Shkruan : Shemsije Elshani
Njëri prej instinkteve më të fuqishme të njeriut, është ai i vetëmbrojtjes. Vetëm një i marrë mund të qëndroj pasiv para rrezikut që kërcënon ekzistencën e tij. Një shoqëri normale i parasheh këto rreziqe dhe i aktivizon mekanizmat e vet mbrojtës. Madje edhe kafshët me instikt e ndjejnë kur kërcënohen qoftë vetë, qoftë të vegjlit e tyre; dhe ndërmarrin masa mbrojtjeje. Në shoqërinë tonë nuk ndërmerret asnjë masë, duken të gjithë sikur jetojnë në qiellin e shtatë, së paku aq sa po shoh në Fb e TV. Pushtetarët, u muar vesh, nuk janë kaq të aftë të parashohin rreziqet, ndaj as ata me të drejtë, nuk ndërmarrin asgjë. Por habit fakti që as ata që i kanë besuar fatin këtyre pushtetarëve nuk ndërmarrin asgjë; përkundrazi, i përkëdhelin, i servilosen këtij pushteti deri në përulje. Andaj me të drejtë dyshoj që pos me vetëdijen, edhe me instinktet tona, ka ndodhur diç serioze. Si mund të vije deri te topitja e vetëdijes dhe zbutja e instinktit vetëmbrojtës në një shoqëri?! Sipas Erich From-it, njëri prej shpjegimeve më banale është ai se udhëheqësit politik, bëjnë sikur ndërmarrin masa efektive, të cilat u japin mundësi atyre të parandalojnë rreziqet: konferenca pa fund, takime, bisedime, protokolle, hapje e mbyllje dosjesh etj. Krijojnë përshtypjen sikur ata i kuptojnë problemet dhe përpiqen t’i zgjedhin në një farë mënyre. Kurse në të vërtetë nuk ndodhin fare ndryshime serioze. Kështu udhëheqësit, vënë në gjumë vetëdijen dhe dëshirën për një jetë më të mirë, të qytetarëve, duke iu krijuar përshtypjen atyre se ata i njohin të gjitha problemet dhe se janë në rrugë të drejtë për zgjidhjen e tyre. Një spjegim tjetër (poashtu sipas E. F.) është se ndryshimet e domosdoshme në mënyrën e të jetuarit duhet të jenë aq radikale, sa që njerëzit më parë parapëlqejnë të jetojnë nën kërcënimin e një rreziku të ardhshëm sesa të sakrifikohen sot për një ndryshim shpëtimtar. Ndërsa një shpjegim tjetër për ndrydhjen e këtij instinkti vetëmbrojtës, gjithmonë sipas E.F. është se egoizmi i cili lind si rezultat i sistemit, i detyron këta udhëheqës t’a vënë interesin personal mbi detyrimin shoqëror. Në Kosovë, ky interes ka arritur deri në atë shkallë sa askush më nuk habitet kur udhëheqësit politik marrin vendime që iu shërbejnë interesave të tyre personale, por që janë të dëmshme për shoqërinë dhe për qytetarët. Një gjë është e sigurtë, ata që sillen kështu, nuk arrijnë të kuptojnë kurrë që lakmia e poashtu dhe nënshtrimi i bënë njerëzit më budallenjë, madje edhe atëherë kur sillen sipas interesit personal, duke u kujdesur për mirëqenien e tyre personale, të familjes së tyre dhe të të afërmve të tyre. Kjo mënyrë sjelljeje në Kosovë gradualisht ka marr formë edhe te anëtarët e thjeshtë të shoqërisë, të cilët janë zhytur në mënyrë egoiste në problemet e tyre personale, aq sa nuk i kushtojnë fare vëmendje asgjëje që del jashtë botës së tyre të ngushtë. Kështu edhe në rrethet e caktuara shoqërore, egoizmi ka filluar të konsiderohet vlerë, ndërsa budallepsja normale. Atëherë, nëse interesi dhe budallepsja përbëjnë bazën e moralit ekzistues, në shoqërinë aktuale, përse të presim që udhëheqësit e ardhshëm politik do të jene ndryshe?! Edhe ata do të jenë po kaq egoist dhe po kaq budallenj si këta të mëparshmit!