Tjera

Shemsije Elshani: Lypësit

Mirë që kujtojnë njerëzit që kam para dhe më kërkojnë. Të ishin anëtarë të familjes fundja, ka një farë logjike, edhe pse lypësi mbetet lypës edhe kur kërkon brenda familjes. Edhe po të kërkoj një mik a mikeshë që e njeh që moti dhe që ke krijuar raport mirëbesimi, prapë ka njëfarë logjike. Por të të kërkojë tjetri/tjetra para pa të parë asnjëherë në jetën reale, vetëm nga njohja virtuale, kësaj i thonë mungesë dinjiteti për veten, ndërsa edhe mungesë respekti ndaj atij që i drejtohesh. M’u kujtua njëherë një rast me prof Bajram Kurtin. Isha për pushimet e verës në Kosovë, menjëherë pas luftës. Po rrinim në oborr me prindërit dhe fëmijët, kur erdhi djali i një dëshmori nga një fshat afër dhe u fut në oborr me veturë. – Më ka dërgu Baca Bajram me të marrë se është te ne. Për të mos e lënë të pres djali, u ngrita menjëherë dhe ashtu siç isha, pa çantë e pa kuletë u futa në veturë. Sa hymë në shtëpi e ndjeva atë ndjenjën e ngrohtë të mikpritjes shqiptare dhe m’u kujtua që s’kisha marrë asgjë me vete, madje asnjë sheqerkë për fëmijët së paku. U ndjeva ngushtë sa s’ka. Por s’thashë gjë. Të flasësh me Bacën Bajram ishte kënaqësi e llojit të vet, dhe nuk e kam vërejtur si iku koha veç kur pashë që u shtrua darka. Atëherë nuk u përmbajta dhe thashë:- Nuk mundem pa thënë që po ndihem shumë keq që kam ardhur duarthatë. E dija që Baca Bajram mbante gjithmonë shënime gjatë bisedave që bënte duke shënuar kur dëgjonte ndonjë gjë që ai e vlerësonte. Edhe gjatë asaj bisede të gjatë që bëmë në atë odë pashë që shpesh shkruante në fletoren që mbante në prehër. Kur më dëgjoi të them kam ardhë duarthatë më tregoi bllokun e shënimeve dhe tha:- Ti për sot solle mjaft! M’u kujtua kjo ngjarje sot dhe bëra krahasim mes Bacës Bajram dhe këtyre lypësve të sotit dhe thashë me vete, sa afër natyrës njerëzore kemi qenë atëhere e sa shumë i jemi larguar asaj sot. Së paku kjo eksperiencë kështu më thotë.