Dy fjalë dashamirësie për propozimin e qendrës « Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur »
Nocioni – termi « gjenocid », që njohim sot, është përdorur në vitin 1944 nga juristi polak (me prejardhje çifute), Rafael Lemkini, për praktika që karakterizohen me shfarosjen e popujve, grupeve etnike, etj. Ekspedita shtetërore – ushtarake dhe të formacioneve të ndryshme të armatosura, me qëllim të shfarosjes së plotë apo të pjesshme të një etnie, kombi a race, historia e shoqërisë njerëzore ka njohur me bollëk. Por, qysh se ka hyrë në përdorim ky koncept OKB – ja ka njohur tri gjenocide të kryera : gjenocidin ndaj popullit armenian, që ka kryer Turqia në vitet 1915 – 1916, gjenocidin ndaj çifutve (hebrenjve), të organizuar dhe kryer nga Gjermania hitleriane – naziste dhe gjenocidin e hutuve ndaj tucive në Ruanda. Termi « gjenocid » është përdorur edhe për vrasjen dhe masakrimin sistematik që kanë kryer forcat pushtuese gjermane në Jugperëndim të Afrikës gjatë viteve 1904 – 1908, ndaj fiseve Nama dhe Herero, etj. Koncepti ose termi « gjenocid » që nga viti 1944 ka njohur dimenisone të reja dhe është « pasuruar » në përmbajtje, ka marrë edhe kuptime tjera. Për kuptimin e termit « gjenocid », për definimin dhe shpjegimin e tij edhe sot vazhdon debati midis specialistëve të fushave të ndryshme…
Propozimi i qendrës « Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur », sipas meje, meriton vëmendjen dhe mendjen e specialistëve të fushave të ndryshme, të instituteve të specializuara, të politikës zyrtare shqiptare dhe të gjithë shoqërisë sonë, sepse është çështje përtej kornizës së një OJQ – je, përtej partive politike shqiptare dhe përtej kufijve të Republikës së Kosovës, të trashëguar nga diktati shtetëror pushtues i Beogradit. Propozuesit, kur thonë « gjenocidi në Kosovë », do të bënin mirë të jepnin një shpjegim (me një fusnotë) se ç’kuptojnë me konceptin Kosovë : Kosovën në kufijtë e sotëm politik – shtetëror apo me « Kosovë » kuptojnë, siç e kuptonin dikur LPK – ja dhe Shqipëria politike, të gjitha trojet e pushtuara shqiptare nga federata jugosllave? Pyetjen po e bëj thjeshtë për t’u shpjeguar shqiptarët me karakterin dhe përmasën kombëtare të simbolit të propozuar dhe për të thënë, sipas mendimit tim, që simboli duhet të jetë panshqiptar.
Simboli i propozuar në formë është pothuajse i njëjtë me simbolin armenian (me ndonjë ndryshim – përshtatje të parëndësishme), por në përmbajtje dallon më shumë. Po të ishte simbol i zgjedhur për një OJQ sigurisht që nuk do të kishte arsye për debat ndërshqiptar dhe as për mendimin tim.
Lulja e përzgjedhur nga armenianët për të shënuar 100 – vjetorin e gjenocidit ndaj tyre ka ngjyrë vjollcë dhe ka pesë petale, kurse kjo e propozuara nga Qendra ka ngjyrë të kuqe dhe është me katër petale… Pesë petalet armeniane paraqesin popullin e shpërndarë armenian në pesë kontinentet e botës, kurse katër petalet e Qendrës paraqesin katër metodat e përdorura për shfqrosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Ngjyra e zezë në zemër të lules paraqet të shkuarën dhe kujtesën armeniane për gjenocidin që kishin bërë ndaj tij njëqind vite më parë, kurse në zemër të lulkuqes së Qendrës janë njerëz me mosha dhe gjini të ndryshme të popullit shqiptar, të vrarë në luftën e fundit, në Kosovën e kufijve të sotëm. Nygjra e verdhë në simbolin armenian paraqet të tashmen, me diell dhe ato 12 vijat paraqesin rajonet ku është kryer gjenocidi ndaj popullit armenian, kurse ngjyra vjollcë e ndritur na kujton unitetin e popullit armenian dhe ngjyra tjetër shpërfaq karakterin shpirtëror të këtij populli.
Pse do të doja që për simbolin e propozuar nga qendra “Gjenocidi në Kosovë – plagë e hapur » të debatohet gjerësisht, hapur dhe pa paragjykime?
E para, gjenocidin ndaj popullit shqiptar nuk bënë dhe s’kemi të drejtë ta kufizojmë në kohë dhe në hapësirë (në një krahinë të Shqipërisë), sepse projekte të shkruara dhe pjesërisht e plotësisht të jetësuara me persekutim, dhunë, terror, dëbim, vrasje dhe masakra sistematike, të organizuara dhe ekzekutuara nga qeveri e shtete fqinje, ka patur në gjithë gjeografinë shqiptare, në gjithë Shqipërinë dhe në kohë të ndryshme. Gjenocid i realizuar plotësisht, me plan dhe me formacione qeveritare, ka qenë dhuna, terrori, vrasja dhe spastrimi etnik i qyteteve dhe rajoneve shqiptare: Nish, Leskoc, Vranjë, Toplicë, Kurshumli, Prokuple, etj.. Ky gjenocit ndaj një krahine dhe pjese të popullit shqiptar (më e madhe se Kosova me kufijtë e sotëm!) nuk mund të mos jetë pjesë e kujtesës sonë kombëtare (pjesë e një simboli që një ditë mund të miratohet nga kombi ynë)… Gjenocid e kulturocid me (zhdukje të identitetit gjuhësor e kombëtar) është bërë nga Serbia e Mali i Zi edhe në Sanxhakun, deri vonë shqiptar dhe me territor gati sa Kosova me kufijtë e sotëm të imponuar. Gjenocid e kulturocid është bërë edhe në krahinat e pushtuara nga Mali i Zi (gjatë shekujve : XIX e XX), që përbënin rreth 60 % të territorit që ka sot ky shtet! Ta harrojmë atë gjenocid e kulturocid ?! Ta « fshehim » atë gjenocid ndaj një pjese të rëndësishme të kombit tonë prapa lulkuqes dhe katër petaleve të saj ?!! Mendoj, që nuk duhet ta bëjmë këtë gabim asnjëherë. Po me gjenocidin dhe kulturocidin ndaj Çamërisë – Shqipërisë së poshtme dhe shqiptarëve (edhe arbërorëve – arvanitasve), si do t’ia bëjmë ?! Një krahinë e pushtuar e Shqipërisë (më e madhe se Kosova e sotme), që njohu dhunën, terrorin, vrasjet, masakrat dhe dëbimin që kishin përjetuar bashkëkombësit e saj nga Nishi, Prokupla, Toplica, Vranja, Leskoci, Kurshumlia, Plava, Gucia, Podgorica, Bellopoja, etj. nuk ka si të « fshihet » e të « harrohet » me një simbol për gjenocidin në Kosovën e kufijve aktual !! Po gjenocidi ndaj shqiptarëve në Kumanovë, Shkup, Tetovë, Kërçovë, Manastir, Ohër dhe në trojet shqiptare në Maqedoninë tonë?! T’i harrojmë?! Nuk ka kaluar më mirë as Kosova Lindore, e cila edhe sot po i nënshtrohet njëlloj « gjenocidi të bardhë ». Gjenocid i ftohtë është kryer dhe kryhet edhe sot ndaj miliona shqiptarëve në botë (sidomos në Turqi !). Gjenocid, në kohë të ndryshme dhe nga qeveri, shtete e perandori është kryer edhe në territorin e Shqipërisë Politike (shteti ynë AMË), dhe jo më pak se në Kosovën e kufijve të sotëm. Prandaj, mendoj që ky simbol duhet të jetë unik për kombin shqiptar dhe jo vetëm për një pjesë të vogël të tij.
E dyta, gjithmonë sipas meje, Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për mbështetjen e mbarë kombit dhe të shqiptarëve kudo në botë për ta mbrojtur lirinë e fituar me lumenj gjaku dhe për t’u pavarësuar – shkëputur plotësisht nga Serbia dhe prania e saj. Kjo është çështje mbi çdo çështje tjetër, çështje që përcakton në shkallë të madhe fatin dhe të ardhmen e çështjes shqiptare në Iliri, ribashkimin e tij në një shtet. Sepse, jemi dëshmitarë të konflikteve dhe luftërave të përgjakshme që përditë e më shumë po marrin dimension planetar me vrasje, masakra dhe shkatërrime masive tronditëse ! Kosova shqiptare dhe kombi ynë duhet të gjitha energjitë mendore, shpirtërore dhe materiale t’i drejtojnë në mbrojtjen e qenies sonë dhe të pengojnë e të bëjnë të pamundur përsëritjen e gjenocidit, që Serbia shoviniste dhe fqinjët tanë do ta bënin pa u hamendur, po t’u jepej mundësia…
E treta, Prishtina, Tirana dhe Shkupi, duhet të kenë projekte dhe fonde të nevojshme fillimisht për ta argumentuar me prova dhe dokumenta të pakundërshtueshme gjenocidin që kanë kryer qeveritë dhe shtetet shoviniste ndaj popullit shqiptar, sidomos gjatë shekujve XIX dhe XX, jo për ne, por për botën… Pas kësaj « fushate » shkencore dhe botuese, ose krahas saj, duhet të bëhet fushatë e koncentruar (jo e decentralizuar dhe e parcializuar) dhe e mençur diplomatike për t’i bindur qendrat botërore se ndaj popullit tonë është bërë gjenocid në kohë dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë… Institutet tona shkencore në Tiranë, Shkup e Prishtinë nuk duhet të sillen si tifozë futbolli (rasti i Institutit të Historisë – Prishtinë) ose të heshtin si mumjet kur bëhen propozime si ky i Qendrës, por duhet të jenë pjesë aktive e hulumtimit, dokumentimit, argumentimit dhe debatit shkencor « për » e « kundër » nismës, përmbajtjes dhe formës, karakterit të simbolit, etj..
E katërta, unë mendoj që lulkuqja (lulja e gjakut) nuk duhet të jetë simbol i gjenocidit të kryer ndaj popullit tonë nga qeveri, shtete e perandori në periudha të ndryshme (simbol viktimizimi). Lulkuqja do të ishte mirë të mbetet simbol i heroizmit dhe i rënies së shqiptarëve në fushëbeteja kundër pushtuesve dhe i nderimit të tyre. Lulkuqja edhe nga britanikët dhe 54 shtetet e komonveltit është simbol i luftës, heroizmit rënies në fushëbeteja. Simbolikë dhe kuptim të këtillë ka edhe për Francën dhe francezët (veç me ngjyrë të kaltërt)… Specialistët e fushave të ndryshme, OJQ – të dhe institutet tona me kohë të mendojnë dhe krijojnë simbole të ndryshme dhe pastaj përmes një konkursi që mund të organizohet në shkallë kombi të përzgjedhet nga një komision kombëtar simboli që do të jetë unik për kombin dhe që do të miratohejë nga Tirana, Prishtina dhe Shkupi (kuvendet përkatëse).
Dhe, e fundit. E kuptoj entuziazmin dhe euforin e disave nëpër rrjetet sociale, por besoni që gjenocidi dhe simboli i tij janë çështje shumë më serioze se sa tifozëria në futboll. E bëra këtë vështrim me dëshirën dhe dashamirësinë më të madhe për t’i kontribuar kësaj nisme të shokëve tanë. Shpresoj, që edhe të tjerët, sidomos ata që janë specialistë fushash, të marrin mundin e të japin ndihmesën e tyre !
Prishtinë, më 10 dhjetor 2022