Komenti

Prend Buzhala: Serbia e Turqia në Sanxhakun e zhbërë shqiptar

Me rastin e hapjes së Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Novi Pazar (Sanxhak), Erdgan deklaroi: “Ne i shohim vëllezërit tanë në Sanxhak si një urë miqësie midis Serbisë dhe Turqisë”.
Në informacione, sipas mediave serbe e turke, nënvizohet se Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, të ketë thënë se marrëdhëniet Turqi-Serbi kanë arritur pikën më të mirë në historinë e tyre. “Vëllezërit tanë në Sanxhak dhe qytetarët tanë me origjinë nga Sanxhaku, kanë një lidhje të fortë midis vendeve tona. Konsullata mbulon një zonë të gjerë, nga Piroti në Uzhice. Shpresoj që investimet e kompanive tona në atë zonë të rriten, të cilat ne i inkurajojmë ”, tha Çavusoglu. Ai e di se ata qytetarë turq, me “prejardhje nga Sanxhaku”, kanë qenë shqiptarë të shpërngulur me dhunë, por natyrisht, ai është i kënaqur me këtë lidhje.
Në përurim, përmes videos, folën edhe dy presidentët.
Nikola Selaković, ministër serb, nënvizoi se Serbia është krenare në marrëdhëniet me Turqinë, duke deklaruar se viti i kaluar, përkundër COVID 19, ishte një vit rekord në shkëmbimin tregtar të dy vendeve dhe se arriti shifrën prej tre miliardë e 320 milion euro.
Vërtet, banorët e Sanxhakut a ishin vëllezër me shqiptarët apo me turqit e serbët? Është tragjedia e një rajoni se si, të dy palët, me bashkëpunim ndërshtetëror, historikisht, kanë arritur ta zhbëjnë qenien shqiptare aty.
Natyrisht, nuk ka as serbë të zhbërë e as turq të zhbërë, por shqiptarë të asimiluar dhunshëm në sllavë e turq, në dy etnitë sunduese e pushtuese.