UÇK NUK ISHTE E MJAFTUESHME PËR KOSOVË TË PAVARUR, POR MUNGESA E SAJ NUK DO TË MUND TË SILLTE PAVARËSINË
Para pak ditësh Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Kosovës organizuan dhe mbajten sesionin shkencor Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Vlerë Kombëtare. Këshilli Organizues përbëhëj nga Prof. Dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, Drejtori i Drejtorisë së përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Mr. Sc. Bedri Zyberaj, kryeshef i Agjencisë Shtetërore të të Arkivave të Kosovës, MA Shpresa Mekaj dhe Prof. Dr. Lulëzim Lajçi.
Me që isha ftuar si mysafir edhe mora pjesë në punimet e këtij sesioni, i cili solli tema të larmishme dhe të rëndësishme për ndriçimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke parë se nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Shqipërisë ishin dy referues e asnjë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk munda të mos pyesja pse ajo mungonte dhe edhe nëse ishte ftuar apo jo për bashkorganizim dhe bashkëpunim. Përgjigjen që e mora ishte dëshpruese: “Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Republikës së Kosovës ka qenë e ftuar, por nuk ka treguar interesim për pjesëmarrje me asgjë.” Si të mos jetë dëshpruese kur akademikët e Kosovës me e pa vepra shkencore, nga buxheti i shtetit sot i marrin mbi 1. 200000 € në vit dhe këtë falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën kjo Akademi, jo pa tendencë, e injoron.
Ndonëse këtu po trajtohet çështje tjetër, me këtë rast Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do t’i bëja thirrje që të merret pak me akademikët dembelë, të cilët shtresojnë dhjam në zyrat konfore që ua ofron Akademia dhe të mos i paguaj për punën që nuk e bëjnë. Në të kundërtën janë bashkëpjesëmarrës.
Në fund të këtij sesioni u lexua edhe deklarata në mbështetje të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të arrestuarve nga Gjykata Speciale e Hagës.
Për ta pasyruar sa më mirë punën e këtij sesioni, në vazhdim po e sjellim fjalën përmbyllësse të Prof. dr. Ardit Bidos, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Fjala përmbyllëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave të Republikës së Shqipërisë
Këtë konferencë po e përmbyll duke falënderuar, në radhë të parë veçanërisht të gjithë ata të cilët sot janë studjues, por dje nuk kanë qenë studiues, kanë qenë në ballë të betejave për të cilat ne flasim, dhe sot vijojnë me një veshje të re, tashmë me një xhaketë të re, që të na gëzojnë edhe në mënyrën se si ne duhet të trajtojmë të shkaurën, por jo për efekt të së shkuarës. Të shkuarën nuk e trajtojmë për thashetheme, për të diskutuar, për shkencë të thatë, e trajtojmë si një standard moral për të parë të ardhmen, dhe besoj se kjo konferencë ia arriti këtij qëllimi.
Dua ta nis duke falënderuar në rradhë të parë bashkëorganizatorët, Institutin Albanologjik të Prishitnës dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, që në fakt janë dhe organizatorët real, sepse gjithmonë ndodhë që kur ka bashkëpunime në qytete të ndryshme, ai që është mikpritësi, ai ka dhe barrën totale të organizimit, kështuqë falënderoj shumë për këtë konferencë e cila, siç tha edhe miku im Bedriu, nisma ishte e ndërlidhur, ishte e konceptuar dhe e ndërlidhur me një deklaratë të cilën institucionet akademike dhe kulturore bënë në një moment shumë të rëndësishëm të historisë sonë bashkëkohore, që ishte, ngritja e akuzës ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga dhomat e specializuara, të Gjykatave të Brendshme të Kosovës, që ndodhen në Hagë.
Dhe këtu dua të veçoj rolin e Bedriut, veçanërisht, i cili ishte jo thjesht nismëtar, po edhe një nxitës i fuqishëm në këtë drejtim. Na mori para dhe me të drejtë, arriti të dyja këto momente, si atë deklaratën e nëntorit 2020, si dhe organizimin e kësaj Konference, së bashku me drejtues të tjerë të rëndësishëm institucionalë, ku dua të veçoj idenë e hedhur nga Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, për ta kthyer në një Tribunë Akademike, këtë nismë që ka një qëllim të qartë për të parë të ardhmen duke analizuar të shkuarën. Prandaj, do të falënderoj, Institutin e Albanologjik të Prishtinës, Akademinë e Shkencave, Muzetë e dy vendeve, mikun Dorian Koçi, ndodhet poashtu këtu, dhe veçanërisht Bedriun, i cili ishte nismëtari. Gjatë kësaj konference pas referatit interesant, përmbledhës, që në krye të herës, të Bedri Zyberajt i cili na tregoi tre etapat e zhvillimit të UÇK, patëm fatin që të dëgjonim ne dëshmitarë okularë, si dëshminë e tij dhe një analizë të ftohtë, që është Prof. Dr. Paskal Milo, mbi mënyrën se si rodhën ngjarjet në momentin krucial pak përpara dhe gjatë Konferencës së Rambujesë, pa të cilën pastaj historia nuk do të ridhte, padyshim..
Akademik Pëllumb Xhufin në kumtesën e tij na e dha variablën e rëndësishme të paries së UÇK, si një aleate partnere e NATO-s, të bashkëluftimit të NATO-s e të UÇK në një luftë të përbashkët, njëra nga toka, tjetra nga ajri, kuptohet njëri më i fuqishëm e tjetri më pak i fuqishëm, por ama, pa këtë që ishte më pak i fuqishëm, nuk do të ndërhynte dhe ai që ishte i fuqishëm.
Dëgjuam nga Dr. Dorian Koçi, arkitekturën e mundimshme të lirisë, rolin udhëheqës që kishte UÇK-ja në atë që ne sot jetojmë, si një kompromis që është Kosova e Pavarur, të cilën u theksua edhe këtu që nuk ishte ky qëllimi i UÇK-së, por është kompromis i madh i shqiptarëve, ekzistenca sot e Kosovës, si një shtet i pavarur, me elemente të karakterit multietnik.
Dëgjuam Prof. Dr. Emin Kabashin, mbi përmasën kombëtare të luftës së UÇK-së, mbi madhështinë, pra të luftës së UÇK-së, e veçanërisht, fjalët e tij të fundit mbi vlerën e flamurit kombëtar, që edhe unë e kam një peng në fakt, që në Kosovë e shoh gjithnjë më pak, e fatmirësisht e lavdi Zotit, ndodhet atje ku është derdhur gjaku për atë flamur, se nuk është derdhur për këtë flamur, dhe e gjejmë në varrezat e dëshmorëve. Dhe le ta mbajmë këtë iluzion, iluzioni bën keq në çastin që nuk mendojmë racionalisht, po përndryshe nuk është iluzion, është objektiva afatgjatë kur krijohen kushtet.
Nga Prof. Asoscuar Dr., Nuri Bexheti me një fjalim, duke na dhënë peshën, sepse kjo ushtri i shoi shpresat për autonomi dhe evitoi përplasjen vëllavrasëse, të cilat, sot nuk i kuptojmë ndoshta ne të rinjtë, por që ishin evidente, dhe do të qëndroja veçanërisht te një fjali që çdo ditë, që pas 95 është një ditë e humbur, dhe çdo ditë para 2001’shit do të ishte një ditë e humbur, që na tregon dritaren e vetme, elementin e fatit, se Kosova sot nuk është një Krahinë Autonome, pavarësisht se do të mund të ishte nën autonomi totale brenda Sërbisë.
Dëgjuam Profesor i Asocuar Dr. Zaho Golemin, në lidhje me drejtimin strategjik të luftës së madhe të një populli të vogël, pra në lidhje me aspektin ushtarak, të kësaj lufte, dhe përvojën e vet personale në këtë drejtim, që më shumë se sa me tonin e tij nuk mundem ta them unë me tonin tim,
Prof. Dr. Lulëzim Lajçi, mbajti kumtesën “Çështja e Kosovës dhe roli i Diplomacisë Ndërkombëtare në procesin e çlirimit të saj”, me një qasje gjithëpërfshirëse, duke nisur, prej fillesave të shekullit XX, e duke ardhur pastaj deri në zhvillimet bashkëkohore të Epopesë së UÇK-së.
Dhe Dr. Albert Hitoalijaj, na ftoi të gjithëve që të kërkojmë më shumë në arkivat amerikane, duke na rrëfyer vlerat e rëndësishme të një syri më të paanshëm, se sa ne jemi në këtë betejë të kombit tonë.
Në seancën e dytë, dëgjova Prof. i Asocuar Dr. Teki Kurtin, i cili kishte vendosur theksin në një prej betejave më të rëndësishme, që tregon luftën ballore që bëri UÇK, “Betejën e Koshares”, e parë kjo në këndvështrimin e shtypit shqiptarë të kohës.
Prof. i Asocuar Dr. Bernard Zotaj, edhe një dëshmitar okularë dhe trajnues të ditës, i UÇK-së, na foli jo thjeshtë me përvojën e vet, por mbi bazat shkencore, mbi bazat e grumbullimit, organizimit dhe stërvitjes së UÇK-së në Shqipëri.
Prof. Dr. Arben Hoxha, na dha një qasje filozofike, në lidhje me vlerat dhe nocionin e lirisë dhe duke parë UÇK-në, si një masë të aftësive reflektive për bërje.
Prof. Dr. Minir Ademi, na foli për dëshmorët e UÇK nga Maqedonia, sepse UÇK nuk është e Kosovës, UÇK është e shqiptarëve, dhe duhet që t’i nxjerrë në pah të gjitha momentet, ku kombi ynë u bashkua për të çliruar Kosovën nga zgjedha serbe.
Prof. Dr. Sali Bytyqi, duke e shtuar ndërdisiplinaritetin e kësaj konference, na dha një qasje të plotë mbi dy mënyrat e trajtimit të luftës së UÇK, në letërsi, dhe theksoi edhe një herë, jo për të parë të shkuar, por për të parë të shkuar me qëllim në të ardhmen, me qëllim që revizionizimin historik që tentojnë kategori të ndryshme ta bëjnë, të mos kthehet në atë çfarë Nuriu tha që, studentët tanë sot nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.
Doktoresha Albulena Halili, na foli për luftën e UÇK dhe NATO-s si një ndërmarje e përbashkët çlirimtare, përkundrejt asaj sot që me padrejtësi të plotë akuzohet, dhe këtu jemi të njëmendtë, si një ndërmarje e përbashkët kriminale.
Mr. Ruzhdi Panxha, foli mbi një prej momenteve që prodhoi padrejtësi, që në hartimin e ligjit, përtej gjithë arsyes se ai ligj është hartuar, që e konsideron sovranitetin e një shteti si të paplotë thuaj, nuk mund të ketë as qasje mbi arkivat e institucioneve, që me gjasme janë të vetëm. Pra, mbi privimin e Arkivit të Kosovës, nga e drejta për pranimin dhe administrimin e dokumentacionit të dhomave të specializuara.
Prof. Dr. Adem Zejnullahu, na foli për një qasje tjetër ndërdisiplinore, për UÇK-në në këngët popullore.
Prof. i Asocuar, Dr. Skënder Zhitija, na foli për elementin e organizimit të brendshëm të UÇK-së.
Kandidati (phd) Miftar Kurti, na foli në lidhje me këmbimin e robëve të luftës mes UÇK dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, sipas shtypit të kohës, dhe për të na rrëfyer se agresori dhe më së shumti agresori dhe viktimat, ndahen shumë në mënyrën se si trajtojnë robërit e luftës, të njëri tjetrit.
E në fund, jo për nga rëndësia, Mr. Emin Sallahu, na foli për UÇK si një domosdoshmëri e kohës sonë.
Në fund të kësaj përmbylljeje dua të theksoj se ne nuk jemi këtu për të dhënë çdo përgjigje të mundshme. Edhe po të duam, e kemi të pamundur këtë. Qëllimi ka qenë për të dhënë një mesazh në baza shkencore, jo për të kaluarën, por duke parë të kaluarën për të sotmën dhe për të ardhmen. Dhe besoj se pyetja më e rëndësishme që ne shqiptarët duhet ta trajtojmë në mënyrë të vazhdueshme për brezat e rinj është, a është Kosova sot e pavarur, prej fatit apo prej luftës, dhe nuk e kam një përgjigje të plotë mbi këtë pyetje. Kosova e pavarur është dhe prej fatit dhe prej luftës, në gjykimin tim, nuk dua të bëj kumtesë të re, por si një përmbledhje e kësaj konference: pa shqiptarët dhe pa luftën e UÇK, nuk do të kishte Kosovë të Pavarur. Nuk po themi që, ekzistenca e UÇK, prodhoi Kosovën e Pavarur, po pa të nuk do të kishte Kosovë të Pavarur, nuk është e mjaftueshme ekzistenca e UÇK-së për Kosovë të Pavarur, por mungesa e UÇK, nuk do të mund të sillte një Kosovë të Pavarur, dhe ky është mesazh qëndror që unë e pash të shkojë në të gjitha kumtesat, se padyshim, nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës; nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa NATO-n; nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa “rugovizmin” e viteve të para pas 90’tave, ku çështja e Kosovës do ngatërrohej në çështje të përgjithshme të Jugosllavisë, lufta e armatosur e viteve 90’ta, nuk do të kishte Kosovë të Pavarur, pa Millosheviqin padyshim. Millosheviqi është një aktor thelbësor për pavarësinë e Kosovës, në të zezën e vet, dhe në të zezën e kombit të vet, në kuptimin afatgjatë çfarë ja doli që të humbiste, nuk duhet të kishte një Kosovë të Pavarur pa Rusinë e dobët të asaj periudhe, dhe këtu është momenti i dyfishtë pse 2001-shi do bënte diferencën, sulmet terroriste në Amerikë, e nga ana tjetër fuqizimi i ri i Rusisë. Nuk do të kishte Kosovë të Pavarur, pa protestat e 68’tës, që prodhuan një brez të ri dhe një status të ri të Kosovës, pa protestat e 81’shit. Nuk do të kishte Kosovë të Pavarur pa Mehmet Hoxhën, që mundësoi që të ekzistonin ca kufij mbi hartë, kufij të një etniteti juridik, një njësi juridike. Pa ju futur këtu në analizën e pozitivës dhe negatives, po t’i futemi gjësë së parë, çfarë do kishte Kosovë të Pavarur, ska pa kaçakët, ska pa Xhemijetin, sepse merita e kombit tonë, është që edhe kur është dashur që të arrinin kompromise, brezi që ka bërë këtë kompromis është një rritje, një arritje e çdo brezi, në çastin që ka mbetur i mbyllur brenda kompromisit të vet, është ndryshuar nga një brez i ri. Ku veçohet UÇK nga kjo meritë e kaçakëve, Xhemijetit, e Mehmet Hoxhës, e protestave të 68-tës, 81-shit, rugovizmit? Është që në fund kompromisi që është arritur është kompromisi më i pranueshëm për shqiptarët, që edhe ne sot se kemi problem. Do të donim të mos ishin dy shtete, por Kosova e Pavarur është një kompromis tërësisht i pranueshëm dhe ky është produkt i UÇK-së. Pra është një arritje, është një arritje finale, ose parafinale, por edhe kështu sikur të jetë në vijimësi nuk është se përbën ndonjë diferencë në nevojën tonë, dhe këtu UÇK veçohet, pra pa UÇK-në s’do të kishte një shtet të Kosovës sot, një Kosovë të Pavarur, me vet UÇK, vetëm me UÇK, prapë s’do të kishte. Është lufta e shqiptarëve, plus fati, që na kanë mundësuar këtë gjë.
E nisëm me idenë dhe me nismën e Bedriut, për çfarë ndodhi me Hashim Thaqin, Kadri Veselin dhe me Jakup Krasniqin, të cilët janë tre individë që janë bashkëkohës me ne. Shumë prej jush i njihni personalisht, i keni miq. Të tjerë jo. Shumë prej jush i doni politikisht. Të tjerë jo! Ajo që na bashkon është se nuk na intereson Hashim Thaqi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli. Ajo që duhet t’i bashkojë gjithë shqiptarët, është se nuk janë vendosur përballë akuzës, thejsht tre individë, se po të jetë se janë tre individë përballë akuzës për korrupcion, do të ketë njerëz që do ti duan, do të ketë njerëz që s’do ti duan, dhe nuk na intereson në planin afatgjatë. Nëse do të ishte se do të ishin për krime lufte të kryera vet, nuk futemi, nuk duhet të futet shkenca në kurthin e pyetjes, a ka pas krime lufte nga gjitha palët në luftë?!! Është kurth!! Është kurth relativizues!! Sepse është fakt historik që ka. Ndahet te agresioni dhe te viktima, dhe ndahet tek drejtuesi politik ose jo..
Hashim Thaqi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi ndodhen nën akuzë, si drejtues politik të UÇK-së, e nëse drejtimi politik i UÇK-së, qenka kriminale, thjesht pse është drejtues politik, jo doras, atëherë i bie që kemi të bëjmë me një agresor, i bie që UÇK është agresore. Në çastin që zëdhënësi i UÇK-së është përballë tribunalit se luante rolin e zëdhënësit të UÇK-së, dhe jo se ishte doras në një krim, dhe nga ana tjetër, zëdhënësi i agresorit është Shkëlqësia e tij, President i një vendi, atëherë këtu ka një padrejtësi, ka një padrejtësi që në misionin fillestar, dhe ne prandaj jemi sot këtu. Jemi sot këtu pra për sot e për nesër, duke e parë të shkuarën dhe duke e evidentuar shkencërisht edhe me elemente të së shkuarës.
Dua ta përmbyll me një përvojë personale, si më i pakti këtu, dhe nuk e them këtë me sens modestie, s’është se para e kam, por realisht, jam më i pakti këtu, si një rijosh Sarande, një kalama dhjetë 12 vjeç në vitin 99-të, kur refugjatët e Kosovës arritën deri në Sarandë. Në fakt, lufta e Kosovës edhe na njohu, me realitetin e viteve 90-2000, identiteti u fluidizua pak në Shqipëri, jo se nacionalizmi folklorik nuk qëndronte, jo se në Sarandë ishim më pak nacionalistë, se sa janë sot, apo se sa ishin pardje, por në kuptimin e një relativizimi kulturor të një ndikimi të huaj që ishte më i pasur, dhe nga sytë i kishim të gjithë, e nga ana tjetër nga paradigmat e vjetra, të përçarjeve krahinore fetare, që i kemi shumë për qejf si komb dmth., “malokët e veriut, të trashët e jugut”. Kur e thotë një lab këtë “maloku i Fushë Kosovës”, ku të shkosh në Labëri është zakon, pothuaj kush është malok apo jo, pra në këtë paradigmë të atyre viteve 99’të, ardhja e rufugjatëve të Kosovës, kontriboi edhe në një gjë, kontribuoi që për herë të parë unë kam parë aq shumë flamuj në Sarandë. Jo se kishte flamuj grekë ndonjëherë në Sarandë, jo se kishte më pak nacionalizëm në Sarandë, por aq flamuj shqiptarë dhe rritjen e një identiteti të ri të forte, na e solli dhe lufta e Kosovës, edhe refugjatët. U njohëm, u njohëm me një brez të ri. Dhe kjo ka shumë rëndësi. Prandaj, besoj se kjo konferencë është shumë e rëndësishme, dhe dua t’i falënderoj secilin, veçanërisht Bedriun në radhë të parë, më falni që e veçoj, dua të falënderoj gjithë kumtuesit, dua të falënderoj Ibishin për një ndërhyrje shumë të saktë, në të tre pikat të cilat e bëjnë, po veçanërisht Bedriun, i cili ka qënë nismëtari fillestar i kësaj ideje dhe na nevojiten sidomos sot, sidmoso sot kur, realitetet gjeopolitike botërore janë një proces evoluimi të pashmangshëm, nuk do të jetë më bota siç ishte dje. Ne shqiptarët do të duhet që ta shohim të shkuarën me një mendjeftohtësi për të parë të ardhmen, duke gjykuar se si do të veprojmë në të ardhmen.
Së fundmi, një kërkesë për të gjithë ju që kumetesat t’i dorëzoni deri në fund të prillit, në mënyrë që të gjitha këto sa u thanë sot, të jenë të shkruara dhe të mbeten, dhe me shpresën e madhe që do të kemi mundësi, që ta vijojmë më tej me konferenca të tjera të tilla, të kësaj cilësie, pikërisht në të njëjtin synim, se si do të veprojmë ne si shqiptarë në vitin 2022 e tutje, jo në 2022 si më parë.
Faleminderit shumë!