Xh. Gjini: Djegia e shamisë që vret nga rinia iraniane
RINIA IRANIANE I VË FLAKEN SHAMISË QË VRET
Persia dhe persianët (Irani dhe iranianët) janë popull me qytetërim, traditë e kulturë të lashtë. Persisë – Iranit nuk i ka munguar dhe nuk i mungon as tradita shtetërore dhe as ajo e qeverisjes. Revolucioni islamik (përmbysja e madhe!) solli në pushtet Homeinin dhe “ajatollahët” e tij. Bazë legale e ushtrimit të pushtetit (dhunës) në Iran u bë “sheriati”, kurse ideologji e regjimit dhe e shtetit u bë religjioni (islami)! Populli iranian (edhe kurdët dhe pakicat tjera në Iran) u detyruan të jetojnë me rregullat e Republikës islamike! Vajzat dhe gratë janë të detyruara ta mbajnë shaminë në kokë! Zbatimin e këtij rregulli anticivilizues e antidemokratik e kontrollon dhe imponon shteti i “ajatollave” me dhunë policore e shtetërore. Këto ditë policia kishte ndaluar një vajzë të re (24 vjeçe) që nuk e mbante shaminë sipas rregullave të përcaktuara nga shteti islamik! Vajza e arrestuar kishte vdekur në duart e policisë që po e “hetonte”… Vdekja e kësaj vajze indinjoi rininë iraniane dhe gjithë popullin iranian, të cilit republika e “ajatollave” i ka ardhur majë hunde. Protesta dhe revolta shpërthyen në gjithë Iranin. Vajza e gra, të përkrahura fuqishëm nga vëllezërit, bijtë dhe burrat e tyre, kanë vazhduar dhe radikalizuar protestën e tyre edhe sot në Teheran (kryeqytet) dhe në qytete të ndryshme të Iranit. Vajza dhe gra iraniane kanë manifestuar pakënaqësinë e tyre duke djegur shaminë – simbol dhune, poshtërimi e shtypjeje, shaminë që vret, edhe publikisht në rrugë e sheshe. Duket që populli iranian, sidomos rinia dhe gruaja iraniane, nuk do të durojnë më veshjen dhe mënyrën e imponuar të jetesës… Duan të jetojnë, të vishen e të sillen konform qytetërimit dhe kulturës së tyre autoktone, pa shaminë që vret (17 protestues iranianë deri sot!).