Vështrim/Analizë

Janusz Bugajski: Si po e mbështet Vuçiçi imperializmin putinian dhe naiviteti i amerikanëve

Botuar në DITA

Bugajski: Llogaritë e Vuçiçit e bëjnë mposhtjen e Rusisë në Ukrainë edhe më të domosdoshme për Ballkanin Perëndimor.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk mund ta fshehë mbështetjen e vet ndaj Rusisë perandorake. Takimi i tij me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski në Samitin Ballkanik të mbajtur në Greqi në gusht presupozohej të tregonte qëndrimin e paanshëm të Serbisë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në të vërtetë, regjimi në Serbi i mbështet plotësisht qëllimet imperialiste të Moskës në Ukrainë dhe politikat e saj anti-amerikane (në nivel) botëror.

Beogradit i duhet që Rusia të jetë e fuqishme, me ndikim global dhe e aftë të sfidojë ndikimin amerikan si dhe të mbështesë aspiratat rajonale të Serbisë. Pjesa më e madhe e elitës politike dhe segmente të konsiderueshme të shoqërisë ushqejnë ndjenja negative ndaj SHBA-së dhe NATO-s prej ndërhyrjes së saj ushtarake për Kosovës, në vitin 1999.

Për Vuçiçin dhe ithtarët e vet, ky veprim është i pafalshëm, pasi kjo pengoi zotërinë e tij, Millosheviç, të dëbonte tërësisht shumicën shqiptare të Kosovës.

Vuçiç u takua me Zelenskin që ta bindte atë të mos e njohë Kosovën, duke pretenduar se bëhej fjalë për një situatë të ngjashme me territoret e pushtuara të Ukrainës. Në fakt, krahasimi i Vuçiç mes Ukrainës dhe Serbisë është krejt anasjelltas.

Ndërsa Kosova u çlirua prej Serbisë nga NATO dhe fitoi pavarësinë e saj që të parandalohej gjenocidi, Rusia pushtoi territoret e Ukrainës me qëllim që të kryente gjenocid dhe të zhdukte identitetin ukrainas. Një krahasim më bindës Vuçiç mund ta bënte mes Serbisë dhe Rusisë.

Shtypja koloniale e Rusisë ndaj dhjetëra kombeve të nënshtruar është e ngjashme me shtypjen e shqiptarëve të Kosovës nga Beogradi dhe përpjekjet e tij për të kontrolluar Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Qeveria e Vuçiçit, në fakt, e ka forcuar lidhjen e saj me Kremlinin e Putinit pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Provat që tregojnë pro-imperializmin e Vuçiçit janë shterruese. Në aspektin ekonomik, Beogradi nuk ka vendosur sanksione ekonomike, financiare, tregtare apo energjetike ndaj Rusisë pasi ajo sulmoi Ukrainën, pavarësisht presioneve të BE-së dhe SHBA-së për të respektuar linjën politike të Perëndimit.

Përkundrazi, Serbia vijon të përfitojë nga marrëveshjet tregtare, investimet, marrëveshjet energjitike dhe korrupsioni zyrtar me Moskën.

Në frontin e sigurisë, Serbia vazhdon të blejë armatime të shumëllojshme nga Rusia dhe ka forcuar lidhjet e saj institucionale dhe të inteligjencës me Moskën. Qendra e përbashkët e spiunazhit në Serbinë jugore, e krijuar si një qendër “humanitare”, i siguron Kremlinit informacione të inteligjencës për forcat e NATO-s dhe SHBA-së në rajon, ndihmon në trajnimin e agjentëve dhe sabotuesve, përgatitet për destabilizim më të gjerë rajonal, si dhe thellon varësinë e Serbisë nga Rusia.

Faqja e parë DITA

Zbulimet e fundit tregojnë se agjencitë qeveritare serbe po rekrutojnë luftëtarë që të luftojnë kundër Ukrainës. Sipas burimeve të inteligjencës franceze, Moska, fillimisht, është duke rekrutuar një grup prej 500 ushtarësh privatë (mercenarësh) serbë, të cilët do të dislokohen menjëherë.

Grupi, që përbëhet nga serbë të rekrutuar në disa shtete të Ballkanit, është planifikuar të mbërrijë në një kamp të përkohshëm diku në Moskë, në fillim të shtatorit. Vetë rekrutuesit ose kanë qenë të përfshirë në forcat speciale të Millosheviçit që kanë kryer gjenocid në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë ose kanë luftuar me grupin Wagner në Ukrainë në 2014-ën dhe në Siri pas 2016-ës.

Një “njësi serbe”, pra, po krijohet si pjesë e Divizionit të 106-të të Gardës Ajrore të Rusisë. Ndërsa luftëtarë të huaj nga shumë vende luftojnë për të mbrojtur Ukrainën nga imperializmi rus, përveç çeçenëve të Kadirovit, Serbia do të jetë e vetmja që do të ketë njësi ushtarake kombëtare në Ukrainën e pushtuar, që do të luftojë pro imperializmit rus.

Dhe ndryshe nga serbët, ka çeçenë pro-pavarësisë, batalionet e të cilëve luftojnë përkrah ushtrisë ukrainase për të larguar forcat pushtuese ruse.
Zyrtarët amerikanë, me naivitet, vazhdojnë të marrin me të mirë administratën e Vuçiçit, e cila pretendon se shteti i pavarur i Kosovës është territori i vet perandorak, ashtu si Rusia pretendon se Ukraina është trashëgimia e saj historike dhe kulturore.

Një qasje e tillë dritëshkurtër nga amerikanët nuk e largon Serbinë nga Rusia, por thjesht e inkurajon Beogradin që të kërcënojë fqinjët e vet.

Javët e fundit, qeveritë e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë kanë shprehur shqetësimin e tyre pasi ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, i cili është gjithashtu kreu i Partisë Progresive Serbe në pushtet, pohoi se njohja e Kosovës nga ana e tyre do të vijë dita që do t’i lëndojë vetë ata, ashtu si (ndodhi me) Ukrainën.

Nëse kërcënime të kësaj natyre nuk dënohen nga Uashingtoni dhe Brukseli me kërkesën që fajtori të largohet nga detyra, atëherë Vuçiç do të arrijë në përfundimin se kjo është një tjetër dritë jeshile për agresion.
Beogradi dëshiron që Rusia ta fitojë luftën kundër Ukrainës dhe të shtërë në dorë territoret ukrainase për dy arsye thelbësore.

Së pari, kjo do të fuqizonte statusin e Rusisë, në rang global, që të sfidojë interesat amerikane dhe evropiane. Dhe së dyti, kjo do i jepte dorë axhendës së Serbisë për të rimarrë Kosovën dhe për të dominuar Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi me ndihmë të intensifikuar nga një Moskë më këmbëngulëse.

Llogaritë e Vuçiçit e bëjnë mposhtjen e Rusisë në Ukrainë edhe më të domosdoshme për Ballkanin Perëndimor.

Postimet e fundit !