Lëvizja\UÇK

Kadri Rexha: Monument atdhedashurie

MONUMENT ATDHEDASHURIE
Ditë më parë, nëpërmjet postës, nga miku im Ibish Neziri, veprimtar dhe publicist, mora librin e shumëpritur “Komiteti i Deçanit – LNÇKVSHJ” shkruar nga miku im Hasan Ukëhaxhaj, mësues i popullit, veprimtarë shumëvjeçar i çështjes kombëtare, organizator, bashkëthemelues dhe njëri ndër udhëheqësit e Komitetit të Deçanit, i dënuar me 11 vjet burg të rëndë për veprimtari atdhetare, anëtar i KP të LPK-së, veteran i UÇK-së së lavdishme, themelues i Këshillit për të drejtat dhe liritë e njeriut për Deçan, publicist, studiues, burrë i paepur në të gjitha valët e jetës. Lënda e librit, kronikë historike, kujtime, rrëfime autobiografike, evokime për të djeshmen dhe të sotmen, portrete bashkëveprimtarësh të tij të viteve të veprimtarisë legale dhe ilegale për progresin historik të shqiptarëve… dëshmon bindshëm formimin, qëndrimin, humanizmin, idealin dhe atdhetarizmin e autorit Hasan Ukëhaxhaj, fjala dhe veprimtaria e të cilit nuk bëjnë përjashtim nga njëra-tjetra. Për subjekt libri ka formimin dhe veprimtarinë e Komitetit të Deçanit, Grupit “Shqiponja” Komitetit të Drenasit, Grupeve të Mitrovicës dhe të Llapit nën kujdesin dhe udhëheqjen e veprimtarit atdhetar Ismail Haradinaj, komitete këto të formuara në bazë të Statutit dhe Programit të LNÇKVSHJ-së në krye me ideologun Jusuf Gërvalla. E mbështetur në rrethanat historike, kulturore, arsimore dhe politike të kohës kjo monografi publicistike letrare është e shkruar me gjuhë të pasur, me sintaksë të pastër shqipe, me shprehje figurative, me proverba popullore, me metafora, me alegori, me stil të dendur telegrafik, të gjitha këto të shprehura në formën dhe në frymën e traditës së rrëfimit popullor. Kjo vepër, monument atdhedashurie, me idetë fisnike çlirimtare, me porositë e çmuara kombëtare dhe me vlerat e shumta dokumentare, aq sa e nderon veprimtarinë dhe sakrificën e brezit liridashës të Demonstratave të vitit 1981, po aq e nderon përkushtimin dhe idealin krijues të autorit të saj.
Me redaktor: Ibish Neziri, recensent: Fatmir A. Arifi, lektor: Mr Sheremet Krasniqi, përgatitje për shtyp: MArt. Adil Beqaj, botues: Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, në 246 faqe, libri është shtypur në Shtypshkronjën “Lenagrafik”, Prishtinë, 2022.
Duke e falënderuar shumë për këtë dhuratë të çmuar, autorit Mr. Hasan Ukëhaxhaj i uroj shëndet dhe suksese të reja, ndërsa monografisë “Komiteti i Deçanit LNÇKVSHJ” i uroj rrugëtim të mbarë drejt lexuesit.
kr.