Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCVI) – FIERI – QYTETI “ALAFRANGA” ME TRE LUMENJ E 13 URA

Shtegtime nëpër Atdhe (CCVI) FIERI – QYTETI “ALLAFRANGA” ME TRE LUMENJ E 13 URA
Fieri është ndër qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë, është qendër administrative e bashkisë, e rrethit, e qarkut dhe e prefekturës, si dhe qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore e Myzeqesë dhe Mallakastrës. Qyteti i Fierit lidhet me auto udhë dhe me hekurudhë, ndërkohë që hekurudha është jashtë përdorimit. Fieri ndodhet 112 km nga Tirana, 38 km nga Vlora, 46 km nga Berati dhe 28 km nga Lushnja.
Për herë të parë emri i Fierit, si një fshat i vogël, përmendet në dokumentet osmane në vitin 1737 me emrin Fierza. Në vitin 1769 fshati kishte vetëm 24 shtëpi të ndërtuara me qerpiç nga të ardhurit nga Voskopoja. Si qytet u themelua në vitin 1864 nga Kahreman Pashë Vrioni dhe djali i tij, Omeri, të cilët morën inxhinierë francez për ndërtimin e qytetit. Francezët i dhanë qytetit një pamje e planimetri urbane të stilit francez. F. Pukëvili, në vitin 1806, e ka quajtur Fierin “fshat i madh”, ndërsa rreth vitit 1854 Fieri është shpallur qytet. Janë dy hipoteza për prejardhjen e emrit Fier; e para, se rrjedh nga italishtja “Fiera”, që d.m.th. panair. Mendohet se emrin ia dhanë tregtarët venedikas në shek. XIV e XV, kur blinin prodhime bujqësore e blegtorale në këtë zonë. E dyta, se emri Fier rrjedh nga bima e fierit.
Qyteti i Fierit është nga qytetet më të mëdha e më të zhvilluara në Republikën e Shqipërisë. Derisa në regjistrimin e parë të popullsisë, në vitin 1923, kur ishte nënprefekturë e varur nga prefektura e Beratit, kishte 1500 banorë, në vitin 1965 kishte rreth 20 mijë banorë e në vitin 1982 rreth 35 mijë banorë. Pas vitit 1990 ndryshimet demografike edhe në Fier ishin të mëdha. Një pjesë e madhe e popullsisë dolën jashtë shtetit apo u vendosën në kryeqytet, kurse në Fier kanë zbritur popullsi nga fshatrat dhe nga rrethet e jugut të vendit. Derisa në vitin 1990 qyteti kishte rreth 40 mijë banorë, në vitin 2001 kishte 82 mijë, ndërsa sot vlerësohet që ka rreth 120 mijë banorë (si rreth ka rreth 300 mijë banorë). Të theksojmë se mes dy luftërave botërore, por edhe pas LDB në Fier kanë ardhur popullsi e dëbuar nga Çamëria e Kosova, por edhe nga viset tjera të atdheut.
(Emigrantëve shqiptarë nga Kosova e Çamëria, të cilët në shumë raste krijuan fshatra dhe lagje të reja, u jepej pak tokë dhe mjete të punës (parmenda, qe dhe farëra). Llogariten se deri në vitin 1935 në Shqipëri kishin ardhur 2895 familje me rreth 11 mijë vetë nga Kosova. Emigrantët nga Kosova u vendosën kryesisht në fushën e Myzeqesë).
Rrethi i Fierit, që përfshinë një pjesë e fushës së Myzeqesë së Madhe, të Myzeqesë së Vogël dhe të Mallakastrës, është rajon fushor – kodrinor në lartësi mbidetare 0 – 100 metra. Dikur zonë e prapambetur bujqësore, e mbushur me këneta dhe e vuajtur nga malaria, sot toka bujqësore e rrethit të Fierit është shumë pjellore, e cila mund të shfrytëzohet dy – tri herë në vit. Zona ka klimë të ngrohtë mesdhetare, ka tokë shumë pjellore, ka pasuri natyrore, që mundëson zhvillim të shpejtë ekonomik. Nga pasuritë natyrore janë ujërat e shumta, liqenet dhe lumenjtë Vjosa, Semani e Gjanica, si dhe kanalet kulluese, të cilat mundësojnë ujitjen e tokave të këtij rrethi.
Pas vitit 1945 e deri në vitin 1990 Fieri ishte qyteti i dytë në vend, pas Tiranës, për zhvillim ekonomik. Nëntoka e rrethit të Fierit, veçanërisht zona e Patos – Marinzës, është zona më e madhe naftëmbajtëse në Shqipëri, e pasur me gaz natyror, naftë dhe bitum. Që nga viti 1925 e deri në vitin 1945 shoqëritë e huaja i kërkuan, i zbuluan dhe i shfrytëzuan pa kritere burimet e naftës të kësaj zone. Ndërsa, në periudhën kohore 1945 – 1990, në saje të ndërtimit të kompleksit të madh energjetik – kimik, Fieri kthehet në një qendër e rëndësishme industriale. Në rrethin e Fierit nxirrej dhe përpunohej nafta, prodhohej energjia elektrike, ishte zhvilluar industria kimike, mekanike, ushqimore etj. Është interesant se Fieri kishte edhe një uzinë për pastrimin e pambukut, ngase në fushën e Myzeqesë kultivohej edhe pambuku. Në Fier e në Ballsh ishin ndërtuar dy termocentrale. Mirëpo, nga Uzina e plehrave “Azotiku”, nga Rafineria e Naftës në Ballsh dhe nga fushat e naftës është ndotur ajri dhe lumenjtë, duke e bërë Fierin qytetin më të ndotur të Shqipërisë.
Rrethi i Fierit njihet edhe për një traditë të pasur në folklor burimor dhe në veshje karakteristike popullore, me çka pasqyrohet kultura materiale e shpirtërore e popullit të kësaj ane. Teatri “Bylis” i Fierit, i krijuar në vitin 1971, me sallën me 500 vende, është nga teatrot më të suksesshëm profesionist në Shqipëri, prej nga doli një plejadë e tërë aktorësh me renome kombëtare. Fieri ka edhe Teatrin e Kukullave, Teatrin e Estradës dhe shumë institucione tjera kulturore e arsimore. Nga sfera e shëndetësisë vitin e kaluar Fieri e ka fituar një spital modern, Spitalin Rajonal Memorial, i ndërtuar nga Qeveria turke.
Edhe pse qytet i ri, Fieri ka histori të pasur. Me kontributin e Mehmet Ali Vrionit, në vitin 1878 është krijuar dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku mori pjesë edhe Abdyl Frashëri. Një komision i fshehtë për përhapjen e arsimit shqip ka vepruar në vitin 1901. Më 12 gusht 1912 është mbajtur Mbledhja e Fierit, e cila i krijoi mundësi Ismail Qemalit të shkonte në Stamboll për të kërkuar zyrtarisht autonomi për Shqipërinë dhe pastaj të kthehet në Shqipëri për ta shpallur pavarësinë. Fieri është qyteti i parë i çliruar nga Perandoria Osmane, në korrik 1912. Populli i rrethit të Fierit dha kontribut të çmuar edhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Veçanërisht, meritë të veçantë për çlirimin e vendit patën edhe gratë e vajzat. Kujtojmë ngjarjen e jashtëzakonshme, atë të 14 shtatorit 1943, kur 68 gra e vajza nga qyteti i Fierit, në mënyrë të organizuar, dolën partizane.
Me vijën bregdetare prej 27 km, që nga grykëderdhja e Semanit deri në grykëderdhjen e Vjosës, me plazhe të paprekura e të mrekullueshme dhe si një zonë e pasur arkeologjike, Fieri paraqitet ndër rrethet më turistike dhe më të vizituara nga turistët. Interesante për ta vizituar e bëjnë qyteti antik 2600-vjeçar i Apolonisë, qyteti antik i Bylisit, manastiri mesjetar i Ardenicës, i mbiquajtur si Kështjella e Myzeqesë, Muzeu i Fierit dhe muzeu arkeologjik i Apolonisë. Rreth 17 km larg Fierit gjendet Plazhi i Semanit, një pikë turistike 3.5 km e gjatë, e pasur me jod dhe e gjendur pranë një pylli të mrekullueshëm të pishave. Pastaj, kemi rezervatin natyror Pishë-Poro në sipërfaqe prej 500 hektarë, ku shtrihen pesë liqene të vogla në një natyrë të mbushur me pisha e shkurre, me lloj – lloj shpendësh e kafshësh të egra.
Fieri, një qytet i zhvilluar bashkëkohor, ka se çka t’u tregojë vizitorëve e turistëve të shumtë. Është mbiquajtur edhe “qyteti i luleve”, edhe “qyteti i 13 urave”, një qytet me pamje e model perëndimor, një qytet i rregulluar më së miri në Shqipërinë tonë.