Politikë

Rama: Të ruhemi nga era e fortë e kësaj fitoreje, nisim nga Shkodra turin e falënderimeve

TIRANË, 15 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u shpreh sot se, fitorja e PS-së në zgjedhjet vendore të 14 majit është një fitore shumë e madhe për t’u festuar.

Në konferencën e parë për shtyp, pas fitores së PS-së në shumicën e bashkive në zgjedhjet vendore të 14 majit, Rama u shpreh se, në një rast kaq të veçantë si ky nuk mund të bënte një fjalim fitoreje, për një miting fitoreje.

“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vetë ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, e ka të nevojshme të shkojë sa më shpejt në Shkodër për të nisur nga qyteti më i bekuar nga Zoti dhe i keqtrajtuar nga robi, një tur falënderimi për gjithë shqiptarët.

“Nuk duhet ta harrojë askush se këto ishin zgjedhje vendore me një dimension politik të imponuar nga hijet e së shkuarës që tentuan ta tërheqin vendin mbrapa dhe i shikonin këto zgjedhje si aksion imagjinar drejt përmbysjes së qeverisë”, tha Rama.

Ai shtoi se, tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin, ne duhet të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata në nivelin vendor dhe të qeverisjes qendrore.

Rama informoi se, një grup pune do të përgatisë një raport të detajuar të leximit të votës mbi të cilin do të nisë puna më tej.

/gj.m/