Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXVI) – CARRALEVA – FSHATI HISTORIK I GRYKËS LEGJENDARE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXXXVI)
CARRALEVA – FSHATI HISTORIK I GRYKËS LEGJENDARE
Fshati Carralevë, lumi Carraleva, Gryka e Carralevës, malet e Carralevës, betejat e Carralevës. Këto janë emërtime që përbëjnë një emër të veçantë, emrin Carralevë. Carraleva, e shtrirë në Grykën e Carralevës, në të dy anët e magjistrales Prishtinë – Prizeren dhe në të dy anët e lumthit Carraleva, njihet për pozitën strategjike dhe gjeografike, për të kaluarën historike, si një zonë kaluese nga Fusha e Kosovës në Rrafshin e Dukagjinit, si dhe për lidhjet lindje – perëndim. Ndodhet 7 km nga Shtimja, 22 km nga Suhareka dhe 16 km nga Komorani.
Carraleva, në të cilën ndodhen dy vendbanime antike dhe disa varreza e dy faltore të vjetra, në kohën romake quhej Vila Negra. Në kartën e Car Dushanit përmendet në vitin 1348 me emrin Çernonjeva, kurse në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 quhej Gornje Crnalovo dhe kishte 20 shtëpi. Edhe në defterin kadastral të Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 shënohet si Çirnalova, në defterin kadastral të Sanxhakut të Vushtrrisë të vitit 1566 – 1577 përmendet me emrin Dolina Çrnilova me 12 shtëpi, e në sallnamet e Vilajetit të Kosovës është quajtur Çernalova. Një udhëpërshkrues anonim, gjatë udhëtimit të tij nga Venediku në Stamboll në vitet 1559/1560, ishte ndalur në Vila Nigra (Carralevë), ku e kishte përshkruar natyrën e saj të bukur.
Sot Carraleva është një fshat i tipit të shpërndarë me shtatë lagje, me rreth 150 shtëpi e me rreth 1100 banorë. Një pjesë e madhe e banorëve të këtij fshati janë shpërngulur nëpër qytete e një pjesë tjetër ka marrë udhët e mërgimit.
Gryka e Carralevës është një grykë e thellë mes maleve të larta, që shtrihet prej Qafës së Dulës e deri në afërsi të Shtimes. Gryka veçanërisht ishte e rëndësishme dhe vend strategjik, nga depërtonin ushtritë armike në tokat tona. Kalimi nëpër Grykë është bërë që nga antika, ndërsa rruga është ndërtuar rreth vitit 1860, kurse në vitet 1967 – 1968 është asfaltuar. Një dekovil (hekurudhë me binarë të ngushtë) ishte ndërtuar në vitin 1915 nga austro-hungarezët në relacionin Ferizaj – Vërmicë (kufiri me Shqipërinë).
Gryka gjeostrategjike e Carralevës ka hyrë në historinë kombëtare si një grykë legjendare, ku janë zhvilluar beteja të mëdha për t’i mbrojtur trojet tona. Më 20 prill 1881 Dervish Pasha, me 15 mijë ushtarë osmanë, në rrugë për Prizeren u ndesh me kryengritësit shqiptarë në Slivovë, Shtime e Grykë të Carralevës. Duke parë dëmin që shkaktonin topat e armikut, Mic Sokoli me një grup bashkëluftëtarësh sulmuan drejt zjarrit armik, por ra heroikisht para grykave të topave. Ushtria osmane vazhdoi rrugën duke vrarë popullsinë dhe duke djegur fshatrat, me ç’rast kapën dhe varën në një lis edhe kryengritësin, anëtarin e Shtabit Ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, Sefë Kosharen. Pas rënies së Slivovës dhe Shtimes në duar të armikut, një grup vullnetarësh në krye me Sylejman Vokshin, u erdhi në ndihmë kryengritësve, duke organizuar sulme përgjatë rrugës në Grykë të Carralevës, në Qafë të Dules e në Suharekë.
Ishte maji i vitit 1910 kur në Carralevë, nën udhëheqjen e Isa Buletinit e Sefer Kleçkës, janë tubuar rreth 8000 kryengritës shqiptarë. Kryengritësit u dolën në pritë ushtrisë osmane, që po marshonte drejt Prizerenit për ta shuar zjarrin kryengritës në krahinat veriore të Shqipërisë. Kryengritësit u ndeshën me ushtrinë osmane të Turgut Pashës, që numëronte 20 mijë ushtarë, më 8 deri 11 maj 1910 mes Shtimes, Jezercit e Carralevës. Beteja ka përfunduar me shumë të vrarë e të plagosur nga të dy palët ndërluftuese.
Në vitin 1912 pushtuesit serbë kanë bërë krime të tmerrshme ndaj banorëve të fshatit Carralevë. Gjatë një tërheqjeje në Luftën e Parë Botërore, ushtria serbe kishte pushuar dhe e kishte kaluar një natë në Carralevë. Në mesin e ushtrisë kishte qenë edhe Kral Aleksandri, i cili e kishte kaluar natën në një odë të fshatit. Në vitin 1930 në Carralevë ishte ndërtuar një stacion xhandarmërie, ku zhvilloheshin tortura mbi popullsinë e fshatit dhe të fshatrave përreth.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 3 janar 1943, një kolonë e motorizuar italiane, e cila qarkullonte nëpër Grykën e Carralevës, kishte rënë në pritën e çetës partizane “Bajram Curri”, të cilën e komandonte Fadil Hoxha. Në atë pritë ishin vrarë disa karabinierë italianë, kurse nga partizanët kishte rënë i riu nga Mitrovica, Avdullah Shabani.
Carraleva, si një vatër e nxehtë lufte, ishte ndër fshatrat e para ku jehuan krismat e pushkëve të lirisë. Rreth 30 djem e vajza të fshatit janë përfshirë në radhët e gjata të UÇK-së, katër prej tyre kanë rënë Dëshmorë të Atdheut. Gjatë luftës nga forcat serbe janë vrarë edhe 14 banorë dhe është djegur tërë fshati, duke përfshirë shkollën dhe xhaminë. Luftëtarët trima të Carralevës dhe të fshatrave fqinje, në qershor të vitit 1998 e kanë mbyllur në tërësi, për tre muaj me radhë, rrugën Prishtinë – Shtime – Prizren nëpër Grykën e Carralevës. Kalimi nëpër këtë Grykë dhe nëpër Carralevë ishte bërë i pamundshëm dhe i pakalueshëm për çdo mjet policor e ushtarak serbë.
Në Carralevë dhe përgjithësisht në Grykën e Carralevës ka pak tokë bujqësore. Popullsia e saj është marrë më pak me bujqësi (kultivimi i lakrës, misrit e groshës) e më shumë me blegtori dhe pylltari (shitja e drurit dhe prodhimi i thëngjillit të drurit), pastaj me prodhimin e gëlqeres në furra primitive etj. Carraleva ka pas një minierë guri, nga më të vjetrat dhe më të mëdhatë në Kosovë, ku me dekada është nxjerrë guri gëlqeror. Tri vjet para LDB, nga viti 1936 deri në vitin 1939 në Carralevë është nxjerrë edhe xehja e hekurit, që pastaj është shitur në Hungari. Fshati Carralevë dikur kishte dy hane e një shitore, kurse pas lufte janë hapur: një motel, dy pika karburanti, punëtoria për prodhimin e dyerve plastike, punëtoria për llamperi dhe dërrasa, disa shitore, ferma shpendësh etj. Në lumin e Carralevës, degë e majtë e lumit Sitnica, i gjatë 26 km, pos për ujitjen e tokës, vetëm në Carralevë dikur kishte tetë mullinj dhe një “valavicë” (derstil).
Para LDB, në vitin 1927, në Carralevë është hapur shkolla pesë klasëshe në serbisht dhe mejtepi në vitin 1937. Ndërkaq, shkolla e parë shqipe katër klasëshe është hapur në vitin 1945 nga një hoxhë i fshatit, kurse si shkollë e plotë 8-vjeçare u shndërrua në vitin 1969, kur mori emrin e dëshmorit të rënë në Carralevë, “Avdullah Shabani”. Sikur në shumë shkolla të Kosovës, edhe në shkollën fillore të Carralevës, më 30 mars 1990, ndodhi helmimi i nxënësve dhe i arsimtarëve, me ç’rast kishin pësuar 16 nxënës dhe dy arsimtarë.
Carraleva është një fshat i bukur piktoresk, shumë tërheqës. Ndodhet në një reliev të thyer, në një grykë mes malesh, ku paraqiten pamje madhështore. Natyra e fshatit ka krijuar kushte e mundësi shumë të mira edhe për zhvillimin e turizmit malor. Pas një të kaluare shumë të rëndë në robëri, pas të gjitha atyre ngjarjeve historike, pas varfërisë së skajshme, Carraleva e pasluftës së UÇK-së është duke u ndërtuar e përparuar, është duke marrë pamje edhe më të bukur, duke i përngja gjithnjë e më shumë një qyteze të vogël, të bukur e simpatike.