KUR SHTETI SILLET SI PARTI E PARTIA SI SHTET!
Kosova shqiptare pati dhe po ka vështirësi të prodhojë një klasë politike dhe shtetërore “institucionaliste”, që do të dallonte sjelljen partiake nga ajo shtetërore!… Mbase kjo është mendësi e trashëguar. Në kohën e Jugoserbisë socialiste pushtuese klasa politike krahinore mendonte, besonte dhe sillej siç mendonte, besonte e sillej Lidhja e tyre komuniste jugoserbe, me kutin e saj! Asnjëherë nuk diti, nuk dashti dhe nuk pati guxim politik e kombëtar të mbante përgjegjësit që kishte në shkallë krahine dhe të mbante anën e popullit dhe të kërkesave të tij për të drejta politike e barazi kombëtare!!… Pas shpërbërjes së Jugoserbisë socialiste pushtuese Kosova me kufijtë e saj krahinor mbeti nën pushtimin e Jugoserbisë “pluraliste” e “demokratike”!! Në kushte të pushtimit të egër “pluralist” në Kosovën shqiptare u krijua një parti politike që prodhoi një shtet, kuvend e “president” imagjinar!!… Kryetari i partisë nisi të besonte dhe të sillej si “president” shteti, kur Kosova vuante pushtimin e egër, dhunën dhe terrorin shtetëror të Jugoserbisë milosheviçiane, në kohën kur ky kryetar partie s’kishte siguri e kontroll as në Shtepine e tij!!…
E njëjta mendësi pas Luftës Çlirimtare: në vend se pas çlirimit të mendonin, besonin dhe silleshin si klasë politike e një vendi të çliruar dhe të merrnin përgjegjësinë e “legalizimit” dhe formalizimit të shkëputjes dhe pavarësimit të plotë nga Jugoserbia milosheviçiane, mendonin e silleshin si partiakë grindavecë!!
Tash, 14 vite pas shpalljes së Pavarësisë nga Serbia, shteti (kreu) mendon dhe sillet si parti, kurse partitë (krerët e tyre) në udhëtime dhe takime me diplomatë e zyrtarë-qeveritarë të huaj mendojnë, flasin e sillen si shtet (përfaqësues shteti)!!… Dijeni që s’është për të qeshur, por për të qarë!
add a comment