Arkiv / Ripublikim

Xhevat Bislimi: Mblidhni mendjen shqiptarë!

E gjeta duke kerkuar diçka tjetër… m’u duk si të ishte shkruar për këtë kohë! I shkruar 14 vite më parë…

Mblidhni mendjen shqiptarë!

Publikuar më 08 qershor, 2007 në orën 15:02
XHEVAT BISLIMI,
DEPUTET I KUVENDIT TE KOSOVES
Përpjekjet për shpërbërjen dhe zhdukjen e qenies shqiptare në krahinat e pushtuara të Shqipërisë nuk pushuan asnjëherë. Ato po vazhdojnë edhe sot. Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK-së, e mbështetur nga mbarë kombi, ua hoqi shpresat armiqeve dhe tradhtarëve për zhbërjen e qenies shqiptare me dhunë, terror, gjenocid dhe holokaust. Por, fqinjët tanë shovinistë (të ndihmuar edhe nga kumbarët dhe ndrikullat e tyre) kanë ndrruar strategjinë dhe taktikat e tyre. Nën petkun e “angazhimit” për krijimin e “shtetit të pavarur” të Kosovës (mashtrimi më i madh, që po u bëhet shqiptarëve) po kërkojnë të ndryshojnë identitetin kombëtar shqiptar të popullatës së Kosovës, njërës prej krahinave më të njohura të Shqipërisë. Kujt i duhet një Kosovë ose një “shtet i pavarur” i Kosovës (edhe po të bëhej) pa shqiptarë (me “kosovarë”)? Mund t’i duhet shumëkujt (në radhë të parë Serbisë), por kurrë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Të gjitha përpjekjet, kryengritjet dhe luftërat e njëpasnjëshme gjatë gjithë historisë janë bërë për të ruajtur qenien kombëtare shqiptare dhe për ta bashkuar Shqipërinë. Po të kishim hequr dorë nga identiteti shqiptar (nga gjuha jonë dhe nga flamuri ynë shqiptar) nuk do të kishim patur kurrë kokëçarje, telashe dhe as luftë me Serbinë, por as me pushtuesit tjerë të tokave tona. Asgjë më shumë se kaq nuk kërkonin dhe nuk po kërkojnë pushtuesit e tokave të Shqipërisë. Vetëm kaq! Terrori politikë, shpirtëror dhe psikologjik që po ushtrohet nga mediat e shkruara dhe elektronike (të paguara mirë nga i huaji) si dhe nga politika dhe nga politikanët e paguar filoserbë, filogrekë, filomaqedonë, filo…, ka bërë që të “luhatet” edhe ndonjë shqiptar në përcaktimin e tij kombëtar. Ka edhe ndonjë intelektual shqiptar që është ndikuar nga kjo zhurmë shurdhuese dhe nga ky terror kundërshqiptar dhe beson se për të qenë shtet duhet të heqim dorë nga flamuri, nga gjuha, nga… Shkurtë, duhet të heqim dorë nga vetja! Në botë, bashkëatdhetarë e bashkëkombës të dashur, ka shtete të pavarura me të njëjtin flamur. Shikojeni flamurin e Holandës dhe atë të Luksemburgut, flamurin e Rumanisë dhe atë të Çadit… Megjithatë, nëse duhet të kemi një ndryshim të vockël në flamur (nëse ky është kusht për t’u pavarësuar nga Serbia), atëherë le t’i vendosim tri shkronjat e arta të kombit tonë mbi krenat e Shqiponjës, “UÇK”, derisa të ribashkohemi në një Shqipëri Natyrale, në një Shqipëri kombëtare. T’i vendosim ato Shkronja të arta që e shkëputën dhe e çliruan Kosovën e mbetur pas copëtimeve të shumëta nga kthetrat gjakatare të Serbisë. Por, jo lexues të dashur shqiptarë. E zeza është shumë më e madhe se kaq. Pushtuesitë e tokave të Shqipërisë dhe miqtë e tyre, sidomos rusët, duan dhe dinë më shumë se sa mendojnë politikanët sharlatanë të tipit Rugova, Berisha, Surroi, Thaçi dhe të disa politikanëve, që i nxori Lufta, por që rrëshqitën me shpejtësi në kënetën titisto-rugoviane, nga e cila nuk besoj se do të mund të dalin më… Kjo “pari” politike e Kosovës, e përbër nga njerëz të shkolluar dhe kalitur me filozofinë dhe përvojën politike të pushtuesit dhe nga disa politikanë axhami po tallet, po luan dhe po e mashtron popullin shqiptar të Kosovës e më gjerë pa pikë turpi. I keni parë dhe dëgjuar se sa të pa fytyrë dhe të pa shpirt janë treguar këta matrapazë (pesëshja tashmë e famshme) gjatë një viti.

” Grupi i famshëm”

Vështirë që mund të gjesh politikanë të tjerë në botë që kanë gënjyer dhe mashtruar popullin e tyre më shumë se këta. Mashtrimi i ulët me “simbolet”, me “kushtetutën”, me “rezolutën”, me “shtetin Sovran dhe të pavarur”, me… është dëshmia më e mirë që provon karakterin dhe rolin kundërshqiptar të kësaj pesësheje. E gjithë bota e dinë se qëllimi themelor i Serbisë, Rusisë dhe miqëve të tyre është ricopëtimi dhe bosnizimi (“decentralizimi”) i Kosovës. Me këtë Serbia do të sigurojë një Kosovë të pafuqishme, të lidhur këmbë e duar dhe multietnike (jo shqiptare). Në të ardhmen, në rrethana dhe kohë më të mira, ajo (Serbia) do të provojë ta rifitojë (ripushtojë) Kosovën. “Angazhimi” dhe “përkushtimi” i “grupit negociator” ndihmuan dhe pranuan realizimin e kësaj platforme serbe. Gatishmëria e këtij grupi matrapazësh për të pranuar dhe miratuar (madje edhe tejkaluar) planin e Serbisë për Kosovën (i miratuar në prill të vitit 2004 nga Kuvendi i Serbisë) i la gojëhapur edhe miqtë dhe dashamirët e popullit shqiptarë. Kjo “zemërgjerësi” (siç do ta quante injoranti, Lutfi Haziri) e pesëshes dhe e hyzmeqarëve të saj i “befasoi” për mirë edhe serbët dhe miqtë e tyre. Garancitë që jepnin për ditë e për natë, nëpërmjet mediave dhe në takime e tubime të ndryshme, anëtarët e këtij grupi për “shtetin e pavarur e Sovran” i mori era. Këto “garanci” të kujtojnë kohën e Kurtesh Salihut e të grupit të tij, që “garantonte” se “Kosova nuk do të humbas asgjë nga ndryshimet kushtetuese”. Deklarata e fundit e Agim Çekut se “për Kosovën do të vendosin Bushi e Putini” është argumenti më i mirë për punën që ka bërë ky grup për me e sjell Kosovën në këtë “deregje” tetë vjet pas Luftës. Turp, turp… Sot, më shumë se dje, shqiptarët duhet ta kenë kuptuar se beteja për Kosovën dhe për çështjen shqiptare po hynë në një fazë të re. Atë që populli shqiptar i Kosovës, i përkrahur nga mbarë kombi, e fitoi me Luftë Çlirimtare, atë që e fitoi me lumenj gjaku, po e humbin ata që e shpallën vetën “përfaqësues” dhe “shpëtimtarë” të Kosovës… Shqiptarët me gjak shqiptari duhet ta heqin nga mendja krijimin e shtetit te Kosoves. Populli shqiptar i Kosoves dhe mbare kombi shqiptar ka luftuar për pavarësi nga Serbia, por jo për pavarësi nga vetja, nga Shqipëria. Kosova me viset e saj ishte, është dhe do të jetë për jetë të jetëve Shqipëri. E tillë do të jetë çdo pëllëmbë e tokës shqiptare që i përballoi spastrimit, gjenocidit dhe holokaustit sllavo-grek. Për këtë projekt të shenjtë kombëtar duhet një zotim, përkushtim dhe mobilizim i përgjithshëm. Ky projekt dhe kjo zgjidhje do të prodhojë dhe garantojë siguri dhe qëndrueshmëri të përhershme. Prandaj, të mbledhim mendjen, të bashkojmë mendimin, fjalën, pasurinë dhe të gjitha burimet tona kombëtare, ta bëjmë Shqipërinë. Rroftë Shqipëria Natyrale! Rroftë populli shqiptar!
Prishtine, 07 qershor 2007.