Kulturë\Letërsi

Ali Jaupi: Nuk i besohet njeriut që nuk ka me vete një libër

Libri është si vera, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i rritet vlera. Një shtëpi e bukur, nuk varet nga qelqurinat në bufe, por nga librat në bibliotekë. Njerëzit e kulturuar, miqtë e tyre më të mëdhenj kanë librat. Kur më humbet një libër ndihem shumë keq dhe s’e krahasoj me asnjë humbje të hollash sado qofshin ato. Të pasurit, politikanët, deputetët, pushtetarët, që kanë shumë para, prona e privilegje nga pushteti e “marifeti”, janë shumë të varfër për libra. (Ali Jaupi)

UNË NUK I BESOJ ATIJ NJERIU QË NUK KA NJË LIBËR ME VEHTE

Libri

Libri është si vera, sa më shumë kalon koha, aq më shumë i rritet vlera. Një shtëpi e bukur, nuk varet nga qelqurinat në bufe, por nga librat në bibliotekë. Njerëzit e kulturuar, miqtë e tyre më të mëdhenj kanë librat. Kur më humbet një libër ndihem shumë keq dhe s’e krahasoj me asnjë humbje të hollash sado qofshin ato. Të pasurit, politikanët, deputetët, pushtetarët, që kanë shumë para, prona e privilegje nga pushteti e “marifeti”, janë shumë të varfër për libra. Ata, preferojnë t’i prishin paratë pa kursim për çdo gjë që ju del përpara, por kurrë për të blerë libra. Kjo kategori shoqërore mendojnë çdo ditë sa do fitojnë dhe jo çfarë do lexojnë. Dhe janë këta, që na drejtojnë. Njeriu duhet të lexojë dhe të shkruaj vazhdimisht. Të lexuarit e bën të qartë dhe të shkathët nga goja, ndërsa të shkruarit e bën të saktë. Libri i shkruar bukur ka të bëjë me stilin, që është veshja e mendimit të shkrimtarit. Një libër i shkruar dhe paraqitur bukur, ngjan me një nuse me sqimë, që bie shpejt në sy nga vizitorët. Në brendinë e librit ne gjejmë të shprehur dhe botën shpirtërore, artistike dhe botëkuptimore të shkrimtarit. Çdo libër pasqyron një epokë të caktuar historiko-shoqërore. Libri është aq i fuqishëm dhe jetëgjatë, sa më plotësisht ai shpreh elementët më të shëndosh të kohës së vetë. Idetë e një libri nuk vijnë rastësisht, ato pasqyrojnë realitetin e një epoke të caktuar. Ndjenjat, mendimet, personazhet e një libri, janë të ndikuar nën influencën e realitetit historiko-shoqëror. Personazhet i gjejmë të vijnë rrotull në një rreth vicioz, duke shpalosur karaktere specifike me veset dhe virtytet, që janë pasqyrë e kohës. Libri brenda vetes, ngjan me stinët e një viti, që ka pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër. Edhe libri, ka natyrën e tij historike, lirike, epike dhe tragjike. Librat kanë gjini të ndryshme, nga më të voglat deri tek më të mëdhatë. Nuk janë numri i faqeve, që e bëjnë më të mirë apo më të keq një libër, por vlerat e tij artistike, brumi që është gatuar në faqet e tij. Libri nis nga vëllimi me tregime, novela, poezi dhe romane. Secili prej tyre ka vlerat e veta, në gjininë e tij. Ashtu si dhe për vetë shkrimtarin, janë të gjitha moshat të bukura, duke filluar nga fëmijëria, adoleshenca, burrëria dhe pleqëria.

Libri ka origjinë, por s’ka atdhe

Kush grumbullon libra, grumbullon dëshira; e kush ka shumë dëshira, mbetet gjithnjë i ri, edhe kur mbush 80 vjeç! Prindërit na mësojnë të duam, të qeshim, të vrapojmë. Po vetëm duke hyrë në botën e librave, zbulojmë se kemi edhe flatra! E mësojmë të afirmojmë vetveten.
Të lexosh do të thotë të hapësh një dritare mbi botën. Të hysh në një botë të panjohur. Do të thotë të dialogosh, të qash e të qeshësh, të duash e të grindesh, si të ishe mes njerëzve të gjallë, jo personazheve, a ideve, që të kanë shkuar edhe ty shumë herë nëpër mend, por nuk ke mundur a nuk ke ditur t’i shprehësh. E i ka shprehur tjetri, për ty. Që, nga dritarja e hapur, të shikosh botën e madhe, duke dalë nga ajo jotja, e vogla. Jeton kështu, në jetën tënde, jetën e botës. Duke zhvilluar mënyrën e të menduarit e përfytyrimin, që të çon nëpër viset e pashkelura, pa lëvizur nga bota jote.