Portreti/intervista

Xhevat Hasani: Qasja e Adem Demaçit ndaj mërgatës shqiptare

Për vetë faktin se Adem Demaçi mërgatën shqiptare disa milionëshe nëpër botë e ka konsideruar një pasuri të madhe njerëzore, ekonomike, politike, kulturore dhe sipas nevojës edhe ushtarake, ai, më shumë se cila do figurë tjetër politike e kohës e ka vizituar këtë mërgatë, përfshirë edhe mërgatën shqiptare në Austri, të cilën e ka vizituar dy herë. Herën e parë në vitin 1994 dhe një herë tjetër në vitin 1995. Meqë asokohe kam jetuar në Austri dhe kjo kumtesë burimin e ka te vizitat që ai ka bërë mërgatës shqiptare në këtë vend. Ajo që gjatë këtyre vizitave menjëherë të binte në sy ishte qasja shumë vëllazërore dhe e drejtpërdrejt e Adem Demaçit ndaj mërgimtarëve, si dhe gjuha e thjeshtë dhe e kapshme në komunikim dhe konsiderata e madhe e tij ndaj mërgimtarëve. Uniteti, misioni çlirimtarë dhe bashkimi kombëtarë, kanë paraqitur tri porositë kryesore të Adem Demaçit për mërgatën, jo vetëm në Austri por edhe kudo tjetër në Evropë e tej saj.Në fjalimet e tij serike para mërgimtarëve, Adem Demaçi në vazhdimësi, analizonte situatën e rënd politike dhe ekonomike aktuale brenda së cilës gjendeshin pothuajëse të gjithë shqiptarët në Ballkan. Duke folur për dhunën që ushtrohej mbi shqiptarët në Kosovë nga regjimi serb i Millosheviqit, ai asnjëherë nuk kalonte pa e trajtuar edhe dhunën që ushtrohej mbi shqiptarët në Maqedoni, Preshevë, Bujanofc e në Mal të Zi. Dhe në fund të çdo analize, ai mërgimtarëve u fliste për rrugët e zgjidhjes së situatës së rëndë të shqipatrëve, situatë e cila, sipas tij, duhej të zgjidhej me të gjitha mjetet e lejueshme demokratike e politike duke mos e përjashtuar edhe rezistencën e armatosur. Në mbarim të ligjeratave të tij, Adem Demaçi u përgjigjej shkurt e qartë pyetjeve të shumta të mërgimtarëve të bërë me gojë apo me shkrim. Derisa masa e mërgimtarëve përgjigjet e Demaqit i aprovonte me duartrokitje, kishte edhe të tillë që u ngelej hatri nga ndonjë përgjigjje e tij e cila nuk u shkonte përshtati por Adem Demaçi nuk ka qenë asnjëherë fontanë dëshirash…!Ai edhe realitetet e hidhura të kohës i ka parë në sy: të mirës i thoshte e mirë dhe të keqës i thoshte e keqe. Të tillë karkter kishte Adem Demaçi.Me fjalimet e tij Adem Demaçi e synonte t’i vetëdijësonte mërgimtarët se detyra e çlirimit të Kosovës nga Serbia në rradhë të parë, u takonte vetë shqiptarëve. Kosovës lirinë s’ka për t’ia sjellë askush nga jashtë… vendet e fuqishme si Amerika dhe vendet e Evropës, do të ndihmojnë çilirimin e Kosovës vetëm nëse ne shqiptarët do të jemi të bashkuar dhe vetëm nëse do t’i kryejm detyrat tona të shtëpisë!. Ishin këto fjalët e Adem Demaçit që u thoshe bashkatdhetarëve mërgimtarë në takimet e shumta. Nëse partitë dhe klasa jonë politike pret që çlirimin e Kosovës t’ia sjellin në pijatë, bota nuk do të merret fare me Kosovën, sepse bota i ka hallet dhe telashet e veta…!Adem Demaçi, në të gjithë takimet, i bënte thirrje mërgatës shqipëtare që politikisht të mendonte drejt, të punonte, të fitonte dhe të kursente për të investuar në dy fusha, në arsimin e fëmijëve të tyre në shkollat e përparuara të vendeve ku ata jetojnë dhe në çlirimin e Kosovës nga Serbia, sepse, siq shprehej ai: pa dije dhe pa pasuri nuk mund të ketë liri! Kur dola nga burgu në vitin 1990, unë dola nga një burg i vogël në burgun e madh, shprehej ai burgu i vogël ishin burgjet serbe e jugosllave ku ai e kishte kaluar gati 30 vjet të jetës së vet, kurse burgu i madh ishte vet Kosova, të cilës tani më regjimi serb i Millosheviqit ia kishte marrë me dhunë të gjitha ato të drejta, sado të pakta, përfshirë edhe autonominë e vitit 1974 . pikërisht për ta nxjerrë Kosovën nga ky burg i madh, ai bënte thirrje mërgatës shqiptare që ti bashkonte të gjitha dijet, forcat dhe pasuritë që kishte, për ti vënë ato në shërbim të çlirimit të Kosovës nga Serbia.Siq dihet, pas daljes nga burgu i fundit në vitin 1990, Adem Demaçi iu bashkua proceseve politike e demkoratike të cilat kishin filluar të frymonin edhe në Kosovë. Edhe pse paraqiste autoritetin më të padiskutueshëm në mesin e shqipëtarëve ai, pa ndonjë paragjykim, bashkëpunoi me intelektual e liderë të partive politike të posa krijuara në Kosovë, mirëpo asnjëherë nuk ia lejoi vetës që të bëhej peng i ndonjë lideri politikë në Kosovë apo Shqipëri. Në raste të caktuara, kur këta intelektual e lider nuk punonin sa duhej e si duhej, ai i qortonte dhe i kritikonte publikisht, kritika të tilla ka bërë ai edhe para mërgimtarëve në Austri, i tillë ishte Adem Demaçi.

Adem Demaçi gjatë qëndrimeve të tij në Austri komunikonte e takohej edhe me shokë e miq të vjetër, me ish të burgosur politik e shokë të kohëve të ilegales. Ai i qmonte shumë këta shokë e miq të tij, sepse e dinte se në mos për asgjë tjetër së paku këta do ta qitnin një pushkë për Kosovën! Gjatë qëndrimeve të tij në Austri Adem Demaçi, pos me mërgimtarët shqiptarë ka pasur takime edhe me personalitete joqeveritare austriake. Ata donin të dinin sa më shumë për jetën e tij në burgjet e ish jugosllavisë. Por, Adem Demaçi atyre u fliste jo për jetën e tij nëpër burgje, por për hallet e popullit shqipëtarë, për padrejtësitë e mëdha historike që ju kishin bërë dhe që ende po i bëheshin atij. Adem Demaçi ishte një mik e mysafir i lehtë. Ai asnjëherë nuk kërkonte nga mërgimtarët që mikëpritësit ta vendosnin nëpër hotele luksoze. Rrinte te shokët e miqtë e shumtë. Kështu gjatë vizitave në Austri, gjithnjë ka qenë i mirëpritur nga miku i tij Bafti Aliu nga Ferizaji. Ai të zonjën e shtëpisë e quante motër. Fëmijët e tij e donin pa masë.Po të shikohet nga ana sociale Adem Demaçi kishte një inteligjencë sociale të përsosur, i afërt e komunikativ. As shpenzimin më të vogël nuk ia shkaktonte asnjë mërgimtari. Po ta nxirrje në qytet, Baci kënaqej duke i parë sheshet, parqet ndërtimet e stileve të vjetra dhe duke i vizituar muzetë. Po ta ulje në ndonjë restorant atij nuk mund t’i shtroje as drekë e as darkë. Lëngjet pemësh dhe ëmbëlsira nuk konsumonte për shkak të ngritjes së sheqerit në gjakë. Kafe nuk pinte për shkak të shtypjes së gjakut. Kështu, me të vetmen gjë që mund të qërasje Adem Demaqin ishte një ujë mineral dhe asgjë më shumë.Në fund të vizitave në Austri, mërgimtarët e përcillnin me shpresë së do t’i vizitonte sërish. Dhe i vazhdonte tutje, sipas rastit, për në Gjermani, Zvicërr apo në ndonjë vend tjetër, ku mërgimtarët e pritnin dhe e përcillnin me një dashuri të madhe e respekt të pakufishëm.

Postimet e fundit !