Uncategorised

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXVIII) -Liqeni i Shkodrës – liqeni i Labeatëve që po rrezikohet të kënetizohet

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXVIII)
LIQENI I SHKODRËS – LIQENI I LABEATËVE QË PO RREZIKOHET TË KËNETËZOHET
Shqipëria njihet për pasuritë e mëdha ujore, për liqenet e lumenjtë e shumtë. Liqeni më i madh origjinës tektonike – karstike është Liqeni i Shkodrës, i quajtur në antikë me emrin e fisit ilir të Labeatëve si Lacus Labeatis ose Palus Labeatis. Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Gadishullin Ilirik. Edhe pse ka sipërfaqe të madhe, vëllimin e ujit e ka të vogël, ngase është liqen i cekët.
Edhe pse gjendet tërësisht në trojet shqiptare, pjesa më e vogël apo rreth 40 për qind e sipërfaqes së liqenit i takon shtetit shqiptar e 60 për qind shtetit të Malit të Zi. Mali i Zi në vitin 1983 pjesën e vet të liqenit e ka shpallur Park Kombëtar, kurse Shqipëria pjesën tjetër, në vitin 2005, e ka shpallur zonë të mbrojtur – Park Natyror apo “zonë natyrore veçanërisht e mbrojtur”. Në vitin 1990 tërë Liqeni i Shkodrës është shpallur Zonë Ujore e Rëndësisë Ndërkombëtare dhe është futur në listën e konventës “Ramsar”. Në vitin 2016 Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna janë shpallur zonë bashkëmenagjuese peshkimi. Të kujtojmë se në vitet ’90-ta të shekullit të kaluar liqeni dhe zona përreth tij është shfrytëzuar edhe për kontrabandën e naftës Shqipëri – Jugosllavi.
Forma e liqenit është e një elipse të zgjatuar veriperëndim – juglindje, me gjatësi deri 44 km, gjerësi deri 14 km dhe thellësi mesatare 3 – 7 m (thellësia më e madhe 44 m), kurse lartësia mesatare mbi nivelin e detit është 5 metra. Sipërfaqja më e vogël e liqenit është 368 km2, ndërsa në vjeshtë e pranverë, gjatë stinëve me shira, niveli i liqenit rritet, duke u smadhuar sipërfaqja e tij në 540 km2. Pellgu i liqenit ka sipërfaqe prej 5500 km2, nga të cilat rreth 1000 km2 ndodhen në territorin brenda kufirit të Shqipërisë. Bashkë me Bunën Liqeni… i përket basenit ujor të lumit Drin, me sipërfaqe prej 19 mijë km2. Pranë bregut jugperëndimor ndodhen rreth 50 ishuj të vegjël, duke përfshirë edhe Vraninën legjendare. Ishulli i Vraninës ka gjatësi 2 km, gjerësi 1.2 km dhe sipërfaqe 1.72 km2. Në brigjet fundore të tij ndodhet qyteti i Shkodrës, nga i cili liqeni e ka marrë emrin. E, nga ana tjetër e liqenit ngrihet lart mali i Taraboshit dhe mali i Rumisë e rrëzë këtyre maleve ndodhet krahina e bukur e Krajës. Nga ana tjetër shtrihet fusha e Malësisë së Madhe apo e fusha e Mbishkodrës dhe rrafshi i Zetës.
Lumi i Moraça, burimi nëntokësor i Sheganit e burime e përroj tjerë të shumtë e furnizojnë Liqenin e Shkodrës me ujë kurse nga liqeni del lumi Buna, si një zgjatim i liqenit që i derdhë ujërat në Detin Adriatik dhe e bën lidhjen natyrore mes liqenit e detit. Dikur Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna ishin të lundrueshme, duke qenë lidhje transporti mes liqenit, përmes Bunës, me Detin Adriatik.
Në Liqenin e Shkodrës është shumë e zhvilluar flora dhe fauna; 60 lloje peshqish dhe 280 lloje shpendësh (40 lloje shpendë ujorë), 122 lloje bimësh… Liqeni paraqitet edhe si një “stacion” për shpendët shtegtarë. Aty jeton pelikani kaçurrel, zogu më i madh notues në Evropë, kurse nga peshqit jetojnë krapi, qefulli, ngjala, blini etj. Krapi është me shumicë në këtë liqen, që mbërrinë gjatësi deri në 1 metër dhe peshë deri 20 kg. Liqeni është i pasur edhe me bimë ujore, nga të cilat dallohet lotosi, një bimë që rritet vetëm në këtë liqen. Lotosi i mbanë rrënjët ujë, por nuk bën frute nëse vera është pa shi. Në fundin e liqenit ka livadhe nënujore me alga të gjelbra: 700 lloje mikroalgash dhe 250 lloje algash. Pastaj, janë kallamishtet që dalin mbi ujë, zambakët e bardhë dhe të verdhë të ujit etj.
Megjithë bukuritë e tij, Liqeni i Shkodrës është i rrezikuar nga ndotja dhe keqtrajtimi, nga keqpërdorimi e keqadministrimi i territorit ujor dhe tokësor. Liqeni ndotet nga ujërat e zeza, nga ndotjet e mbetjeve kimike nga industria në Mal të Zi, nga mbetjet e ngurta ndërtimore, nga prurjet e lumenjve të mbeturinave plastike etj. Peshkimi në periudha të ndaluara dhe peshkimi me mjete të jashtëligjshme shfarosëse, siç është dinamiti e elektriciteti, ka bërë të zvogëlohet fondi i peshkut dhe i gjallesave tjera ujore. Vlerat e mëdha të bregut të liqenit po zbehen nga ndërtimet e pakontrolluara e të paligjshme, nga gjuetia pa leje dhe nga shqetësimet që u bëhen shpendëve. Në këtë mënyrë po shkatërrohet biodiversiteti, jo vetëm në Liqen, por edhe në lumin Buna dhe në rrethinat e tyre. Thuhet se liqeni nuk është pastruar që nga viti 1990. Kështu, Blini, një peshk që rritej vetëm në këtë liqen, u zhduk plotësisht 30-vjetët e fundit. Pos blinit janë të rrezikuara edhe llojet tjera, si krapi, ngjala, pra të gjitha gjallesat e liqenit. Bimësia bimore, ujërat e zeza, mbetjet urbane etj., e kanë rrezikuar seriozisht liqenin për ta shndërruar në një kënetë të madhe. Disa sipërfaqe të liqenit veç janë kënetizuar, duke sjellë aromë të keqe, insekte të shumta dhe largim të turistëve. Pastërtia e liqenit është kusht jetik për ruajtjen e sistemit mjedisor dhe të turizmit, ndaj duhet të angazhohen të gjithë; qytetarët, bizneset, institucionet për ta ruajtur një liqen të bukur e të pastër.
Liqeni i Shkodrës dhe brigjet e saj paraqesin vlera të larta turistike përmes maleve, fushave e ujërave, përmes natyrës së larmishme, përmes zonave turistike me bukuri të rralla, përmes zonave të mbrojtura arkeologjike, historike, të trashëgimisë së pasur kulturore. Janë edhe pasuritë dhe burimet natyrore nga bujqësia, pylltaria, peshkimi, turizmi. Në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna mund të lundrohet me kajak, si një sport ujor atraktiv, të organizohet peshkim sportiv, të dilet në gjueti. Nga perlat turistike në brigjet e liqenit është fshati Shirokë, i njohur që nga shek. XIX për klimën dhe ajrin shërues. Ky fshat, i cili tashmë është si një paralagje e qytetit të Shkodrës, u shërben shkodranëve dhe të tjerëve për pushim ditor në ajër të pastër, ku gjejnë edhe kuzhinë të pasur autoktone të peshkut. Syri i Sheganit, një burim i madh dhe vend tërheqës me bukuri të rralla, i shpallur monument natyror, gjendet në anën tjetër të liqenit, afër fshatit Bajzë. Festa e Liqenit, një manifestim i veçantë kulturor e turistik që organizohet çdo vit, me të cilën hapet sezoni turistik në Shirokë, paraqet në mënyrën më të mirë vlerat natyrore, ekonomike e turistike të liqenit.