësuar, nuk iu mbet dajë as teze pa punësuar, e për vëllezër e motra as mos të flasim. Për ta u zgjodhën punët më të rënda – punë në diplomaci. Dikush ambasador, dikush zëvendësambasador, dikush ministër këshilltar e dikush konsull a zëvendëskonsull, përplotë ambasada e konsullata me vëllezër e motra, me djemë e me vajza, madje – madje u shpikën edhe tituj diplomatik, që nuk njihen në historinë e diplomacisë, për ta rehatuar vëllain e një ministri. Vëllezër e motra e djemë e vajza, ndonjë baxhanak a baxhanakeshë lëvizin nga ambasada në ambasadë e nga konsullata në konsullatë. Më vije keq dhe iu kërkoj ndjesë atyre pak që nuk janë emëruar mbi këto baza dhe që performancën e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë të mirë. Nga qeveritë e kaluara u hapën edhe qendra kulturore të Kosovës në botë, njëra prej të cilave në Cyrih të Zvicrës , e cila më të shkurtë e pati jetën se përpjekjen për t’u hapur.

Edhe në këtë fushatë, që të lumtë ne qe nuk e patëm më të gjatë, çdo gjë e gjithçka dëgjuam. Nuk mbeti gjë pa na u premtuar nëse ne ua japim votën dhe i mbajmë edhe për nja njëzetë vjetë tjera në pushtet ashtu siç i mbajtem deri tani. U premtuan punësime e rritje pagash dhe gati gati u dyfishuan ato në premtimet e atyre që për këto 20 vjetë sa herë e kapen pushtetin, i harruan. Por, shumë herë u tejkaluan edhe kufinjtë me rrena, shpifje e maskarallëqe tjera prej veprimtarëve politikë dhe kandidatëve për deputetë, me të cilët e bashkuan dhe u bënë një edhe disa, t’u thuhet analistë, që janë largë të qenit të tillë, t’u thuhet panelistë, qe besa nuk u shkon ngase më mirë do t’u kishte shkuar t’u thuhet rrenca, shpifarak e ndonjë fjalë tjetër si mmth Valon Syla e Berat Buzhala, që me çdo gjë i gjason vjedullës po jo edhe njeriut. Shpifen për Albin Kurtin – punë e madhe! Shpifën edhe për të tjerë të VV-së drejtpërdrejtë e tërthorazi, madje shkuan deri aty sa t’ua mveshin fajin edhe për kushërinjë e djemë xhaxhallarësh, të cilët nuk i kanë në shtëpi dhe të cilët nuk janë minorë, siç ndodhi mbrëmë kur Xhelal Sveçla u atakua nga Vebi Kajtazi se e paskësh një djalë axhe në burg në Maqedoni të dënuar për narko trafik. Zoti Sveçla u atakua ngase paskësh djalë axhe filan fistekun, por nuk u tha nëse ai vetë ishte pjesë e ndonjë grupi narkotrafikantësh apo bashkëpunëtor i djalit të axhës, i cili 100% do të jetë i moshës madhore dhe nuk do ta ketë pasur kujdestar Xhelal Sveçlën, por edhe kjo si thotë populli, punë e madhe. Në këtë fushatë, që mos na raftë ta harrojmë, u sulmua edhe simboli i rezistencës kombëtare dhe nderi i kombit, Adem Demaçi. U sulmuan edhe të burgosurit politikë, të cilëve lëkurën ua ropën nëpër burgjet jugosllave për Kosovën Republikë e për bashkim kombëtar edhe etër të disave që ishin të privilegjuarit e të gjitha pushteteve të pasluftës në Kosovë, e madje edhe ministra kuisling të Rrahman Morinës e Sllobodan Millosheviqit.

Mos të zgjatem shumë me këto, ngase numërimi së prapthi ka filluar dhe uroj që të gjitha këto t’i përkasin të kaluarës e të jenë ëndrra dhe asgjë më shumë.

Ndryshimet e pushteteve po ndodhin dhe kjo po shihet qartë, por a do të ndodhin ndryshimet e premtuara, të cilat në ditën Zero po pritet të ndodhin në formë referendumi, nuk jam i sigurt, por jam i sigurt se nuk do të ketë më 20 vjetë pritje. Ia tha edhe ajo zonja në Ferizaj Albin Kurtit, zëri i së cilës ishte zë i popullit e zëri i popullit është zë i zotit.

„Nëse nuk punon mirë, nëse punon sikur këta, ty nuk do të presim 20 vjetë.“

Ashtu qoftë!