Komenti

Xhevat Gjini: Përdorimi i gogolit “Shqipëri e Madhe” nga pushtuesit e tokave të Shqipërisë dhe aleatët e tyre

Shtetet shoviniste fqinje, që kanë pushtuar (kryesisht në shekujt XIX e XX…) dy të tretatë e Shqipërisë, nuk po gjejnë paqe e nuk po heqin dorë nga propaganda thellësisht shoviniste ndaj shqiptarëve dhe përpjekjeve të tyre për jetë të lirë e të bashkuar në një shtet, në një Shqipëri. Sa herë që përmendet e drejta e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë për t’u bashkuar në një shtet të vetëm do të reagojnë si në kor: Beogradi, Athina, Moska…, duke na akuzuar për “Shqipëri të Madhe”!? Si duket edhe në shekullin e ri (XXI) këto shtete, të mbështetura nga aleatët e tyre tradicionalë, janë të vendosura të mos heqin dorë nga pushtimi i tokave të pushtuara të Shqipërisë!? Reagime histerike të këtyre shteteve këto ditë “nxiti” edhe një deklaratë e Kryetarit të AAK-së për mundësinë e bashkimit të Kosovës me shtetin e saj, nëse nuk i garantohet njohja si shtet, – shkëputja dhe pavarësia e plotë nga Serbia! Pavarësisht se kjo ishte një deklaratë dykuptimshe dhe për nevoja kryesisht të fushatës zgjedhore, reagimet mga kreu i Serbisë erdhën brenda ditës! Kryetari i Serbisë vrapoi të deklaronte se “Ramush Haradinaj po kërkon “Shqipëri të Madhe”… Se kërkesa për bashkimin e Kosovës me shtetin e saj, Shqipërinë, përbën kërcënim për paqen e rajonit e të botës” (parafrazim). Si zakonisht, pas Beogradit dhe në sinkron me qëndrimet e tij, reagoi Moska, Ministria e saj e Jashtme ! Edhe Rusia e Putinit tha se “shqiptarët po bashkohen rreth idesë së krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, gjë që përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë globale”, etj. (parafrazim). Rusia e Madhe me mbi 17 000 000 km katrore dhe me dhjetra popuj nën thundrën e saj akuzon shqiptarët se po mbështesin idenë e “Shqipërisë së Madhe” në tokën e tyre, që sot mund të ishte rreth 85 000 km katrore!!?? Serbia e krijuar kryesisht në tokën e Shqipërisë dhe të Hungarisë akuzon shqiptarët se po duan të krijojnë “Shqipërinë e Madhe” në tokën e tyre, pa i hyrë kujt në hak asnjë milimetër!!?? Greqia, e krijuar kryesisht në tokën e Shqipërisë, akuzon shqiptarët se po krijojnë “Shqipërinë e Madhe”!!?? Rrethana të njëjta janë edhe ato të krijimit të Malit të Zi!!??

Të gjitha këto vende e qeveri gjithë politikën e tyre të jashtme dhe gjithë përgatitjet e tyre ushtarake e policore i bëjnë për t’i mbajtur të pushtuara tokat e Shqipërisë, për t’i shtypur, dëbuar, asimiluar e zhdukur shqiptarët e pushtuar. Prandaj, edhe gogoli “Shqipëri e Madhe” është shpikur nga këto qarqe e shtete armike për t’i trembur popujt e tyre dhe për ta “kërcënuar” e shantazhuar politikën dhe vendimmarrjen botërore! Kjo edhe është arsyeja themelore e gjithë trysnisë, shantazhit dhe planeve të fshehta që po bëhen kundër lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës tash e njëzet vjet! Shkëputja dhe pavarësimi i plotë i Kosovës shqiptare nga Serbia do të ishte goditja e parë e madhe kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit serb dhe kufizim i pranisë ruse në Iliri. Goditje do të ishte edhe për shtetet tjera fqinje, që mbajnë të pushtuara tokat e Shqipërisë. Goditja do të ishte shkatërrimtare edhe për idenë primitive të shteteve shoviniste fqinje që pretendojnë sundimim dhe nëpërkëmbjen e kombit shqiptar edhe për një kohë të gjatë!!

Klasa politike shqiptare e Tiranës, Prishtinës, e Shkupit dhe trojeve tjera shqiptare, bashkë me akademitë dhe institutet tona shkencore dhe, bashkë me medien, do të duhej ta sqaronte botën dhe t’i sqaronte popujt fqinj se shqiptarët nuk po kërkojnë dhe nuk po angazhohen për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila do të përfshinte të gjitha shtetet e rajonit (gjithë Siujdhesën Ilirike), por po kërkojnë e do të kërkojnë dhe po angazhohen e do të angazhohen për ribashkimin e Shqipërisë në kufijtë, ku edhe sot shumicë janë shqiptarët. E kjo, nuk është “Shqipëria e Madhe”, por “Shqipëria e Vogël” ose më saktë: Shqipëria e shqiptarëve dhe e drejta e tyre, e garantuar me të gjitha normat dhe konventat ndërkombëtare, për të jetuar në një shtet të përbashkët. Kjo zgjidhje do të ishte çliruese e paqëtuese edhe për popujt fqinj, me të cilët vetëm atëherë do të ndërtoheshin marrëdhënie të shëndetshme fqinjësore e vëllazërore. Kjo barrë e sqarimit të botës me çështjen shqiptare bie edhe mbi diplomacinë dhe diplomatët tanë, të cilët duhet të jenë kudo ku flitet për shqiptarët dhe për Ilirinë (Ballkanin) dhe ta thonë fjalën e tyre me peshë e pjekuri diplomati e njohësi të mirë të çështjeve. Shqiptarët më të mirë dhe më të ditur do të duhej të ishin diplomatë, që kanë mbështetje shtetin me stabilitet ekonomik e politik dhe me kapacitete efektive mbrojtëse…

Mirëpo, udhëheqësit e partive politike shqiptare, që ala amerikançe vetëquhen “liderë” e “president” (për kryetar), janë skajshmërisht të kënaqur me një pozitë shtetërore në gjysmë shtetet tona (R. e Sh., R. e K. dhe R. e M.), e cila u siguron kushte dhe mundësi për t’u pasuruar dhe për të jetuar të rrethuar me pushtet e lavdi në atë copë Shqipëri, që u ka ra hise ta sundojnë si në kohën e Baba Qemos!! Është koha, ka qenë edhe më herët, që partitë politike (klasa politike) të ulen e të merren vesh shtruar për punën e Kosovës dhe shkëputjen e saj të plotë nga Serbia. Kjo është çështje mbi çështjet tjera, kjo është çështja që nuk pret. Planet dhe “opcionet” që po ofrohen për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke e kënaqur edhe Serbinë, janë si dardha me bishtin prapa… Huxhumi (turri) që kanë marrë politikanët tanë për të kapur karriken e pushtetit (jo vetëm tash!), pa u lodhur dhe pa e vrarë mendjen për punën e lirisë, pavarësisë, sovranitetit, mbrojtjes, sigurisë, rreziqeve dhe kërcënimeve, që i kemi mbi kokë, përbën dhe duhet të përbëj shqetësim për të gjithë ne e jo të dalldisemi ala tifozçe pas “lidreëve”, që me këto mend që kanë vështirë se mund të garantojnë një Kosovë të lirë, të sigurtë, të qetë, strehëdhënëse e bukdhënëse për të gjithë qytetarët e saj…