Komenti

Xh. Gjini: Po na merr malli të dëgjojmë a lexojmë për liritë dhe të drejtat e njeriut

NA MORI MALLI PËR LIRITË DHE TË DREJTAT E HARRUARA TË NJERIUT!
   Fjalia më e dashur e viteve të nëntëdhjeta të shek. XX dhe e dy dekadave të shek . XXI ishte ajo e LIRIVE DHE TË DREJTAVE TË NJERIUT!
Politikanët, qeveritarët, diplomatët, intelektualët e njohur të fushave të ndryshme, veprimtarët e shoqërisë civile (OJQ) dhe mediet e tri – katër dekadave të fundit e nisnin dhe e bitisnin ditën duke mbllaçitur këtë fjali të dashur e “profitabile”, që kishte magjepsur popujt e robëruar, të shtypur e të dhunuar nga qeveri e shtete tiranike, autoritare e jodemokratike.
Mirëpo, qysh se Rusia sulmoi Ukrainën fjalia e famshme dhe magjike e lirive dhe të drejtave të njeriut as po folet dhe as nuk po shkruhet më!! U harrua!? Rendi botëror, bashkë me ndërgjegjjen njerëzore, u tronditë në themel!!
Edhe më e harruar dhe më e largët po bëhet kjo fjali me fuqi “mrekullibërëse” pasi Izraeli sulmoi Gazën (popullin palestinez) para gati pesë muajsh!!
Dhuna, terrori, krimet, masakrat, shkatërrimet dhe gjenocidi që po bëhet ndaj popullit duarthatë palestinez nga shteti izraelit dhe qeveria e tij e ekstremit të djathtë ka lemeritur qarqet, popujt dhe njerëzimin liridashës, ka tronditur vlerat morale, humane dhe civilizuese të shoqërisë njerëzore!!
Disa Fuqi të Mëdha i janë bërë krah dhe mburojë shtetit që po kryen krime kundër njerëzimit dhe gjenocid të pa njohur më parë…
Ndalja e këtij gjenocidi dhe njohja e të drejtës së popullit palestinez për të patur territorin dhe shtetin e tyre do të ishte zgjidhje afatgjate dhe e qëndrueshme…
Sidoqoftë, po na merr malli ta dëgjojmë e lexojmë atë fjalin që na “garantonte” liri dhe të drejta tē njeriut, të cilat po varrosen bashkë me mijëra fëmijë dhe gra e burra të pafajshëm palestinezë, ukranianë, etj.!!…
Liritë dhe të drejtat e njeriut u zëvendësuan me armë vrastare e shkatërrimtare, me avionë bombardues e fluturake (dronë) të drejtuar nga largësia, me raketa e me kërcënime bërthamore!
Liritë dhe të drejtat e njeriut u shndërruan në liri dhe të drejta të të fortit për të dhunuar, terrorizuar, vrarë, shkatërruar e shfarosur më të dobëtin, sipas logjikës: peshku i madh e ha të voglin!! A thua ku mbeti ndërgjegjja njerëzore?!! O tempora, o mores!
“Drejtësia” ndërkombëtare aktualisht po funksionon dhe po zbatohet vetëm nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj shqiptarëve dhe Luftës së tyre Çlirimtare!! Kurse serbët dhe shteti që kishte bërë krime, masakra, shkatërrime dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë po trajtohet si “viktimë”!!