Komenti

Xh. Gjini: ÇMONTIMI I SERBISË NË VERIUN E KOSOVËS ÇIMENTON POZITËN NDËRKOMBËTARE TË KOSOVËS SHQIPTARE DHE PARTNERITETIN STRATEGJIK ME AMERIKËN

ÇMONTIMI I SERBISË NË VERIUN E KOSOVËS ÇIMENTON POZITËN NDËRKOMBËTARE TË KOSOVËS SHQIPTARE DHE PARTNERITETIN STRATEGJIK ME AMERIKËN
Çoroditja dhe degradimi i politikës duket dhe shprehet qartë, sidomos, në deklaratat, pronocimet dhe qëndrimet e qullta (sharlataneske) të politikanëve dhe partive politike për Kosovën Veriore… Liria, pavarësia (shkëputja e plotë nga Serbia) dhe mbrojtja e Kosovës sonë do të duhejë të ishin çështje që i bashkojnë (unifikojnë) politikanët dhe partitë politike… Bashkimi i tyre rreth këtyre çështjeve do të ndikonte fuqishëm në bashkimin (unifikimin) e popullit, qytetarëve pa dallim dhe në zhvillimin dhe përparimin e vendit.
Përdorimi nga partitë politike dhe nga politikanët i Veriut të Kosovës (pjesë e pandashme e Republikës dhe e sistemit tonë politik e kushtetues…) për fushatë e për vota i bënë me marre dhe të papërgjegjshme partitë dhe drejtuesit e tyre. Një parti dhe një politikan që nuk e bën dallimin midis interesave jetike kombëtare (shtetërore) dhe interesave partiake (pushtetore) nuk meriton respektin e shqiptarëve dhe nuk do të duhejë të “vegjetonte” në skenën politike…
Partitë dhe politikanët seriozë çështjet me interes jetikë për kombin dhe shtetin nuk do t’i bënin kurrë çështje të fushatës zgjedhore dhe të luftës për pushtet.
Ç’nuk dëgjon e ç’nuk lexon nga politikanët dhe partitë e tyre… Disa, që nga momenti kur zgjohen nga gjumi (pa i larë faqet!) e deri kur shkojnë në shtrat (kur i mbyllin sytë!) flasin e shkruajnë se si dikush po na prish me SHBA-në, nga njëra anë, dhe se si dikush (kur të vjen në pushtet…) do të na bënte të lumtur me miqësinë dhe me miqtë tanë të përjetshëm!!? Ta merr mendja se SHBA-ja dhe interesat e saja gjeostrstegjike janë të lidhura përjetësisht me sytë e tyre të bukur!!
Para dy – tri dite një nga eksponentët e lartë të një partie deklaroi botërisht se “çmontimi i Serbisë në Veri të Kosovës e çmontoi Kosovën ndërkombëtarisht”!!? O tempora, o mores!
Me deklaratën e tij skandaloze ky farë politikani pranoi para opinionit tonë dhe atij ndërkombëtar se Serbia e ulur këmbëkryq në Republikën e Kosovës (pas Luftës Çlirimtare) nuk duhej shqetësuar dhe nuk duhej dëbuar nga territori ynë, sepse ky ishte çmimi i miqësisë me “ndërkombëtarët”!!? Jo vetëm kaq. Ky politikan me deklaratën e tij provoi për të satën herë se rikthimi i Serbisë dhe prania e saj në një pjesë të territorit të shtetit tonë të pavarur e sovran ishte bër me miratimin dhe bekimin e partisë së tij dhe të partive vasaliste që ishin pjesë e bisedimeve me Serbinë në hotelet e Vjenës e të Brukselit!! Kuptohet që bisedime në kurriz të Kosovës shqiptare janë bërë e po bëhen edhe larg syrit të popullit tonë dhe të kamerave!!
Kapitullimin e tyre në tavolinën e bisedimeve ky soj politikanësh e ka arsyetuar me “kushtin” e ruajtjes së miqësisë me “ndërkombëtarët”!!? Në fakt të gjitha koncesionet ndaj Serbisë shoviniste i kanē bërë për t’i ruajtur dhe fuqizuar interesat dhe pozitat e tyre prej vasalësh… Duke ruajtur interesat dhe pozitat e tyre në dëm të interesave dhe në dëm të pozitës së Kosovës, ky soj politikanësh kanë dēmtuar rëndë partneritetin dhe miqësinë strategjike me SHBA-në dhe kanë favorizuar “miqësinë” dhe partneritetin me ato vende dhe qeveri që Kosovën shqiptare e shohin dhe e duan të lidhur pas qerres së Serbisë!!
Mbrojtja dhe ruajtja e pranisë së Serbisë (kjo s’ka të bëjēf fare me liritë dhe të drejtat e pakicës serbe…), qoftë edhe simbolike, në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovēs është tendencë dhe projekt për minimin dhe çmontimin e pavarësisë, sovranitetit, integritetit dhe të pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Kushdo që vihet në anën e këtij projekti, me ose pa vetëdije, është kundër interesave jetike të Kosovës dhe të kombit shqiptar, është kundër partneritetit dhe miqësisë strategjike me SHBA-në dhe aleatët e saj…