Lëvizja\UÇK

Lamtumirë veprimtar dhe luftëtar i LPK – UÇK -së! Lamtumirë veprimtar dhe luftëtar i lirisë dhe bashkimit të Shqipërisë, Hetem Zejnullahu!

Qindra bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë i dhanë lamtumirën Hetem Zejnullahut

Veprimtari dhe luftëtari i LPK – UÇK – së dhe i luftës për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, Baca Hetem, u varros në fshatin e tij të lindjes, në Përpellac. Vendvarrimi ishte porosi e tij e fundit. Fshati Përpellac i Besjanës gjendet mu në kufirin e sotëm me Serbinë, pushtuese e shumë krahinave të Shqipërisë, të cilat i ka spastruar me gjenocid ose i ka asimiluar (rasti i Novi Pazarit me krahinën rreth tij, etj.). Jo shumë moti, deri nga fundi i shek XIX, kufiri i Shqipërisë me Serbinë ishte përtej Nishit. Baca Hetem ishte anëtar dhe veprimtar i përkushtuar i LPK – së, e cila mori përsipër organizimin dhe drejtimin e Luftës së Armatosur. Ishte pikërisht programi, përcaktimi dhe anagzhimi i LPK – së për Luftë Çlirimtare që e frymëzonte Hetem Zejnullahun, i cili ishte i bindur se Kosova e Shqipërisë dhe viset e saj mund të çlirohejë vetëm me Luftë të Armatosur. Prandaj, edhe pse në moshë dhe me probleme shëndetësore, iu bashkua UÇK -së dhe luftëtarëve të saj.

Me porosinë e tij për ta varrosur në Përpellac, buzë kufirit me Serbinë armike, sikur donte që edhe për së vdekuri të ishte përballë Serbisë dhe me varrin e tij të ishte roje e lirisë së fituar me aq mund, përpjekje, luftë e sakrifica…

 

Fjala e mbajtur në emër të Shoqërisë LËVIZJA

Të dashur vllezër e motra! E nderuar familje Zejnullahu! E nderuar Bedrije, shoqe e jetës së Hetem Llapit! Të nderuar bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar të Hetemit!

Në emër të Shoqërisë LËVIZJA ju shprehim ngushëllime vëllazërore. Pardje morëm lajmin e keq e të dhimbshëm për ndarjen nga jeta të Hetemit atje në mërgim dhe sot po i japim lamtumirën e fundit. Prej fillimit të jetës në mërgim Hetemi iu bashkua LPK – së dhe u bë një ndër veprimtarët më të përkushtuar për çlirimin e atdheut. Hetemi ishte shembull i një vullneti të pashembulltë, që i përgjigjej kërkesave që shtronte Lëvizja, në strukturim, mbështetje materiale e financiare, pjesëmarrje në çdo aktivitet të protestave apo demonstrave në gjithë Europën. Hetemi u bë i njohur e i dashur për gjithë mërgatën jashtë atdheut e veçanrisht në Zvicër dhe duke përfaqësuar bujarinë, trimërinë dhe dashurinë ndaj atdheut që nga Llapi, ndaj të gjithë e quanim Hetem Llapi.

“Shpata e trimit dhe sofra e të gjymerit nuk matet” thotë populli. Njeri më bujar e mikëpritës nuk i gjindet shoqi, në konakun e tij kanë qenë personaliete emblematike si Baca Adem e të tjerë. Sa herë që kërkohej mbështetje materiale e finaciare nga lëvizja brenda atdheut Hetemi ishte shembull që i përgjigjej. Hetemi ka qenë shumë temperament, kishte veti dhe parime nga të cilat nuk tërhiqej kurrë. Ai ka ditur me dashtë, por edhe me urrejtë, ka dashtë atdheun dhe patriotët që ishin vu në shërbim të tij, por urrente armikun me shpirt. Me daljen e Çetës së Llapit, Hetemit iu dha një besim se duhet t’i kundërvihemi armikut me armë e posaçërisht pas kërkesës së Adem Jasharit 1990 për armë, Hetemi iu përkushtua me tërë qenje dhe mundësitë për dërgim të armatimit në Llap nga revolja deri në mitralez e minahedhës. Me themelimin e UÇKsë nga LPK-ja dhe intesikimin e luftës Hetemi la mërgimin dhe iu bashkua luftës, epopesë më të lavdishme të popullit tonë. Bashkëluftëtarët thonë se ishte shembull i një luftëtari të lirisë i gatshëm për të dhënë edhe jetën.

Hetemin nuk e gjunjëzoi asnjë vështirësi dhe rreziqet e veprimtarisë, por e gjynjëzoi sëmundja e keqe e cila e ndau nga ne dhe sot po i japim lamtumirën e fundit duke e varrosur në fshatin tij, fshat që në historinë tij bartte shumë ngjarje e beteja si fshat në kufirin e ri me armikun shekullor Serbinë, ku gjysh pas gjyshi u vranë me shka, siç thoshte Fatime Sokoli në këngën e saj. Amaneti për t’u varrosur në këtë fshat nuk është i rastësishëm. I dashur Hetem, ti nuk le trashëgimtar, por na le trashëgimin e vyrtyteve tua se si duhet atdheu, jetën dhe veprën trashëgimi për ne të gjallët dhe ata që do vijnë. I dashur Hetem, lamtumirë vëlla! Të qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore dhe Përpellacit! Do të kujtojmë me mall, dashuri e respekt për jetë e mot! Lamtumirë! (Fjala e mbajtur në emër të Shoqërisë LËVIZJA nga bashkëveprimtari dhe bashkëluftëtari, Bajram Ajeti)