Vështrim/Analizë

Viktor Malaj: Mëkatarët e drejtësisë

Drejtësia është kurorëzuesja e lavdisë së virtyteve” – Ciceroni

Një nga veprimtaritë shtetërore më të ndjeshme për qytetarët e çdo shteti është drejtësia. Në mendimin e vjetër popullor ishte rrënjosur thënia: “Zoti në qiell e qeveria në tokë”, duke nënkuptuar me fjalën “qeveri” të gjithë llojet e pushteteve, ndër të cilat drejtësia është më e ndjeshmja, më e dëshiruara. Në shtetin modern mëtohet se sistemi i drejtësisë e mbron qytetarin jo vetëm nga padrejtësitë që ai pëson nga bashkëqytetarët e tjerë, por, madje, edhe nga qeveria e vendit të vet. Nuk është thënë kot se, po të mos kishte padrejtësi, nuk do të kishte nevojë as për drejtësi.

Kohët e fundit doli në vëmendjen e publikut përsëri problemi endemik i sistemit të drejtësisë në Shqipëri ku, përveç cilësisë anemike, çështja e vonesave në gjykime është shndërruar në gangrenë për shoqërinë shqiptare. Nuk ka dyshim se cilësia e vendimmarrjes është thelbi i drejtësisë dhe pasqyra e moralit të saj. Mirëpo edhe kohëzgjatja e dhënies së drejtësisë është mjaft e rëndësishme.

Përveç shkeljes së normave të legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar në afatet e gjykimeve, këtu gjen zbatimin e vet përfundimi i hershëm juridik dhe moral se: “Një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar”. Kur kemi parasysh qindra raste të kohëzgjatjeve pa fund të proceseve penale që lidhen me vrasjet apo përdhunimet, kohëzgjatje që humbin durimin e palëve të dëmtuara dhe mund të çojnë në vetëgjyqësi, apo ndoshta mijëra raste çështjesh civile e penale që lidhen me pronat, kuptohet qartë sa delikat dhe i rëndësishëm është problemi.

Si në shumë fusha e probleme të tjera të veprimtarisë shoqërore, edhe këtu bëhen përpjekje për ta lënë fajin jetim apo për t’ua hedhur të tjerëve. E vërteta është se, ku më shumë e ku më pak, fajet gjenden tek disa struktura shtetërore dhe individë të punësuar në to.

Së pari, duhet thënë pa ngurrim se e quajtura Reformë në Drejtësi, sa ishte e domosdoshme, aq po rezulton me mjaft të meta e gabime. Këto të meta e gabime lidhen me ngadalësinë proverbiale të procesit të vetingut. Nuk është çështje e “padurimit” të popullit, por është e pafalshme që, pas gati tetë vjet nga fillimi dhe me mjete financiare të konsiderueshme, numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve të vlerësuar (kontrolluar) është vërtet i vogël. Edhe cilësia e kontrollit të bërë, në disa raste lë shumë për të dëshiruar. Gjithashtu, duket qartë se ideatorët dhe drejtuesit e këtij procesi nuk i kishin parashikuar si duhet rrugët dhe mënyrat e mbushjes së boshllëqeve në organikë, të shkaktuara nga pastrimi i sistemit prej zyrtarëve të padenjë.

Së dyti, cilësia e gjykimit nëpër gjykatat e faktit mbetet ende mjaft e ulët. Jo vetëm që ka gjyqtarë dembelë, por ka edhe mjaft të paaftë, çka e shpreh drejtpërdrejt përqindja e lartë e vendimeve të prishura nga Gjykata e Lartë. Këtu mund të hamendësohet për të dyja shkaqet, si atë profesional ashtu edhe të aferave korruptive, ku gjykimi i jep të drejtë xhepplotit dhe jo atij që i takon. Cilësia e dobët e punës së disa gjykatësve ka bërë që, në jo pak raste, palët ndërgjyqëse t’i drejtohen përsëri gjykatës për ” sqarimin e vendimit ” në rastet e çështjeve civile, apo për ” ndreqjen dhe plotësimin e vendimeve ” për çështjet penale, duke shtuar pa nevojë ngarkesën e gjyqësorit. Njeriu që ka pasur mundësi të lexojë shumë prej vendimeve të Gjykatës së Lartë të këtyre njëzet viteve të fundit mbetet pa mend kur konstaton se, me gjithë precedentët dhe vendimet unifikuese të mëparshme për çështje penale e civile të ndryshme, gjyqtarë në mbarë vendin vazhdojnë të mos i konsiderojnë ato në gjykimet dhe vendimet e tyre. Kjo tregon se ata, ose nuk lexojnë kurrë çfarë duhet dhe ua kërkojnë nevojat e drejtësidhënies, ose veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe praktikën gjyqësore në saje të ndikimit të aferave korruptive.

Së treti, veprimtaria e qeverisjes qendrore dhe vendore ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përkeqësimin e drejtësidhënies dhe në shkeljen e të drejtave të qytetarëve. Janë me mijëra çështje civile me palë të paditur shtetin, pasi vetë administrata shtetërore shkel pa droje të drejtat e shtetasve. Sikur cilësia e punës së institucioneve qendrore e lokale të ishte më e lartë dhe më e denjë, nuk do të kishte sot mbi njëqind mijë çështje në gjykim në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Kjo administratë në jo pak raste ka guximin të mos ekzekutojë vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe, në kundërshtim me ligjin, i jep vetes të drejtë të interpretojë e keqinterpretojë vendimet gjyqësore, për të cilat ka detyrimin e ekzekutimit pa mëdyshje. Po ashtu, kjo administratë vonon përgjigjet ndaj ankesave të qytetarëve ose i shpërfill ato sikur nuk ekzistojnë fare. Flamurin e “nderit” në këtë drejtim e mban administrata e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në bazë dhe në qendër. Dikur, kryeministri e etiketoi Kadastrën si “turpin tonë”, mirëpo qeverisja po vazhdon të bashkëjetojë në paqe më këtë turp, saqë të krijohet ideja se turpi dhe nderi nuk kanë asnjë ndryshim për këtë administratë.

Së katërti, nisma e bërë realitet nga shumica qeverisëse për përqendrimin e organeve gjyqësore të apelit vetëm në Tiranë, i ka dhënë një tjetër goditje shpejtësisë në gjykim dhe, rrjedhimisht, të drejtave të qytetarëve. Kryeneçësia e drejtuesve aktualë të qeverisjes për ta bërë këtë ndryshim administrativ, pavarësisht mendimeve të gjyqësorit dhe Dhomës së Avokatisë, ka rritur marramendshëm kohëzgjatjen e gjykimeve, si dhe tarifat që qytetarët paguajnë për përfaqësuesit e tyre ligjor. Përfaqësuesit (avokatët), duhet të shpenzojnë deri në dy ditë për të ardhur nga periferitë në një seancë gjyqësore disa minutëshe, e cila, jo rrallë, nuk zhvillohet për arsye të ndryshme për të cilat nuk kemi dëgjuar të mbajë ndokush përgjegjësi.

Së pesti, vetëm ata qytetarë që iu ka rënë rasti të jenë palë në çështje penale e dinë se sa i ulët dhe i padenjë shfaqet në mjaft raste niveli i hetimeve nga organet e prokurorisë. Ka prokurorë që dërgojnë në gjyq dosje të paplotësuara, që nuk thërrasin dhe as pyesin asnjëherë palën kallëzuese (më së shumti është palë e dëmtuar nga vepra penale) dhe, madje as palën e kallëzuar. Dihen raste që pala kallëzuese ka këmbëngulur me kërkesa me shkrim drejtuar organit të prokurorisë, madje duke i botuar edhe në shtyp ato kërkesa, apo që është paraqitur fizikisht në institucionin e hetimit për të ofruar fakte e dëshmi të reja që provojnë fajësinë e të kallëzuarve, dhe janë shpërfillur turpshëm dhe në kundërshtim me ligjin nga prokurorët apo hetuesit (OPGJ). Nga ky fenomen nuk ka qenë i imunizuar as SPAK-u, sidomos kur drejtohej nga z. Arben Kraja.

Së gjashti, në jo pak raste ka ndodhur që avokatë të papërgjegjshëm dhe të pandershëm janë bërë shkaktarë të pezullimeve dhe shtyrjeve të seancave gjyqësore duke mos u paraqitur në gjyq. Disa prej tyre i bëjnë këto veprime si marifete për të mundësuar, sipas tyre, lirimin nga burgu të klientëve të tyre për tejkalim të afateve të gjykimit, ndërsa disa të tjerë janë thjesht të papërgjegjshëm për domosdoshmërinë e qenies i pranishëm në gjyq dhe, rrjedhimisht, gjejnë pretekste për t’i bishtnuar asaj. Nuk ka dyshim se, në një masë jo të vogël, cilësia e gjykimeve dhe e realizimit të të drejtave të qytetarëve varen edhe nga dinjiteti, integriteti moral dhe profesional i institucionit të avokatisë.

Po, çfarë duhet bërë për të dalë nga ky qorrsokak i krijuar nga vetë ne si shoqëri dhe shtet?

Mendoj se organet e vetingut duhet të ndryshojnë ritmin e punës, ta përshpejtojnë cilësinë dhe shpejtësinë e procesit të verifikimit dhe përzgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve. Gjithashtu dy institucionet përkatëse, KLGJ dhe KLP duhet të jenë shumë të vëmendshëm ndaj veprimtarisë së gjyqtarëve e prokurorëve dhe të mbajnë qëndrime të rrepta ligjore e administrative kundrejt atyre që shkelin me përsëritje etikën dhe normat e punës dhe, sidomos, ndaj atyre që japin vendime gjyqësore hapur të padrejta dhe me raste të përsëritura. Është e papranueshme që një mjek që bën mjekim të gabuar apo një polic që shkel sadopak normat e punës të largohen nga detyra dhe të ndiqen penalisht, ndërsa një prokuror që pushon padrejtësisht ndjekjet penale apo një gjyqtar që merr shpesh vendime hapur të pambështetura në ligj e prova, të mos iu hyjë gjëmb në këmbë. Ndëshkimet ndaj avokatëve të pandërgjegjshëm duhen rritur dhe zbatuar pa ngurrim nga gjykatat.

Administrata shtetërore, qendrore dhe vendore duhet të rrisë cilësinë dhe moralin në shërbimet ndaj qytetarëve, në mënyrë që veprimet administrative të kundërshtuara në rrugë gjyqësore të ulen në minimum. Kontrolli dhe kërkesa e llogarisë nga lart-poshtë duhet të shumëfishohet pasi vihet re lehtësisht një mungesë përgjegjësie në shërbimin ndaj qytetarëve nga mjaft institucione dhe zyrtarë shtetëror të të gjitha niveleve.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, z. Sadushi pohoi se do të gjobiten avokatët që bëjnë rekurse në kundërshtim me kriteret ligjore. Me të drejtë, kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, z. Maksim Haxhia i propozoi të mbahet qëndrim edhe ndaj Avokaturës së Shtetit. Unë besoj se z. Sadushi e di se në Gjykatën e Lartë ndodhen me qindra çështje civile të ankimuara (rekursuara) nga zyrat e Avokatit të Shtetit dhe se shumica dërmuese e tyre janë rekursuar në kundërshtim me kriteret ligjore. Kur e pyeta para disa kohësh një zyrtar të lartë të Avokatit të Shtetit se përse i ankimojnë të gjitha vendimet gjyqësore civile që lidhen me kërkesat e qytetarëve për kthimin e pronave të ligjshme, m’u përgjigj se: “Kemi një urdhër të brendshëm që duhet t’i ankimojmë të gjitha vendimet me palë shtetin”. Ky “urdhër i brendshëm”, i paligjshëm dhe i pamoralshëm, ka rritur artificialisht numrin e çështjeve në Gjykatën e Lartë. Një administratë shtetërore e ndershme, qoftë edhe Zyra e Avokatit të Shtetit, duhet të ankimojë vetëm vendimet gjyqësore për të cilat është e bindur, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme, se vendimi nuk mbështetet në prova.

Nuk përbën turp një tërheqje qoftë edhe e pjesshme e qeverisjes në ristrukturimin që i bëri gjyqësorit, duke shtuar numrin e Gjykatave të Apelit, të paktën, nga një në tri. Pas kthimit të sistemit gjyqësor në normalitet sa i përket ngarkesës së punës, atëherë mund të bëhet ripërqëndrimi i gjykatave. Gjithashtu, një masë shtetërore frytdhënëse do të ishte bërja e disa ndryshimeve ligjore që do të mundësonin apo detyronin gjyqtarët të punojnë edhe ditëve të shtuna kundrejt një pagese të dyfishuar në raport me pjesën ditore të pagesës aktuale mujore të tyre. Është më mirë të shtosh shpenzimet për drejtësinë në shërbim të popullit sesa të shtosh shpenzimet për oligarkinë.

Gjyqtarët e dinë shumë mirë se një shkak tjetër i rritjes së ngarkesës së punës së tyre është edhe numri relativisht i madh i kërkesave që ndërgjyqësit (palët) i drejtojnë gjykatës për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Duke pasur parasysh se ekzekutimi i vendimeve gjyqësore është pjesa përmbyllëse e procesit gjyqësor do të duhej që gjykatat e apelit, vendimet e të cilave janë të formës së prerë, në dispozitivin e çdo vendimi të urdhërojnë prokuroritë apo, sipas rastit, institucionet përkatëse shtetërore ta ekzekutojnë atë, pa qenë nevoja për kërkesa të tjera nga palët e interesuara.