Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCVII) – LUSHNJA – QYTETI I KONGRESIT QË SHPËTOI SHQIPËRINË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCVII)
LUSHNJA – QYTETI I KONGRESIT QË SHPËTOI SHQIPËRINË
Lushnja, e ndërtuar në një skaj të fushës së Myzeqesë e buzë kodrës së Darsisë, në lartësi mbidetare vetëm 67 metra, është qytet mesatar në Shqipërinë e Mesme me popullsi prej mbi 30 mijë banorë. Qyteti i Lushnjës është qendër administrative e bashkisë dhe e rrethit dhe bën pjesë në Qarkun e Fierit, si dhe qendër ekonomike, kulturore e arsimore e Myzeqesë. Në një pozitë të përshtatshme gjeografike, pranë auto udhës veri – jug, nga nis edhe segmenti drejt Beratit e Skraparit, qyteti paraqitet si një pikë strategjike rrugore dhe ekonomike.
Burimet arkeologjike e historike tregojnë se Lushnja ishte e vendosur në kodrën e Vainit, ku janë zbuluar gjurmët e një bazilike të hershme. Në zonën e Lushnjës është qyteti i hershëm i Babunjës (Arnisa) i shek. VI p.e.r. Në disa lokalitete arkeologjike janë zbuluar gjurmë të kulturës materiale; enë të qeramikës, varreza të lashta ilire, amfora, terakota burri etj. Në periudhën antike në trevën e Lushnjës është zhvilluar beteja mes Çezarit e Pompeut gjatë luftës civile romake, si dhe Beteja e Savrës e vitit 1385 (beteja e parë mes shqiptarëve dhe forcave invaduese osmane, e komanduar nga Balsha II). Në regjistrimin osman të popullsisë të vitit 1431 përmendet Lushnja me emrin Lusnye. Atëherë Lusnia ishte një fshat i vogël me 15 shtëpi dhe me rreth 100 banorë, kurse në vitin 1679 kishte 17 hane dhe rreth 150 banorë. Gjatë Perandorisë Osmane qendër administrative e “Nahisë së Myzeqesë” ishte fshati Karbunarë, që atëherë kishte pamjen e një qyteze. Pas tre shekujve si nahi dhe si kaza, Karbunarën, për qendër të Myzeqesë, e zëvendësoi Lushnja, të cilën autoritetet osmane e zgjodhën për qendër të nënprefekturës. Në vitin 1744 Lushnjën e gjejmë si një qytezë të vogël me 57 shtëpi dhe 500 banorë e në vitin 1850, kur e mori emrin e sotëm, kishte 200 shtëpi dhe 1800 banorë. Pas viteve 1700, kur përfshihet në Sanxhakun e Vlorës dhe përmendet me emrin Çiflig, fillon të zgjerohet dhe të merr pamjen e një qendre të rëndësishme të Myzeqesë. Gjatë viteve 1924 – 1939 në territorin e bashkisë së sotme të Lushnjës erdhën rreth 500 familje shqiptare nga Kosova, të dëbuar nga regjimi serb, që u shpërndanë në 30 fshatra.
Lushnja është një qytet i historisë sonë kombëtare. Gjatë vitit 1920 në Lushnjë janë zhvilluar dy kongrese të rëndësishme kombëtare: Kongresi i Lushnjës dhe Kongresi i Arsimit. Nga 21 deri më 31 janar 1920 në Lushnjë u mbajt Kongresi Kombëtar i Lushnjës, në të cilin u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar. Kongresi u mbajt në kohën kur në Shqipëri mbretëronte kaos i plotë dhe kur po rrezikohej nga copëtimi dhe grabitja e tokave nga fqinjët e saj. Kështu, pas Kuvendit të Vlorës, Kongresi i Lushnjës vlerësohet ngjarja më e madhe historike për shtetin shqiptar. Kongresi, ku morën pjesë 50 delegatë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, miratoi një akt, ku u ri konfirmua sovraniteti i Shqipërisë. Kongresi nuk e njohu qeverinë e Durrësit, zgjodhi Këshillin e Lartë prej katër personave dhe Këshillin Kombëtar prej 37 personave, zgjodhi kryeministër Sulejman Delvinën, vendosi që Tirana të bëhej kryeqytet i Shqipërisë, etj. Shtëpia, ku u mbajt Kongresi, që ndodhet në qendër të qytetit, nga viti 1960 është shtëpi – muze i Kongresit të Lushnjës. Po atë vit, më 15 gusht 1920, në Lushnjë u mbajt edhe një kongres tjetër, Kongresi i Arsimit. Ky Kongres ishte një ngjarje me rëndësi të veçantë për ngritjen e arsimit të sapofilluar shqip në tërë Shqipërinë. Kongresi vendosi për arsimim fillor të detyrueshëm, miratoi terma për gjuhën, aritmetikën e gjeometrinë, hartoi modele të orareve, të dëshmive shkollore dhe të dokumentacionit shkollor, vendosi për botimin e teksteve shkollore etj. Të kujtojmë se në Lushnjë është ngritur Flamuri Kombëtar një ditë para se të ngrihet në Vlorë, më 27 nëntor 1912. Lushnja mori pjesë aktive në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë me delegatët e saj.
Zona e Lushnjës është e pasur me vlera kulturore, historike, etnografike, arkeologjike… Në të veprojnë shumë institucione arsimore, kulturore, artistike, historike e sportive, si; Pallati i Kulturës “Vaçe Zela”, instituti bujqësor, biblioteka e qytetit, qendra e fëmijëve, stadiumi i qytetit, shkolla e mesme bujqësore, dega e Universitetit Bujqësor të Tiranës, etj. Lushnja ka tri muze; Muzeun Historik, Muzeun e Sportit dhe Shtëpinë – muze të Kongresit të Lushnjës, pastaj Dhomën – muze të Kongresit Kombëtar të Arsimit dhe Dhomën – muze të Dëshmorëve, Galerinë e Arteve etj. Nga Lushnja kanë dalë një mori personalitetesh të kulturës shqiptare, si Loni Papa, dramaturg, Margarita Xhepa, aktore, Vath Koreshi, shkrimtar, Ilia Shyti, aktor dhe regjisor, Vaçe Zela, këngëtare, e dekoruar me urdhrin “Artiste e Popullit”. Myzeqeja është trevë e njohur për trashëgiminë kulturore materiale e shpirtërore, veçanërisht për thesarin e pasur folklorik, për këngët e prajshme dhe vallet e zhdërvjellëta popullore.
Bashkia e Lushnjës, me reliev të butë, me fusha të gjera e kodra të buta, me 85 fshatra e 11 njësi administrative, është zona më e rëndësishme bujqësore në Shqipëri. Fusha e Bashkisë së Lushnjës shtrihet në pjesën më të madhe të Myzeqesë së Madhe, në rrjedhat e poshtme të Shkumbinit dhe të Semanit. Tokat e punuara të kësaj zone zakonisht mbillen dy e tri herë në vit, ndaj kjo zonë i furnizon me prodhime bujqësore tregjet e Durrësit, Tiranës, Vlorës, madje edhe tregjet e huaja. Prodhimet bujqësore nga zona bujqësore e Lushnjës shkojnë në vende të ndryshme të rajonit dhe në Evropën Perëndimore.
Lushnja i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, duke përfshirë edhe zhvillimin e turizmit. Në fushën e Myzeqesë, në një kodër 200 metra mbi nivelin e detit, ndodhet Manastiri i Ardenicës, i ndërtuar në vitin 1282 nga perandori bizantin Androniku II Paleologu. Në altarin e këtij manastiri e ka kurorëzuar martesën Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti me Donika Arianitin. Janë mbi 10 km bregdet i rrethuar me pisha, është laguna e mrekullueshme e Karavastasë, e mbushur me shpendë të llojeve të rralla… Në qytet ndodhen dy ura të vjetra karakteristike të shek. XII – XV, janë Varrezat e Dëshmorëve dhe shumë monumente të kulturës e të artit lushnjar. Qendrën e Lushnjës, pos tjerash, e zbukurojnë edhe shtatorja e mbretëreshës së këngës shqipe, Vaçe Zela, monumenti i Kongresit të Lushnjës, monumenti i shqiponjës dykrenore etj. Në trevën e Lushnjës janë krijuar kushte të mira për ecje në natyrë, për sporte ujore e peshkim në liqenet artificiale.
Gjatë udhëtimit drejt jugut të Shqipërisë nuk duhet humbur rasti të vizitohet edhe qyteti simpatik i Lushnjës, një qytet që do t’ju befasojë me bukuritë dhe kuriozitetet që ka.