Arkiv / Ripublikim

31 janari i Heronjve të UÇK – së dhe të Atdheut: Zahirit, Edmondit e Hakifit

31 janar 1997. Tre veta që kishin marrë përsipër të ndryshonin kohën, që Kosovës e viseve tjera shqiptare t’i jepnin frymë lirie, po hapnin një epokë të re të rezistencës. Atë që e kishin mbjellur gjeneratat e mëhershme, atë që kishin ëndërruar shumë nga veprimtarët e Lëvizjes për liri, këta djem po e bënin realitet.
Të armatosur e të vendosur për të çuar rrugën deri në fund, ata po e nisnin një epokë të re me rënien e tyre, epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha do të jenë orgnaizatorët më të mirë që ka pasur populli ynë. Zahiri, i përkushtuar deri në fund, Hakifi fjalë pak, por i vendosur në rrugën e tij dhe Edmondi një i ri që nuk e donte jetën më shumë se lirinë u gjenden bashkë rrugës për të takuar shokët e Drenicës. Ata e kishin llogaritur se një ditë mund të vriteshin, por ata ishin të vendosur që më parë të ndodhte kjo se të dorëzoheshin të gjallë. Ishin dëshmorët e parë të UÇK-së, e cila kishte lindur si nevojë e kohës, por edhe si pjekuri e organizimit.
Atë natë janari u shuan tre yje të Kosovës, tre burra që i dhanë zjarr luftës, tre heronj të stolisur me një emblemë që kishte tri shkronja: UÇK.
Sot, ne kujtojmë me respektin më të madh ata. Ne përkulemi para veprës së tyre. U jemi mirënjohës deri në pafundësi për jetën e tyre të denjë, për luftën e tyre dhe për flijimin e tyre!
Lavdi e përjetshme Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut!