Kulturë\Letërsi

Prend Buzhala: Vrasja e korrierit të drogës

(Çast anti-lirik), 8

Kur u vra një i ri, korrier drogash

në Atdheun e moçëm të shqipeve,

me emër të moçëm ilir,

aty u vunë vetëm shiritat zi, verdh,

u vunë ca shenja tek gëzhojat e plumbave

dhe trupi i përgjakur i shtrirë buzë trotuarit.

Lavdia e Atdheut dhe e familjeve zbret në gjysmështizë,

yjet shuhen, dielli bëhet rubin i zi, si gjaku i mpiksur.

Është Koha e Virtyteve që shndërrohen në kufoma fjalësh.

Ndryshe, nuk mund të eksportohet demokracia evropiane

as integrimi evropian në kartelat e monopolit:

ja Kartelat e Drogës në veprim,

ja rrëfimet për ta, si i vrasin argatët e vet,

si vrasin baballarë para grave e fëmijëve,

ja gratë me lule në dorë pranë të vrarëve,

ja skenat e vrasjes si jepen live, me raportet policore,

ja shefat e policisë deri te ata të krimit nën hije,

deri te skuadrat e ekspertëve të pastrimit të parave,

me llogaritë e pasurive të strehimit të botës së nëndheshme,

ja kori i detektivëve në veprim,

ja dëshmitarët e ndjekjes penale,

që shteti i lë pa kulm mbi kokë.

Është Koha e Dënimit me Vdekje të brezave të rinj.

Ja vijat gri të krimit që shfaqin kuotat e shoqërisë së kalbur,

ja prapaskenat, ku qëndrojnë njerëzit me syze të errëta,

avokatë, gjyqtarë, kryetarë qendrash lokale

e deri te qeveritë euro-integruese,

ndryshe, punësimi, ndërtimi e zhvillimi ngecin:

ato varen nga tregtia e bashkave të narkotikëve,

aty janë skuadrat e rrëmbyesve të familjeve,

trafikantët e vajzave dhe të fëmijëve,

shfaqen pamje nga bankat e të akuzuarve

ku korrupsioni ngre gishtin ndaj drejtësisë,

ndaj mediave dhe avokatëve të djallit,

vrasësit me kontratë në veprim sipas njerëzve me syza të zinj,

aty diku pas dritareve ngjyrë errët të ndërtesave qeveritare

a të bosëve të përcjellë me ekipe me kufje në vesh.

Është Koha kur njeriu mbyllet në Burgun e Mendimeve.

Kjo është parajsa shtetërore, bërtasin shpëtimtarët e politikës,

njerëzit e tronditur nga brezat e rinj të kriminelëve

të rekrutuar nga narko-politika,

ja live shkëmbimet e zjarrit në pikë të ditës,

ja, na arriti El Dorado, ja sa e prekshme, ja pasuritë përrallore,

ja gjaku rubin i derdhur si ngjyrë e skuqur e parasë.

Shiko, po ngremë spitale të traumës, të psikiatrisë,

të emergjencave, të operimeve nga më të përparuarat:

e sheh, sa dobiprurës për shëndetin e popullit

është kjo El Dorado?

Është koha e Vdekjes së Idealeve.

Urdhëroni pilula të ekstazisë, nën firma portokallesh.

Tash ju secili mund të shkoni të luteni në tempull,

nuk ka rëndësi te cila faltore;

e rëndësishme është që me ceremonialet e lutjes

të përcillen për në parajsë të dërguarit me gjakun e tharë.

Ja kartelat e kontratave ruse të marshit të tankeve,

me lordët e bosët e luftërave dhe krimit ndërkombëtar.

Ja edhe ekipet e grumbulluesve të kufomave, të trupave të plagosur.

Është koha kur pikon Gjaku i Pafajshëm.

Në largim nga skena e krimit të korrierit të ri të drogës,

u dëgjua vetëm rrëfimi i një vajze:

për hir të dashurisë ndaj meje, ai bëri gjthçka,

por ai nuk vrau, u vra pse nuk e vrau një familje duke fjetur.

Është Koha e Pelegrinëve të Shfarosjes së Shpirtit Njerëzor.

(7 maj 2021)