Portreti/intervista

Xhevat Jella: Udha plot lavdi e Haxhi Lleshit

1 maj 1913 – 110 vjetori i lindjes – 1 maj 2023
Udha plot lavdi e Haxhi Lleshit
Nga Xhevat Jella
Haxhi Lleshi lindi në fshatin Zogje të Gryks Vogël të Dibrës me 1 Maj të vitit 1913.
Babai i tij, Halit Lleshi, ishte antizogist, prandaj Ahmet Zogu organizoi vrasjen e tij nga prefekti i Peshkopisë Neki Starova.
Populli i ka kënduar kështu trimit Halit Lleshi: “Halit Lleshi trim i trimit/ I ban patllakja si gojë bilbilit. Hyn prefekti në hamam,/ e merr Zogun ne telefon /Halit Lleshi po lufton. /Ba me mbet Haliti gjalle/ Në Tiranë ka për t’ na ardhë.”
Vrasja e babait të vet më 12 qershor 1923 e gjen Haxhiun në moshën 10 vjeçare. Këto ngjarje e detyruan familjen e tij të merrte rrugën e emigrimit, bashkë me xhaxhallarët e tij Pellumbin, Aqifin, Osmanin e vellain e tij Ganiun. Edhe në emigrim në Dibër të Madhe shtëpia e Lleshajve u bë bazë e rëndësishme e patriotëve antizogistë si Myslim Paza, Kajo Karafili e te tjerë. Ata qëndruan 9 vite në shtepine e Haxhiut dhe kështu u farkëtua miqësia e pa thyeshme mes Haxhi Lleshit e Myslim Pezës, miqësi që i qëndroi furtunave të kohërave.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italian Myslim Peza e Kajo Karafili u kthyen në Pezë duke ngritur çeten e parë antifashiste në Europë në vitin 1940.
Haxhiu e ndihmonte financiarisht babë Myslimin, nëpërmjet njerëzve të tij të besuar, si Musli Jashari, Ram Dumani, Nuz Majtara, Kadri Demiri, Lil Bushati e Fadil Vervizolli.
Haxhi Lleshi ishte organizuesi kryesor në goditjen e forcave fashiste, kur ata sulmuan popujt jugosllav në pranverën e vitit 1941.
Në mars 1942 ai shkon në Pezë bashkë me Mustafa Kaçaçin e të tjerë antar të njësitit guerril qe ai kishte ngritur. Këtu për herë të parë do të takonte Enver Hoxhën në shtëpine e Myslim Pezës, ku u diskutua programi i PKSH për çlirimin e vendit.
Gjatë kthimit për në Dibër ai u ndalua në Martanesh dhe u takua me Baba Fajën, biseduan, bashkërenduan punët për luftë të përbashkët kundër okupatorit.
Në saj të punës këmbëngulëse Haxhi Lleshi arriti të formojë çetën e parë partizane të Dibrës me 20 qershor 1942 në Zogje ku komandant u caktua vete Ai, kurse komisar Qazim Prishtina.
Populli i ka kënduar trimit Haxhi Lleshi e Çetes partizane kështu: “Në Zogje të Dibrës këndon bilbili /Mbi 9 malet ndritka ylli /Ndritka ylli i Shqipërisë /N’ mejdan del çeta e lirisë/ Haxhi Lleshi mustaqe zi /Zemrën zjarr syrin duhi./ Me çetë të vogël partizane /Na i ka pri malsis dibrane.”
Merr pjese në konferencën e Pezës më 16 shtator 1942 dhe zgjidhet antar i kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar.
Çeta e Haxhi Lleshit kreu 13 aksione e veprime luftarake kundër pushtuesit, duke marr pjesë me mitraloz në dorë. Komandanti Haxhi Lleshi u plagos dy herë në përleshje me armiqtë.
Më 10 korrik 1943 ai merr pjesë në formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe zgjidhet antar i shtabit. Më 26 korrik 1943 formohet batalioni partizan i Dibrës në Gjoricë të Grykës Vogël dhe ai caktohet komandant i tij e më pas, më 18 Gusht formoi brigadën e 18 sulmuese. Në konferencën e dytë NÇ në Labinot 1943 u zgjodh antar i Këshillit të Përgjithshëm ANÇ, ndërsa në Kongresin e Përmetit 1944 antar i KANÇ. Në mbledhjen e Beratit në tetor 1944 u zgjodh Antar i Qeverise Demokratike Provizore.
Haxhi Lleshi ishte një prijës i vërtetë popullor, i cili kishte aftësi të veçanta në komunikimin me njerëzit dhe arriti të formonte bazat e luftës në çdo fshat e në lagje të qyteteve. Në Fushën e Dibrës partizanët kishin 28 baza luftë të fshehta, në Grykë të Vogël 48 baza, në Grykë të Madhe 69 baza, në Katër Grykët ishin 22, në Dibrën e Poshtme e Luzni 99 baza, në Gollobordë 12, në Dibër të Madhe e fshatrat përreth, 31 baza, të cilat gjithsej ishin 309 baza lufte të fshehta ku Haxhi Lleshi pritej e përcillej bashkë me luftëtarët e lirisë. Populli ndante me ta atë kafshatë buke që kishte, vetëm e vetëm të fitohej Liria e Atdheut dhe ajo erdhi më 29 nëntor 1944.
Pas çlirimit të vendit ka mbajtur detyra të rëndësishme dhe në vitin 1953 u zgjodh Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, President i Republikës, funksion që e mbajti deri në vitin 1982.
Është zgjedhur deputet nga viti 1945 e deri në vitin1991.