“RRUGA E RE” E NJË LDK – JE TË VJETËR
LDK – ja është e vetmja parti politike në Kosovën shqiptare që është krijuar në kohën e pushtimit dhe, me lejen – miratimin e pushtuesit (ishte regjistruar në Beograd!). Të gjitha partitë tjera politike janë krijuar pas çlirimit të Kosovës. Para LDK – së ka patur grupe dhe organizata politike, që vepronin e luftonin pa lejen – miratimin e pushtuesit. Ato për pushtuesin dhe ligjet e tij ishin ilegale dhe veprimtaria e tyre ishte e ndaluar, e persekutuar dhe e dënueshme. Me bashkimin politik të këtyre organizatave patriotike ishte krijuar Lëvizja Popullore e Kosovës në vitin 1982. Kjo organizatë politike, e karakterit çlirimtar, kishte organizuar dhe drejtuar edhe Luftën Çlirimtare për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Krahu i saj i armatosur u emërtua: Ushtria Çlirimtare e Kosovës…
Lidhja Demokratike e Kosovës, me programin e saj politik, me konceptin, ideologjinë dhe filozofinë e saj u proklamua si parti politike pacifiste dhe u angazhua për dialog, marrëveshje e mirëkuptim me pushtuesin. Ky përcaktim dhe ky angazhim binte ndesh me vullnetin dhe përcaktimin e popullit shqiptar për liri dhe pavarësim – shkëputje të plotë nga pushtuesit e tokave shqiptare: “Ja me hatër, ja me luftë”. Drejtuesit e LDK – së nuk e patën thellësinë dhe kthjelltësinë mendore, nuk e patën guximin dhe forcën intelektuale e shpirtërore për t’i kuptuar dhe përvetësuar proceset dhe zhvillimet politike në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe në rajon e në botë. Struktura drejtuese e kësaj partie të vetëlegalizuar e të legalizuar edhe nga administrata e pushtuesit, duke qenë kryekëput me origjinë jugokomuniste (nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë) e pati të vështirë, madje, siç u dëshmua, e pati të pamundur për ta kapërcyer veten e saj dhe trashëgiminë e mendimit politik e intelektual të jugosllavizuar. Kjo strukturë drejtuese – komanduese e LDK – së, edhe në kohën kur Lufta Çlirimtare e UÇK – së kishte fituar përkrahjen dhe mbështetjen mbarëkombëtare, mbeti dhe qëndroi në anën e gabuar të historisë. Madje, edhe kur Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK – së kishte fituar përkrahjen politike, diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së, të NATO – s dhe të botës demokratike, ekipi që kishte themeluar dhe po drejtonte-komandonte LDK – në i qëndroi besnik konceptit, ideve dhe programit autonomist themeltar të kësaj partie, duke qëndruar deri në fund në anën e gabuar…
33 vite pas kjo parti është mbledhur në një takim pune, diku në malet e Sharrit, dhe po diskuton “riprogramimin” dhe reformimin e saj. Trumbetimi i një “Rruge të re” (fillimi të ri) po ngjet si një hapje e një periudhe të re për LDK – në. Një fillim i ri (ristartim) për këtë parti është i domosdoshēm dhe i mirëpritur nga anëtarësia dhe votuesit e rinj të saj. Por, a mund të ketë fillim të ri (“Rrugë të re”), duke ecur rrugës së vjetër? Natyrisht që jo. Prandaj, pasardhësit e Ibrahim Rugovës e të Isa Mustafës, nëse vërtet duan të nisin një rrugë të re, duhet të shkëputen guximshëm dhe pa ekuivoke nga trashëgimia ideologjike jugokomuniste dhe nga idetë e konceptet autonomiste e “kosovariste”. Drejtuesit e rinj të LDK -së kanë detyrë historike që këtë parti të stërvjetruar në ide, koncepte dhe ideologji ta rinojnë dhe ta modernizojnë me ide, koncepte e program kombëtar (shqiptar) e evropian. Vlerat kombëtare shqiptare, të harmonizuara me vlerat më të mira evropiane dhe demokratike, do të duhejë të ishin trupi i rrugës së re të LDK – së dhe i secilës parti politike në Kosovën tonë shqiptare dhe në viset e saj, sepse edhe partitë e krijuara pas luftës, me programe kombëtare dhe me idenë e bashkimit kombëtar, sot nuk dallojnë shumë nga LDK – ja!
Ditët e ardhshme do të marrim vesh më shumë nëse LDK – ja do të shkëputet nga e kaluara dhe trashëgimia e saj e gabuar në favor të ecjes në një rrugë të re… Nuk dua të paragjykojë këtë angazhim të drejtuesve të rinj të LDK-së për një “rrugë të re” por, dyshoj se mund të ketë rrugë të re pa një “qërim hesapesh” me trashëgimin që e kishte pozicionuar LDK – në, që nga krijimi i saj, në anën e gabuar të historisë…
add a comment