Trendi i viteve dekada na ka ndjekur me identifikimet e ndërsjella në shekullin që lamë pas. Filli i tij parashkroi identitetet dekada në fytyrat e viteve hyrëse. Filli i shekullit qe mashtrim dhe shqiptarët besuan në reformimin e Stambollit. Por, Porta nuk u tund as nuk u shkund, dekada përfundoi shpejt dhe shqiptarët u gjetën në luftërat e fillimit të dekadës së dytë për çlirimin e vendit. Përveç luftës me Otomanët, që në fill të dekadës së dytë, ne mësuamë se armiqësitë e fqinjëve ishin shtuar me aspirata gllabëruese të territoreve të Shqipërisë. Dekada e tretë nisi me goditjen e viseve nën pushtim dhe u bë identitet eliminimi i gjithë plejadës së atdhetarëve që ishin dora e parë e çlirimtarëve të mbrujtur nga Rilindësit. Në atë dekadë u vranë gjithë shtyllat e patriotizmës së madhe, luftëtarëve për lirinë e Shqipërisë. Në dekadën e katërt ne hymë me mungesë autoritetesh të besimit të traditës, ku vendi nuk kishte më zot askund nëpër zonat e tij, për çka filloi e reja patriotike, jo e bazuar në fise e rajone, por në bashkimin e ri që imponoi mënyra e re e të jetuarit. Kapërcimi nga bashkimi përmes kryefistarëve dhe kryetrimave rajonal me aradhat e tyre, kjo dekadë njohu bashkimin kundër klasës, e cila u karakterizua më shumë në pjesën e vendit, që ia kishte dalur ta bënte shtetin shqiptar e fare pak apo aspak në trevat tjera, përjashto ata që po vijonin shkollimet në Shqipëri, kryesisht Shkodër dhe Elbasan. Dekada e pestë, ashtu sikur u imponua, u bë dekadë e çlirimit nga pushtimi nazifashist në Shqipërinë politike dhe atë nacional në Kosovë me Vise. Nacionalçlirimtarja ia doli çlirimit klasor, por jo edhe atij nacional në viset e pushtuara. Dekada e gjashtë hyri si furi rankoviçiste me dhunë e shpërngulje në Kosovë me Vise derisa fuqishëm hyri si zhvillim për çka futi Shqipërinë tonë në rrugën e industrializimit, kjo dekadë zhduku përfundimisht gjithë marrëdhëniet feudale në Shqipërinë politike dhe bashkë me industrializimin e vendit zhduku edhe analfabetizmin dhe formën e vjetër të marrëdhënieve shoqërore… Dekada e shtatë si asnjë dekadë tjetër hyri me stabilitet zhvillimi dhe arriti kulmin e tij të gjithanshëm në Shqipërinë politike, derisa në Kosovën e pushtuar me vise vargonjtë rankoviçist u këputën përkundër asaj që ata titoistë filluan të shtrëngohen me mashtrimin për barazinë e “bashkim-vëllazërimit” nën edhe diktatin e frymës kryengritëse të rinisë evropiane, të njohur si marshimi i saj 1968 ndikuar nga ngjarjet e Pragës. Ky mashtrim titoist, ia doli ta përlindë krijimin e kontingjentit “jugosllavët shqiptarë”, edhe pse më vonë kjo do të rezultojë vargonj në rrugën tonë të lirisë, ata ia dolën t’i vënë bazat e besimit federativ jugosllav për Kosovën si shoqëri të organizuar institucionale, të dalur konsiderueshëm nga shtrëngimi serb me lidhjen e re federative. Dekada e tetë, njohu stabilitetin e shtetit shqiptar, realitetin e zërit ndërkombëtar të tij me theks potencën rajonale, e cila u reflektua edhe në Kosovë me Vise. Universiteti i Prishtinës pasoi të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar dhe shtroi shtratin e autonomisë politike të nivelit federativ. Ky kulmim shqiptar rezultoi me shënimin e “100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, mbi frymën e të cilës u ndërtua historia e re, ndryshe thënë, gjeopolitikës ballkanase, dhe hapi Dekadën e nëntë me “Pranverën Shqiptare ‘81”. Këtë dekadë e karakterizon lodhja e rajonit dhe degradimi i marrëdhënieve të ndërtuara në gjysmë shekulli. Me të po binte edhe gjithë lindja moniste.
Dekada e dhjetë, sikur edhe është në natyrën e shekullit, u bë mbyllja e tij, e cila u mbyll më së miri si për ne shqiptarët e Kosovës së pushtuar, po ashtu edhe për popujt e shumtë të lindjes, duke filluar nga ai Gjermano-lindor. Me forma të ndryshme u hoqën tutelat pushtuese të popujve të shumtë. Derisa Shqipëria po e merrte veten nga ndryshimi i sistemit, Kosova ia doli ta shndërronte në luftë çlirimtare atë që filloi në dellin e dekadës: mos dëgjueshmërinë vepruese ndaj pushtuesit.
Shekulli që lamë pas na ka mësuar të kujdesemi kur lexojmë fillet e dekadave. Që ato t’i marrim më shumë si ngjashmëri bashkësie të viteve e të ngjarjeve, të cilat i fillojnë dhe i mbarojnë një nga kuptimësitë e tyre. Prioritetet e fillit të dekadave zakonisht edhe kanë përfunduar identitet i tyre në praktikën e më shumë se një shekulli të parë nga viti në vit e nga ngjarja në ngjarje. Ndaj, edhe kjo hyrje e tanishme në dekadën e tretë të shekullit tonë nuk mund ta bëjë përjashtimin. Ne po vazhdojmë atje ku hymë vitin e kaluar, në paqëndrueshmërinë institucionale e kaotizmin përfaqësues dhe fatin e vetënënshkruar keq për shumë tema të Shqipërisë së këndej Drinit, të shumë paqartësive politike edhe përkundër qëllimit të qartë të dëshirës popullore. Shqipëria andej Drini deri diku ka gjetur rrugën e dekadës, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe shoqërisë ligjore, pa të cilat dekada e zhvillimit që do e pasojë këtë rivendosje të shtetit mbi rregullat e tij as që mund të imagjinohej, sikur nuk ia doli të instalohej në gjithë këto tri dekadat e kaosit.
Dakada e Shqipërisë këndej Drini pa dallim, të bardhë a të zi, sikur duket në sfondin e ardhjes është strukturimi dhe konsolidimi i mendësisë së re në kushtet e përtej shtetit e shoqërisë në zhvatje, për çka secili proces ka qenë i destinuar për deformim të kollajshëm. Dilitantizmi i pushtetit në mendësinë e vakumit për të lindur gjykimi shoqëror, i cili na torturoi në këto dy dekada edhe pse po e ka të vështirë ta gjej rrugën e riardhjes, atij nuk do t’i mjaftoj koha, por as nuk do t’i gjej dot mjetet që të rietablohet. Ky fund i diletantizmit të kësaj klase sui generis, do ta karakterizoj dekadën e tretë këndej Drini, njëlloj sikur atë të andej Drinit, me vënien e shoqërisë në trasenë e rregullave.
Vdekja e mendësive të vjetra nuk mjaftohet me lindjen e gjysmave të mangëta. Andaj tërësisë sot i mungon gjysma kundëreaguese me të cilën në kundërveprim do prodhohej lëvizja, ecja përpara. Në rast mosardhjeje të gjysmës tjetër apo të një tejvonese, të saj, gjithçka mund të përfundoi në zhurmë që shtjerr zërin e ndryshimit nëpër korijet e të panjohurave.
Që kjo të mos ndodhë duhet përlindja e një veprimi të ri. Them veprimi të ri, meqë tashmë e kemi fjalën e re të kornizuar në tendencë ndryshimi, edhe pse fryma populiste afekton rëndë me atoritarizmin e pashmangshëm si prodhim e pranim mendësie! Dhe bashkë me fjalën kornizë e kemi edhe adresën e natyrën e përballjes. Identitetet e dekadave nuk marrin formë pa pasjen e dy anëve konkurruese në luftë-arenën me të keqen.
Kjo nevojë na hamendëson: Po futemi vallë në vitin e dekadës apo në dekadën e vitit?
Sido që t’i vjen dekadës identitarja, ajo për fund do ta ketë gjithë koloritin e hyrjes së saj, të radhitur në mozaikun e identitetit apo të shpërndarë në pengje mosrealizimi, por që të dyja rastet do ta bëjnë me emrin e njohjes.