Arkiv / Ripublikim

Xh. Gjini: Po bie ndonjë vdekje e po shihemi

Mirë që ra kjo vdekje dhe u pamë, thotë fjala e urtë e popullit tonë. Disa rryma, grupe e qarqe kundërshqiptare në Republikën e Kosovës dhe në mbarë Shqipërinë (hapësirën shqiptare…) ka kohë që janë parë e po shihen, duke i shpalosur qëndrimet, qëllimet dhe angazhimet e tyre të pastërta kundërKosovë dhe kundërshqiptare. Vetëm institucionet e Republikave tona në Shqipëri nuk kanë parë e nuk kanë dëgjuar gjë…!! Veprimtarinë e tyre këto grupe, fonacione, shoqata me mjeshtëri e veshin herë me kostum humanitar, herë me kostum fetar, herë me kostum partiak, herë me kostum ideologjik, krahinor, etj. Mirëpo, “trupi” i veshur me këto kostume është gjithmonë i njëjti: kundërshqiptar!

PO BIE NDONJË VDEKJE E PO SHIHEMI
Prishtinë, 10 shtator 2014 (ripublikim)
Kështu thotë një fjalë e urtë e popullit tonë. Disa rryma, grupe e qarqe kundërshqiptare në Republikën e Kosovës dhe në mbarë Shqipërinë (hapësirën shqiptare…) ka kohë që janë parë e po shihen, duke i shpalosur qëndrimet, qëllimet dhe angazhimet e tyre të pastërta kundërKosovë dhe kundërshqiptare. Vetëm institucionet e Republikës nuk kanë parë e nuk kanë dëgjuar gjë…!! Veprimtarinë e tyre ato me mjeshtëri e veshin herë me kostum fetar, herë me kostum partiak, herë me kostum ideologjik, krahinor, etj. Mirëpo, “trupi” i veshur me këto kostume është gjithmonë i njëjti: kundërshqiptar!
Djegia e “flamurit” të ISIS-it nxori për fushe edhe njëherë ata që në një mënyrë a në një tjetër kanë marrë “koparin” e këtyre grupeve ekstremiste, që kanë mprehur shpatën dhe në emër të fesë, të profetit e të Zotit po presin kokat e njëri-tjetrit, duke i shndërruar Sirinë dhe Irakun në pellgje gjaku…! Ata që po e paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër janë pikërisht arabët myslimanë të ndarë e të përçarë ne sekte e grupe të ndryshme të të njëjtës fe!! Kjo vëllavrasje dhe kjo gjakderdhje që po bëhet nga këto grupe dhe organizata të ndryshme, në emër të Zotit e të fesë, veç për të mirën e popullit arab-mysliman nuk është. Thirrjet në Zot e në fe janë vetëm sa për t’i fshehur qëllimet antiarabe dhe antimyslimane! Bota arabe dhe myslimane ka hyrë në një krizë të thellë ekonomike, politike, morale, fetare, kombëtare, njerëzore, kulturore… Nga kjo krizë nuk mund ta nxjerrin kurrë ata që valvitin “flamurin” e Zotit, të fesë-religjionit e të profetit… Madje, ata po ndihmojnë në thellimin e kësaj krize, shkaktarë të të cilës deri diku edhe janë, dhe të kësaj tragjedie arabe e myslimane, duke u shërbyer atyre që ia kanë me hile botës arabe dhe qytetërimit të saj…
Pjesë e kësaj tragjedie janë bërë edhe disa individë e grupe nga vende të ndryshme të botës. Midis tyre edhe disa shqiptarë(!!), të cilët janë angazhuar edhe drejtëperdrejtë në ato konflikte dhe po kontribuojnë në tragjedinë arabe-myslimane… Pastaj, ka edhe disa grupe dhe qarqe në Republikën tonë që po bëhen herë dyshek dhe herë jorgan i kësaj ideologjie dhe veprimtarie ekstremiste, që te ne është mbi të gjitha antishqiptare… Secilit njeri normal i vjen keq për tragjedinë e botës arabe, por më së paku ne shqiptarëve na takon të bëhemi pjesë e asaj tragjedie dhe të deklarohemi “për” e “kundër” një grupi, organizate apo qeverie në Arabi. Kriza-tragjedia arabe më së paku i ka rrënjët në fe e në Zot… Me emrin e Zotit dhe të fesë në gojë veç sa po ujiten rrënjët e asaj krize-tragjedie. Në fund të fundit shqiptarët, edhe po të donin, nuk kanë “takat” as me e ndezë më shumë atë “zjarr” dhe as me e shu… Këta individë dhe këto grupe që po rrahin gjoks ose po deklarohen e po angazhohen në ato konflikte munden dhe po e dëmtojnë vetëm “imazhin” e kombit tonë para botës në një kohë jo fort të mirë për kombin shqiptar dhe për Shqipërinë në Iliri-Ballkan. Ky edhe është qëllimi afatshkurtër dhe afatgjatë i këtyre grupeve, partive dhe në masë të madhe edhe i BIK-ut të uzurpuar nga Naim Tërnava e të papenguar nga shteti i Hashimit.
Konfliktet dhe luftërat në emër të fesë (të kryqit…), të profetit dhe të Zotit i kanë përjetuar dhe kaluar edhe të krishterët-evropianët… Ishte kisha, ajo që mobilizonte dikur princër e mbretër në konflikte dhe luftëra anekënd botës duke tundur”flamurin” e Zotit, të fesë dhe të profetit (Krishtit). Në fakt, pas atyre “simboleve” fshiheshin interesat materiale të kësaj bote: të kishës, të feudalëve, të princërve, të mbretërve… Ata që paguanin me gjakun dhe jetën e tyre ishin shtresat më të varfëra të popujve të Evropës. Ky mësim i luftrave në emër të kryqit dhe të Zotit, do të duhej t’u shërbente popujve arabë dhe “udhëheqësve”-elitave të tyre politike, kulturore…
Djegia e « flamurit » të ISIS-it në Prishtinë
Partia Demokratike e Kosovës, e uzurpuar nga Hashim Thaci dhe grupi i tij, paska organizaur një grup të rinjsh për djegien e “flamurit” të ISIS-it në Prishtinë! Kjo parti, e gjendur nën trysninë e fajsisë së “partneritetit” me këto grupe, organizata e parti, që janë “logjistika” e ISIS-it në Kosovë, mendoi të “çlirohej” nga kjo peshë e fajsise (t’i lante duart…) duke djegur “flamurin” e ISIS-it! Kjo djegie publike ngjalli reagimet e atyre që tashmë janë identifikuar me atë ideologji ekstremiste dhe me veprimtarinë e atyre grupeve-organizatave kundërshqiptare. Ishte PD-ja e Ferid Aganit, pastaj BIK-u i Naim Tërnavës dhe individë të caktuar që reaguan dhe dënuan djegien e “flamurit”…! Vërtet “lojë” e ulët dhe e rrezikshme e Hashim Thacit dhe e partisë së tij…! Nga njëra anë, PDK-ja, ka marrë në gjirin e saj përfaqësuesit-simbolet tipike të këtyre rrymave ekstremiste antishqiptare (“mjekrrën” dhe “shaminë” “arabe”…), ndërsa nga ana tjetër djeg “flamurin” e tyre!! Me këtë veprim të shëmtuar dhe krejtësisht të panevojshëm në Prishtinë, PDK-ja e Hashimit, i “detyroi” disa shqiptarë të pozicionohen “për” dhe “kundër” një “flamuri” dhe një organizate që s’ka të bëjë fare me Republikën e Kosovës, me traditën, kulturën, besimin dhe me kombin shqiptar! Ky pozicionim i disa inividëve, grupeve, partive dhe i Bashkësisë Islame të Kosovës, që janë mish i huaj në trupin shqiptar, (ri)dëshmoi edhe njëherë mjerimin e politikës dhe të institucioneve të Republikës sonë. Imagjinojeni ku ka shkuar puna (për fajin e këtyre politikave të mbrapshta “ndërkombëtare” e vendore në Kosovë…): shqiptarët të përçahen për hesap të ISIS-it, të “flamurit” dhe të ideologjisë së tij…!! Në atë “flamur”, arsyetojnë këta që janë “kunder” djegies dhe për ISIS-in, është shkruar emri i ZOTIT (allahut) dhe i profetit!! Punë e madhe! Arsyetim i bukur për ata që kështu duan t’i arsyetojnë dhe mbulojnë qëllimet e tyre thjeshtë antishqiptare… Zoti (Allahu në arabisht…) nuk ka nevojë dhe nuk ka pasur kurrë për “flamurin” e njerëzve… Nuk ka flamur në botë, qoftë edhe ai që tundet-valvitet në emër të Zotit “mysliman” a të “krishter”, që mund t’i mbulojë dhe arsyetojë krimet-vrasjet, masakrat dhe terrorin ndaj njerëzve… Askush nuk ka të drejtë ta shpallë veten përfaqësues të Zotit në tokë. Njeriu nuk ka nevojë për ndërmjetësim midis tij dhe Zotit. Njeriu ose është i lidhur drejtëpërdrejt me Zotin ose nuk është fare i lidhur… Askush nuk ka të drejtë të marre jetë në emër të Zoti dhe të çfarëdo ideologjie apo interesi tjetër… Mbi të gjitha, shqiptarët, që janë populli dhe qytetërimi më i lashtë në Evropë dhe në botë nuk duhet të përfshihen dhe as të mbajnë ane në konflikte dhe luftëra si këto në botën arabe… Nëse kanë mundësi me u përfshi dhe me ndiku do të duhej të përfshiheshin dhe të ndikonin në shuarjen e atyre konflikteve të përgjakshme ndërarabe..