Kulturë\Letërsi

Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari: Reflektimet e profesorit në kohë pandemie

(Vështrim rreth librit të Prof. Dr. Agim Vincës “Ditari i pandemisë”, botuar nga ARTINI)

Pas pesë, dhjetë, pesëdhjetë ose njëqind vjetësh kujtimet për covid 19 dhe pandeminë e vitit 2020 do të fillojnë gradualisht të zbehen. Por, ka një autor të mirënjohur në Kosovë, profesor, pedagog, poet, prozator, teoricien i letërsisë, dhe intelektual i angazhuar dhe shumë i çmuar në vendin tonë, i cili do të na e kujtojë atë, sa herë që në raftet e librave do të hulumtojmë se çfarë të lexojmë. Është Prof. Dr. Agim Vinca, që është kujdesur, me librin e tij “Ditari i pandemisë”, të na e kthejë të freskët, sa herë të duam të rikujtojmë, atë që ndodhi nga marsi e deri në qershor të vitit 2020.

Ditari i Prof. Dr. Agim Vincës është një libër i rrallë, i shkruar në një moment të veçantë. Autori që në fillim shkruan se as në ëndërr nuk i kishte shkuar ndër mend të shkruante një libër të tillë. Por, askush nuk ka mundur të parashihte atë që ndodhi me pandeminë. Njeriu, si krijesë e brishtë, e prekshme, e lëndueshme, e vritshme, e varur, po ndeshet prej gati një viti me një virus të vogël dhe të padukshëm, i cili frikëson dhe vret. Prandaj, prof. Vinca për 80 ditë me radhë reflekton për këtë, përcjell emocionet e ditës, ngjarjet që e prokupojnë. Dhe ai parasheh se pas kësaj që ka ndodhur bota do ta ndajë kohën në “para dhe pas pandemisë.”

Pandemia solli në rend të parë në botën tonë jetësore frikën. Frika e njeriut është legjitime. Është ndjenjë njerëzore. Frika nga një vdekje për shkak të mungesës së aparatit të oksigjenit është e tmerrshme. Në fakt, vdekja është shndërruar, siç shkruante Heidegeri, në një bezdi sociale. Kjo i detyron njerëzit të vendosen në karantinë, të mbyllen, të izolohen. Dita i ngjan ditës dhe zhvillohet brenda katër mureve. Është një lloj vetëburgosjeje. Ky akt ka të bëjë me ndjenjën e fajësisë eventuale përballë tjetrit, sidomos përballë të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë.

Virusi korona ka goditur tri format themelore të qenies: fizike, sociale dhe mendore. Së pari, Covid-19 e ka vënë në rrezik formën e parë të qenies njerëzore, qenien e tyre fizike: Deri tani kanë vdekur 1. 62 milionë njerëz nga pandemia. Më të goditurit janë të moshuarit dhe ata me imunitet të dobët. Së dyti, Covid 19 e ka goditur edhe qenien tonë sociale: është ndryshuar rrënjësisht sjellja jonë sociale me tjetrin, janë reduktuar në masë të madhe takimet me tjetrin, janë anuluar krejtësisht takimet në grupe të mëdha, manifestimet politike, kulturore dhe sportive. Së treti, është goditur edhe sistemi i të menduarit. Njeriu, që mendonte se dinte shumë për veten, tjetrin dhe botën, për një moment ka ardhur para një fakti të thjeshtë: përballjen me paaftësinë e tij, për t’u ndeshur me virusin.

Për të gjitha këto ka një përshkrim të rrallë në librin e profesor Vincës. Shqetësimi i profesorit shpërfaqet sidomos kur numëron të infektuarit dhe të vdekurit, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe në botë. Ai vuan për këtë. Profesori e parashikon saktësisht atë që ndodhi muaj më vonë. Nga fundi i librit, në faqen 270, ai shkruan: “Prognozat janë se do të ketë qetësim të pandemisë gjatë verës dhe rikthim të saj në vjeshtë. Sepse virusi pëson mutacion, por nuk zhduket”.

Profesor Vinca e përshkruan gjendjen e krijuar në Prishtinën e goditur nga pandemia me tone dëshpërimi: “Në Prishtinë është ndaluar dalja në shesh. Parqet janë rrethuar me shirita të kuq… Askush nga fqinjët nuk bëzan. Heshtje e plotë. Të gjithë janë mbyllur në kafazet e veta. Edhe buzëqeshja…”. Atij i mungojnë shëtitjet e rregullta në Gërmi në fundjavë, takimet me miqtë e tij te restoranti “Amaro” dhe vizitat e rregullta te libraria “Artini.” Por, dita e profesorit nuk kalon në heshtje. Ajo mbushet me ngjarje, përshkrime, biseda telefonike dhe përsiatje politike e teorike. Bisedat e tij me miqtë e tij të shumtë, sidomos me profesor Qosjen, me poetin Visar Zhiti, me profesor Nasho Jorgaqin, me mjekun kardiolog dr. Pandeli Çina, me shkrimtarin Ridvan Dibra etj. janë shumë interesante. Intelektuali ynë vuan keq nga mungesa e lirisë, nga mbyllja e kufijve. Lirinë  e lëvizjes ai e kupton si një vlerë absolute e të padiskutueshme në rrafshin filozofik dhe politik. Ai mezi pret të hapen kufijtë dhe të shkojë në Tiranë për t’u takuar dhe çmallur me miqtë e tij të shumtë shkrimtarë.

Në librin e Prof. Vincës mësojmë shumëçka nga historia. Ai përshkruan historinë jetësore të Pjetër Bogdanit, i cili vdiq nga epidemia e murtajës në vitin 1689, në kohën kur po udhëhiqte trupat kryengritëse shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Mësojmë për linë e bardhë të sjellë në Kosovë në vitin 1972 nga një haxhi nga Rahoveci, i cili nga Arabia Saudite kishte sjellë një shishe me ujë “zemzemi”, e cila kishte shkaktuar vdekjen e 26 vetave. Poeti ynë Vinca e ka të regjistruar këtë në poemën e tij të asaj kohe “Kosovë, e shekujve karantinë!”

Në një atmosferë të tillë të rrezikut nga vdekja, reduktimit të kontaktit social ose reflektimit për padijen njerëzore, në ambientin tonë politik dhe shoqëror, në vend të sensit reaktiv kundër virusit, u aktivizua marramendshëm forma e vrazhdtë e zoon politikonit shqiptar. Qenia politike u shpërfaq në një formë absurde në rrafshin njerëzor dhe psikologjik: realizimin e qëllimit, duke mos kursyer mjetet. Pra, ishte një lloj veprimi i kundërt i imperativit kategorik të Kantit. Nuk ishte ky një reagim për të ndihmuar qytetarët, as masa për shpëtimin e jetës së të sëmurëve, as për të shpëtuar vendin nga kriza, ose me qëllimin që gjendja të tejkalohej sa më parë, por për të vështirësuar punën e Qeverisë sa të ishte e mundur.

Si intelektual Prof. Dr. Agim Vinca reflekton edhe për politikën. Ai shkruan se “politika është betejë, por edhe marrëveshje, tolerancë, kompromis e bashkëpunim”. Dhe më tutje: “Në politikë nuk ka miqësi, por ka interes”. Prof. Vinca është i drejtpërdrejtë në vlerësimet e tij: deklarohet hapur kundër mocionit të mosbesimit kundër Qeverisë Kurti në kohë pandemie, numëron punët e mira që ka bërë kryeministri Kurti gjatë 50 ditëve, dëshpërohet për heshtjen e kryeministrit Edi Rama në lidhje me ngjarjet në Kosovë, përshkruan me saktësi të admirueshme raportin e kryeministrit Kurti me emisarin Richard Grenell. Si kundërreagim ndaj ambasadorit Grenell profesor Vinca na e sjell qëndrimin e kongresmenit Eliot Engel, i cili presionin e administratës së SHBA e quan “trysni joproporcionale.” Dëshpërimin profesor Vinca e shpreh edhe me fjalët: “Të mirët nuk rrinë gjatë në pushtet, veçanërisht në Ballkan, ku intrigat politike dhe despotizmi kanë traditë të gjatë…. Hasan Prishtina ka qenë vetëm tri ditë kryeministër i Shqipërisë!”

 Autori Vinca e kritikon gjuhën e politikanëve, vlerëson të dëmshëm për shëndetin mendor, për sytë, veshët dhe sidomos nervat, të shikohen dhe dëgjohen të gjitha ato që thonë politikanët dhe shfryn: “Ndoshta thirrjes “Rrini n’shpi” duhet shtuar “Fikni televizorët!” Ai e kualifikon luftën politike në kohë pandemie si “anatomi të destruktivitetit!” Raportin e qytetarit me politikën e përshkruan më së miri, thirrja e sinqertë e bashkëshortes së profesorit: “Hiqe! Hiqe, aman, se s’mund t’i duroj! Nuk kam nerva!” Dhe, në dëshpërim e sipër, konstaton: “Koronavirusi ka gjetur në Kosovë një aleat besnik – politikën!”

Një reflektim interesant vleror është ajo rreth raportit të shqiptarëve me BE-në. Prof. Vinca hyrjen në BE e kupton si akomodim me vlerat dhe standardet evropiane: “Liria, paqja dhe dialogu mes popujve, njerëzve e kulturave janë vlera të botës demokratike. Mbi të gjitha liria individuale…” Ai thërret që para se të hyjmë në BE të sillemi si evropianë, t’i përvetësojmë vlerat evropiane dhe të zhvillohemi si evropianë. Shembull se një vend mund të zhvillohet pa qenë në BE janë Zvicra dhe Norvergjia, kurse shembull i kundërt është Greqia, e cila edhe pse vend anëtar i BE-së pati ardhur në prag të falimentimit për shkak të keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit.

Përsiatjet personale dhe familjare janë një pjesë e rëndësishme e librit të Prof. Vincës. Ai e ndien thellë mbylljen dhe izolimin. Vetëm muzika, poezia dhe miqësia e bëjnë që ta harrojë atë herë pas here. Dhe, bashkëshortja e tij. Ai e ndien mungesën e fëmijëve të tij, dhe sidomos të nipave dhe të mbesave, që banojnë afër pesëqind metra, por nuk mund t’i takojë: “Ja ç’bën pandemia: lagjen Dardania ta bën Amerikë, kurse teknologjia bën të kundërtën: i afron ato”. Profesori shfaqw dashuri tw pamasw pwr nipat dhe mbesat e tij. Ai është racional në konceptimin e dy botëve të ndryshme: “Ne jemi dy botë: njëra në ikje, tradicionale, iluministe, por edhe iluzioniste dhe tjetra në ardhje: moderne, racionale dhe pragmatike”.

Në libër ka një numër poezish të autorit, por edhe analiza librash e konceptesh teorike. Profesor Vinca e rilexon “Murtajën” e Albert Kamysë dhe reflekton rreth saj, përshkruan me saktësi karakteret e Kamysë dhe ngjashmëritë me gjendjen e pandemisë së sotme: “Një lloj totalitarizmi është edhe kjo që po ndodh aktualisht në botë: mbyllja, frika, izolimi. Psikoza e murtajës moderne!”.

Megjithëse i gjithë libri përshkohet nga një atmosferë e zymtë, siç determinohet nga vetë gjendja me pandeminë, profesor Vinca gjen hapësirë edhe për optimizëm. Ai e bën këtë në një mënyrë të rrallë artistike, duke konstatuar se “jeta është si ai lumi i madh degëshumë, që s’e ndal asgjë: as partitë, as qeveritë, as grindjet, as marrëzitë… E, madje, as sëmundjet dhe epidemitë!” Dhe simboli i triumfit të jetës mbi vdekjen, i fjalës mbi heshtjen, por edhe i lirisë mbi dhunën dhe tiraninë për poetin dhe profesorin e letërsisë është Arsa Astrit Dehari, ajo “çupëz e vogël, e bukur, e gjallë, me gojën bilbil”.

Pasi të kalojë pandemia, njerëzimi do të ndeshet me pyetje jo vetëm medicinale, epidemiologjike, sociologjike, politike dhe ekonomike, por edhe të natyrës filozofike. Pikërisht krizat e tilla nxisin reflektimet etike dhe filozofike për format e qenies së njeriut dhe sfidat e tij me veten. Në rrafshin filozofik dilema kryesore në reflektimet postpandemike shtrohet, nëse veprimet e njeriut ishin në akord me arsyen e kulluar, imperativin kategorik dhe sigurinë e qenies së tij historike. Liria e individit, shëndeti i tjetrit pranë meje, ligji dhe kushtetutshmëria, prosperiteti ekonomik dhe social, janë tema që do të pushtojnë mendjet filozofike në muajt dhe vitet e ardhshme. Prandaj, libri i profesor Vincës nuk mund të mbyllej më mirë se sa me një thirrje që e ka burimin në një shprehje tradicionale shqiptare: “SHKOFTË E MOS ARDHTË!”

Profesor Vinca ka bërë shumë gjëra të mira për vendin tonë: ka shkruar dhjetëra libra, ka edukuar breza të tërë dhe ka qenë intelektual i angazhuar për lirinë e vendit tonë. Në mesin e shumë gjërave të mira është edhe ky libër i tij, duke regjistruar një moment të rrallë në historinë njerëzore në përgjithësi dhe historinë tonë në veçanti.                                                      

Postimet e fundit !