YLLI ÇABIRI ELBASANASI TIPIK I ZGJUARSISË, STUDIMIT DHE SHUMË MË TEPËR
Pasditja e sotme na solli dhe lajmin e hidhur. U nda fizikisht nga familja, të afërmit, miqtë dhe shoqëria, dr. Ylli Çabiri.
“Ylli Çabiri u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1950. U diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës, dega “Mekanikë”. Studimet e Thelluara Pasuniversitare i kreu në Francë, në Universitetin Paris XI, për “Metalurgji fizike”. Fitoi vlerësimin “Shkëlqyer” nga Universiteti francez për Studimin e tij të Doktoraturës mbi Çeliqet shqiptare.
Në vitet e para të demokracisë, u emërua Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë në dy Qeveri: Qeverinë e Stabilitetit, të drejtuar nga Z. Ylli Bufi, dhe Qeverinë Teknike, të drejtuar nga Z. Vilson Ahmeti. Më pas punoi si Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, Ekspert Ndërkombëtar i monitorimit dhe vlerësimit të financimeve të Bashkimit Europian në shtetet e ndryshme të Ballkanit, Këshilltar politikash i Ambasadorit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Tiranë dhe Këshilltar i Kryeministrit. Ylli Çabiri është themelues i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC).
Deri në vitin 1988, ka punuar si: Drejtues i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Siderurgjike, më pas Drejtor në Këshillin e Ministrave, Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit me Jashtë dhe Zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme.
Një numër i madh studimesh mbajnë autorësinë dhe kontributin e tij në fushën e qeverisjes së mirë, koordinimit të ndihmës së huaj, decentralizimit të pushtetit , ndarjes territoriale, ecurisë së reformave, varfërisë dhe pabarazisë, punësimit, arsimit, etj.
Ylli Çabiri ka qenë anëtar i Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan. Është vlerësuar me titullin “Honoris Causa”, nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” – Elbasan ku shërbeu për disa vite si anëtar i Bordit drejtues të tij. Dr. Ylli Çabiri është Qytetar Nderi i Tiranës, Korçës dhe Beratit.” (Referuar nga Gazeta Tema on line, dt. 12 dhjetor 2022, ora 17.⁰⁸)
Potenciali i tij intelektual është thesar i rrallë që mban vetëm emrin e tij. Si elbasanas me trashëgimi qytetarie, Ylli Çabiri ka qenë nga ata miq të interesuar dhe ndjekës të publikimeve të veprimtarive të OKDA Elbasan, ku në një nga rastet, na përgëzon për pjesëmarrjen e gjerë të të rinjve.
Për këtë personalitet të intelektualizmit ka fjalë pa fund për të thënë, sepse ai ishte dhe mbeti njeri me potenciale të larta njerëzore.
Është e vështirë të thuash lamtumirë për ty, miku ynë, elbasanasi tipik i zgjuarsisë, studimit shkencor e shumë më tepër, ndaj, në vend të saj, ne të falenderojmë për krenarinë që i ke dhuruar Elbasanit dhe Shqipërisë!
add a comment