Politikë

Institucionet shkencore të Shkupit, Tiranës e Prishtinës në krah të Luftës Çlirimtare të UÇK-së

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) ka publikuar një deklarata të përbashkët të institucioneve shkencore e kulturore të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

Sipas njoftimit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave kjo deklaratë e përbashkët ishte planifikuar të publikohet pas Sesionit shkencor  “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – vlerë kombëtare”, që ishte planifikuar të mbahet më 25 nëntor 2020, me rasti e 23 vjetorit të daljes në skenë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

“Mirëpo, për shkak të përhapjes së madhe të pandemisë së Covid-19 dhe masave qeveritare për parandalimin e kësaj përhapjeje, u detyruam që punimet e këtij Sesioni të shtyhen për një kohë të mëvonshme kur të normalizohet gjendja. Megjithatë, meqë në kuadër të këtij aktiviteti ishim dakorduar të dilej me një deklaratë të përbashkët, po e bëjmë këtë duke e publikuar dhe ofruar opinionit përmes mediave si dhe uebfaqeve tona”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Në këtë deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga drejtorët e institucioneve kryesore shkencore dhe kulturore nga Shqipëria, Kosovës dhe Maqedonia e Veriut, (pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës), ndër të tjerash konkludohet se themelimi i Dhomave të Specializuara në Hagë të Holandës, për gjykimin e ish -pjesëtarëve të UÇK-së janë ngritur mbi akuza me motive politik.

Sipas kësaj deklarate, Dhomat e Specializuara janë një precedent historik.

“Ato janë imponuara me vendim politik të Këshillit të Evropës, bazuar mbi në aktakuzë publike, gjithashtu politike. Si të tilla, gjithkush ka të drejtë të shprehë vlerësimet e mos pajtimit për gjithçka që lidhet me reflektimin e këtyre akuzave dhe qëllimeve politike gjatë ngritjes së Dhomave të Specializuara dhe në veprimtarinë e mëtejshme të saj,  pasi kjo vë në dyshim dhe e kompromenton paanësinë e besimin për një gjykim të drejtë e të pandikuar”, thuhet ndër të tjerash në këtë deklaratë të përbashkët.

Deklarata është nënshkruar nga kryearti i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi (në deklaratën emri i ASHAK është shkruar gabimisht: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Shqipërisë); nga Hysen Matoshi, drejtor i Instituti Albanologjik në Prishtinë; Sabit Syla, drejtor i Instituti të Historisë, “Ali Hadri” në Prishtinë; Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë; Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup; Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Kombëtar të Tiranës; Ajet Leci, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Bedri Zyberaj, drejtor i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Deklaratat e përbashkët e drejtuesve të Institucioneve shkencore e kulturore Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut: