Vështrim/Analizë

Xh. Gjini: LOJA EVROPIANE E PAPRANUESHME DHE FYESE PËR LIRITË DHE TË DREJTAT THEMELTARE TË POPULLIT SHQIPTAR NË KOSOVË E RAJON (ILIRI)

LOJA EVROPIANE E PAPRANUESHME DHE FYESE PËR LIRITË DHE TË DREJTAT THEMELTARE TË POPULLIT SHQIPTAR NË KOSOVË E RAJON (ILIRI)

I copëtuar si asnjë komb tjetër në Evropë (në gjashtë shtete!!) me vulën e vendimeve të kësaj Evrope… I nëpërkëmbur dhe përbuzur skajshmërisht nga qëndrimet, politikat dhe projektet evropiane për Ilirinë (Ballkanin) dhe çështjen shqiptare… Të gjitha shtetet e këtij rajoni u krijuan dhe ngritën në tokat e Shqipërisë (ku pjesërisht e ku tërësisht) edhe me përkrahjen dhe vulën evropiane!! Nuk jemi pa faj edhe ne, shqiptarët, kryesisht paria që për pasuri e grada mohoi atdhe, flamur, gjuhë, komb e fe dhe u bë krah i pushtuesit otoman, që sa herë zihej ngushtë nga Rusia dhe satelitët e saj, nxirrte në treg si një plaçkë pa vlerë tokën e Shqipërisë dhe popullin shqiptar e bënte “kurban” për traktatet dhe marrëveshjet kapitulluese e vetëposhtëruese që bënte me Rusinë cariste dhe aleatët e satelitët e saj!! Të gjitha këto marrëveshje e traktate “legjitimoheshin” në konferenca e kuvende evropiane!! Të tjerë shqiptarë, kryesisht me dhunë e terror, u bënë e po bëhen grekë, malaziasë, serbë, “maqedonë”, bullgarë, turq, boshnjakë e “myslimanë”!!

Evropa po copëtonte dhe shkatërronte tokat dhe qenien shqiptare të një kombi e vendi që ishte mburoja e tij në kohët kur kërcënohej dhe mund të pushtohejë nga Perandoria Otomane!! Evropa (sundimtarët e saj) në vend se t’i jepnin dorën angazhoheshin dhe bëheshin krah i atyre që synonin pushtimin – copëtimin e Shqipërisë dhe shfarosjen e popullit shqiptar!!

Qëndresa dhe lufta me penë e me pushkë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e shpëtoi një pjesë të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar pa u zhbërë nga faqja e dheut… Krijimi i shtetit shqiptar në një pjesë të vogël të Shqipërisë ishte fryt dhe rezultat i mendjes, përpjekjeve, mundit, luftës vetëmohuese dhe sakrificës së popullit shqiptar (Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – Rilindjes Kombëtare). Shpallja e Pavarësisë nga Kuvendi Mbarëkombëtar i Vlorës (28 Nëntor 1912) ishte bërë për Shqipërinë e katër vilajeteve, “deri aty ku bukës i thonë bukë dhe ujit ujë”, thoshte Plaku i Urtë, Ismail Qemali… Fqinjët grabitçarë, të nxitur, frymëzuar dhe furnizuar me armë, para e njerëz  (sidomos me oficerë dhe armë…) u sulën si bishat e uritura mbi popullin e pambrojtur shqiptar dhe mbi tokat e Shqiperise… Përsëri ishte vula e kobshme evropiane dhe konferencat e saj që “legjitimonin” terrorin, masakrat dhe gjenocidin e satelitëve shovinistë të Rusisë ndaj popullit shqiptar si dhe grabitjen dhe përvetësimin e tokave të tij (më shumë se dy të tretat e Shqipërisë)!!…

Historia tragjike për popullin e copëtuar shqiptar po përsëritej edhe gjatë LDB dhe pas mbarimit të saj!! Pati tendenca dhe projekte edhe për zhbërjen e shteti të vogël shqiptar!! Vetëm pjesëmarrja masive në Luftën Antifashiste dhe radhitja në anën e duhur të historisë (përkrah Aleancës Botërore Antifashiste) e shpëtoi shtetin tonë shqiptar dhe pjesërisht edhe shqiptarët e pushtuar, që mund të vriteshin, masakroheshin dhe dëboheshin nga shtëpitë dhe tokat e tyre, siç bëri Greqia fashiste me Shqipërinë e Poshtme (Çamërinë)… Fat të njëjtë me shumë vullnet do t’i dëshironin edhe jugoserbët e Tito – Rankoviçit popullit të pushtuar shqiptar nga Jugoserbia, siç vepruan me popullin gjerman në Vojvodinë (mbi 800 000 banorë)! Jo që e lanë keq jugoserbët edhe popullin tonë të pushtuar me internime, burgosje, vrasje, terror, masakra, dëbim e gjenocid, por nuk ia dolën ta shfarosnin dhe dëbonin të tërin, falë edhe Lëvizjes Antifashiste në këto troje, ardhjes së Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, mobilizimit në Luftën Antifashiste dhe ndjekjen e ushtrive naziste- hitleriane… Përkrahja e shtetit tonë shqiptar edhe në ato rrethana të vështira ishte në një masë të madhe shpëtimtare… Mbarimi i LDB e gjeti shtetin shqiptar të çliruar, me udhëheqje dhe ushtri të fuqishme. Shteti ynë ishte vendi i parë i çliruar në Evropë, tërësisht me forcat e tij të armatosura… Ky fakt i bëri të papërdorëshme dhe të pazbatueshme tendencat, planet dhe marrëveshjet e fshehta për zhbërjen e shtetit shqiptar… Mirëpo, kësaj radhe ishte vula e Fuqive të Mëdha (jo vetëm evropiane!), fituese të Luftës, që “legjitimoi” edhe njëherë mosndryshimin e kufijve (pushtimin e dy të tretave të tokave të Shqipërisë)!! Për popullin e pushtuar shqiptar nga Jugoserbia nuk zbardhi dita e shumëpritur dhe e drejta e proklamuar nga Aleanca Antifashisteve për Vetëvendosje! Rezoluta e Konferencës së Bujanit u mohua dhe “zhvlerësua” brutalisht nga Jugoserbia e Tito – Rankoviçit…

Populli i robëruar shqiptar mblodhi forcat mendore, shpirtërore dhe materiale për vazhdimin e përballjes me pushtuesit jugotitistë dhe me kolaboracionistët e konvertuar në jugokomunistë. Me hapa të vegjël e të kujdesshëm po riorganizohejë qëndresa antipushtuese shqiptare… Me organizatat e krijuara nga Metush Krasniqi, Kadri Halimi dhe, sidomos nga Ai, që u bë simbol i Qëndresës Shqiptare, Adem Demaçi, Lëvizja Kombëtare Shqiptare hyri në një periudhë të re shpresëdhënëse dhe premtuese për popullin e pushtuar shqiptar nga Jugoserbia titiste…

Shteti pushtues jugokomunist, me gjithë aparatin e tij të persekutimin, dhunës e terrorit dhe me të gjitha sherbimet e tij të specializuara  të përgjimit, denoncimit dhe zbulimit nuk ia doli ta thyente dhe shuante Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, e cila për jatak kishte popullin që e lindi dhe rilindi, kurse për jorgan shtetin tonë AMË, i cili, deri në vitin 1998 ishte e vetmja  mbështetje dhe rreze dielli për shqiptarët e pushtuar…

Bashkimi politik i organizatave patriotike-krijimi  i LPK -së, më 17 Janar 1982, fuqizoi dhe konsolidoi më tej Lëvizjen tonë Kombëtare Antipushtuese… Rëndësinë e këtij BASHKIMI e kishte kuptuar mirë edhe Beogradi pushtues, që po ndiqte këmba-këmbës, me shërbimet dhe agjentët e tij, Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe përfaqësuesit e saj edhe në mërgim, jashtë Atdheut… Urdhëri, plani dhe verprimi i Beogradit për vrasjen e drejtuesve të LËVIZJES ishte i menjëherëshëm dhe kriminal. Por, Beogradi dhe jugotitistët pushtues nuk arritën ta shkatërronin BASHKIMIN e arritur… Tezat e OMLK – së për bashkimin në një Front – Lëvizje u qëndruan të gjitha vështirësive që kishte koha e pushtimit dhe e terrorit të organizuar shtetëtror… Ideatorët dhe përfaqësuesit BASHKIMIT – LËVIZJES, të vrarë nga shteti jugoserb, u bënë HERONJ dhe REFERENCË e padiskutueshme frymëzimi dhe përbashkimi për secilin veprimtar atdhetar në Atdhe dhe në mërgim… Me ngritje e rënie, me suksese dhe dështime, me pajtime e mospajtime, me hyrje e dalje nga BASHKIMI, që ishte vepër dhe porosi (amanet) e ideatorëve dhe realizatorëve të tij, ky bashkim politik në vitin 1987 (Mbledhja e Parë e Përgjithshme) u konstituua në një organizatë të mirëfilltë me program, statut dhe organe të zgjedhura dhe funksiononte e vepronte kudo në trojet e pushtuara, kudo në Evropë, Amerikë, Australi… si një organizëm i vetëm.

Programi, përkushtimi, mençuria, përpjekjet, mundi dhe sakrifica e  madhe e LPK-së u kurorëzuan me organizimin e Luftës së Armatosur Çlirimtare – krijimin e UÇK-së, që rezultoi me çlirimin e një pjese të tokave të pushtuara të Shqipërisë (Kosova në kufijtë e imponuar krahinor) dhe përmirësimin e dukshëm të pozitës së popullit shqiptar në Maqedoninë tonë dhe të kombit shqiptar në rajon, Evropë dhe botë…

Lufta Çlirimtare e LPK – UÇK – së dhe e kombit shqiptar e vuri para “aktit të kryer” botën Perëndimore… Lufta shqiptaro – serbe nuk mund të mbahejë e izoluar si në rastin e Kroacisë dhe të Bosnjës. Flakët e këtij zjarri, siç deklaronte edhe Kryetari amerikan, do ta digjnin edhe Evropën… Prandaj, Amerika po nxitonte që ta shuante këtë zjarr. “Kompromisi” edhe kësaj radhe ishte në dëm  të zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Ndêrhyrja e vendosur e NATO -s (bombardimet) i dha fund luftës shqiptaro – serbe, nga njëra anë, dhe shtyri zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare për një kohë të pacaktuar, në anën tjetër! Liri dhe të drejta të kufizuara iu njohën Kosovës vetëm në kufijtë e imponuar krahinor! Marrëveshja diskriminuese e Rambujes mbeti dokumenti kornizë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa vise!! Viset e Kosovës shqiptare mbetën nën pushtimin sllav (serbo-maqedono-malazez)!! Trojet e pushtuara të Shqipërisë mbetën të copëtuara sipas oreksit dhe interesave të Jugosllavisë titisto-rankoviçiane!! Megjithatë, përpjekjet e LPK – UÇK-së për çlirimin e këtyre trojeve vazhduan edhe pas vendosjes së UNMIK-ut dhe trupave të NATO-s (KFOR-it) në Kosovë… Me Luftë Çlirimtare pozita e popullit shqiptar në Maqedoninë tonë u përmirësua dhe avancua dukshëm. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare edhe në Maqedoni u ndërpre me ndërhyrjen e Fuqive Perëndimore…

Rezoluta 1244 e OKB -së “vulosi” marrëveshjen e Rambujes, e cila e dënonte Kosovën shqiptare me kufizime të rënda në liritë dhe të drejtat e saj themelore Kombëtare, politike, ekonomike,  të sigurisë, etj.! Këto “zgjidhje” të gabuara u sanksionuan edhe në kushtetuten e Republikës së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj në kundërshtim me projektin franko – gjerman (evropian) për një “autonomi substanciale”!! Dialogu me Serbinë, nën presionin e botës perëndimore (sidomos evropiane) dhe “zgjidhjet” e ofruara ishin dhunim dhe mohim i lirisë dhe të drejtës elementare për t’u bashkuar me shtetin tonë !! Edhe “zgjidhjet” për  organizimin dhe funksionimin e brendshëm territorial, administrativ e politik ishin në funksion të mohimit dhe dhunimit të lirisë dhe të drejtës themelore për t’u shkëputur dhe pavarësuar plotësisht nga Serbia shoviniste!! Pakica serbe dhe kisha ortodokse u përdorën dhe po përdoren si karta presioni dhe shantazhimi kundër Kosovës shqiptare dhe kundër lirisë dhe pavarësisë së saj!! Edhe kjo lojë e pistë dhe fyese për liritë dhe të drejtat themeltare të popullit shqiptar në Kosovē dhe rajon ka vulën evropiane!! Evropa po bënë lojë fyese edhe me çështjen e liberalizimit të vizave, me targat e makinave në Kosovën Veriore, me “listën serbe” dhe me ledhatimet që po i bënë Serbisë shoviniste luftënxitëse dhe përgjegjëse për luftërat vrastare e shkatërrimtare në Iliri (Ballkan)!! Prandaj, popullit shqiptar i duhet mençuria dhe forca shpirtërore e materiale që ta ndërtojë dhe imponoj rrugën dhe të drejtën e tij themelore për t’u shkëputur plotësisht nga Serbia dhe për t’u bashkuar në një shtet – Shqipëri. Vetëm atëherë do të jetë i përkrahur dhe nderuar midis  popujve evropianë…