Komenti

Shukrije Gashi: Shkolla mësonjëtore apo faltore të agjendave të biznesit fetar

Shkollat nuk janë faltore ku kryhen shërbesat fetare. Janë mësonjëtore ku opiumet nuk do të duhej të kenë vend. Le të mbajnë burrat “fetar” shamia, nëse nuk kanë kontrolle mbi veten e tyre dhe mos të luajnë me biznes të islamit politik. Një çoroditje në sistemin shkollor për shkak të religjionit politik është një dëm më i madh sesa sundimi osman shumëshekullor dhe ai i regjimit shekullor serb. Kosova nuk do të duhej të menaxhohet nga sheriati, por nga kushtetuta e një shteti laik. Kosova nuk është shtet islamik i karakterit të islamit politik. Kosova ka nevojë për moral jo të imponuar nga frika e ndëshkimit fetar (frika nga Zoti), por nga edukata dhe arsimimi për formimin e personalitetit të individit në mbështetje të karakterit të krijuar përmes dijes dhe respektit për vetëveten dhe të tjerët. Në veçanti njohjen e vetëvetes përmes vetëbesimit dhe vetëvlerësimit, që d.m.th, veprimet e këqia të mos i bëjmë për shkak të frikës së ndëshkimit nga Zoti apo “burrat kujdestarë”, por për shkak të respektit për të tjerët dhe në radhë të parë të respektit ndaj vetëvetes. Kosova me individë shkurtpamës dhe shërbëtorë të agjendave të religjionit politik, po rrezikon shkombëtarizimin e shqiptarëve në mënyrë të pariparueshme dhe krijimin e strehës për plangprishës të kulturës fetare tradicionale, të zhveshur nga biznesi pokitik.

Kjo ideologji e ngjizur në agjenda politike gratë dhe vajzat po i ve në pozitë të nënshtrimit dhe inferioritetit të gjinisë së “dobët”, e cila ka nevojë për “kujdestar” harbut. Nëse është i vërtetë dhunimi nga një “hoxhë” çka mund të ndodhë në vazhdim me raste të tilla?! Një presedan i tillë pason me krijimin e shprehisë që mëton të shndërrohet në “rregull” të lejueshëm. Apo veprimet kuturu në raste të papeshuara mirë, si ai i përjashtimit të një profesori në Mitrovicë, për teka individuale, të veshura me agjenda të religjionit politik, të cilat lënë pasoja të rënda për imixhin e Kosovës si një shtet i brisht, që mund të bëhet monedhë për kusuritje ideologjish të religjionit politik. Pasoja që shpërfaqen me përsëritje të veprimeve për t’i implementuar këto agjenda të religjionit politik – apo stërkeqjen e trurit kombëtar, janë vetëm maja e Ajzbergut. Dua të besoj që shoqëria e Kosovës do të shkundet nga terri i agjendave të tilla. Mjaft më me “fenerin” e velledonit apo çallmes politike të “urtisë” ogurzeze të ideologjive religjioze të ekstremit fetar! Kosova është shtet laik. Në shkolla mësojnë nxënësit shëndetshëm pa agjenda të çfardo terri të biznesit fetar, etnik apo racor. Shkollat janë mësonjëtore dhe jo faltore. Qeveria duhet të jetë e kujdesshme për të ditur ta ndaj shapin nga sheqeri me maturi. Ma e rreziksheme se çdo veprim tjetër është përfshirja në agjenda të territ religjioz politik. Duhet t’i ndërpritet rruga shpërlarjes së trurit të vajzave të reja, nxënësve nga manipulatorët e ideologjive të religjionit politik. Shkollat janë mësonjëtore dhe duhet t’i shërbejnë arsimimit dhe maturimit të nxënëseve shëndetshëm.