Lëvizja\UÇK

Mehmet Bislimi: Pjesë nga libri im me kujtime: “Shtigje jete”

Pjesë nga libri im me kujtime: “Shtigje jete”

… Jeta e rëndë në burg nuk harrohet, ajo ka edhe kalitjen e qëndresën deri në kult

 Diku nga mesi i shkurtit të vitit 1982, na transferuan në Kazamatet Serbe të “Zabelës” së Pozharevcit, atje kam vuajtur pjesën tjetër të dënimit. Atje ishim shumë shqiptarë, djem të shkëlqyer, të denjë dhe sypatrembur, të dënuar për veprimtari politike. Ishte fat që ai brez para pushtuesit serbo-jugosllav, po prezantonte një epokë të një gjenerate të re e cila me stoicizëm e krenari po bënte historinë më të re të atdheut.

Ata ishin heronj të gjallë, ishin sinonim i sakrificës për liri, ishin dhe të tillë mbetën- dalzotës të atdheut, si: Ismajl Haradinaj, Halil Alidema, Afrim Zhitia, Fadil Vataj, Nezir Myrtaj, Sami Kurteshi, Ali Lajçi, Bardhyl Mahmuti, Halil Selimi, Sabit Veseli, Taip Zeka, babai me dy të bijtë; Hasan, Shaban e Fetah Shemsiu, Nazmi Hoxha, Mehmet Bislimi, Selim Luli, Bajram Gashi, Beqir Beqa, Ibrahim Xhemajli, Emin Kelmendi, Milaim Jashari, Muhamet Haklaj, Murat Bytyçi, Bahtir Ahmeti, Bedri Bahtijari, vëllezërit; Ymer e Bejadin Hasani, Reshat Avdiu, Abdyrrahim Limani, Burhan Hasani, Afrim Hoti, Sejdi Leku, Sherif e Pajazit Krasniqi, Bajrush Xhemaili, Ramadan Avdiu, Adem Grabovci, Ibrahim Krasniqi, Hamëz Kryeziu, Sadik Sutaj, Naim Shala, Fehmi Berisha, Sokol Metaj, Kadri Luzha, Alajdin Rrahmani, Xhevat Ademi, Agim Kasami, Nuhi Muhadri, Skender Ibishi, Sami Qorolli, Bajram Qorolli, Jakup Shyti, Ismail Syla, Tahir Turkaj, Rrahman Krasniqi, Rifat Kafexholli, Hazir Xhafolli, Ibrahim Kastrati- Turjakë e Rahavecit të cilin personeli i burgut të Pozharevcit, më vonë e mbysin me varje në burgun e Zabelës- Pozharevc me 30 maj 1987.

Për këta djem të paepur (një pjesë e madhe e të cilëve nuk janë më në mesin tonë), përkulje deri në tokë para qëndrimit dhe madhështisë së tyre, të cilët mbi supet e njoma po bartnin dënime drakonike, që nga 3, 4, 5 e deri në 15 vite burg të rëndë, dënuar padrejtësisht nga regjimi i pushtuesit gjakatar Serb.

 E them me përgjegjësi të plotë se këto dënime të një regjimi fashist, vetëm sa na kishin forcuar dhe bindur edhe më shumë se rruga jonë drejt lirisë, ishte e drejtë e arsyeshme dhe e pashmangshme. Të gjithë këta djem e vajza të dënuar atë kohë, mbajtën burgun pa u lakuar anë e këndë ish Jugosllavisë, pa u thyer, mbajtën qeli e izolime, përjetuan torturat më çnjerëzore, bënë kundërshtime, peticione, organizime e greva urie për të treguar fuqinë dhe vendosmërinë e tyre para pushtuesit gjakatarë serbo- jugosllav.

Të gjithë këta bijë dhe bija, nga burgjet dolën edhe më të fortë seç kishin hy, dolën edhe më të bindur se liria dhe bashkimi i atdheut nuk kishte alternativë tjetër- veç atë të përkushtimit dhe sakrificës- përkushtim ky i pandalshëm, deri në realizimin e plotë të aspiratave tona kombëtare!

CH-05-05-2023
Mehmet Bislimi